Një “mercenar në dispozicion”

0
42

Nga Mero Baze, 24 Janar 2012

Genc Pollo po përpiqet të bjerë në sy të Berishës. Prej vitit 2005, kur u kthye kokulur në zyrën nga ku doli në periudhën e artë të korrupsionit të Ilir Metës kryeministër, duket se ka parë punët e veta. Në Ministrinë e Arsimit për tre vite do të mbahet mend si ministri, i cili vendosi kontakte personale me biznesmenët e arsimit, ai që hapi dhe legalizoi dhjetëra deri në qindra kioska- universitete kundrejt pareve nën dorë, dhe që nuk arriti të linte përfundimisht asnjë gjurmë zyrtari apo politikani në atë Ministri.

Më pas u afrua në ndërtesën e Berishës dhe pranoi të merrte një post sa për të bërë para. Përpjekja e tij e fundit për të rivalizuar deri dhe me Familjen Berisha, dështoi dhe u detyrua kokulur t’ia jepte tenderin biznesmenit të Familjes Berisha, edhe pse mobilizoi disa media rrotull qeverisë të shpallnin Olldashin të korruptuar dhe atë të pastër. Në fund të tri palët, gazeta zhurmëmadhe, Olldashi dhe Pollo ranë dakord se të dy tenderat, edhe ai i Olldashit, edhe ai Pollos, i takonin Berishës, ndërsa gazeta mori një reklamë 32 faqe nga “ministri i korruptuar” Olldashi, që do të thotë rreth 5 mijë euro në ditë.

Pas kësaj Pollo duket se ndjen një lloj paniku mos Berisha i ka mbajtur mëri. Po bën ç’është e mundur t’i bjerë në sy, se dhe ai mund të përdoret në zallamahitë politike të Berishës. Statusi i tij si “dezertor në dispozicion” duket se po e tremb dhe po bën ç’është e mundur të duket se është në krah të Berishës kundër gjithë atyre që i sillen nëpër këmbë. Dhe e dha provën. Sulmoi Bamir Topin si president që bën emërime me pare në gjykata. Është goxha akuzë, dhe, kur artikulohet nga një ministër kundër një presidenti, në çdo vend normal bëhet tërmet.

Ose njëri ose tjetri duhet të ikin. Ky e tha ashtu si nëpër dhëmbë, si me gjysëm zëri, aq sa të dilte në një titull, sa ta lexonte Berisha e të thoshte se e bëri dhe ai një punë. Presidenti iu përgjigj prerë, duke kërkuar të provojë akuzat ose të japë dorëheqje, por Pollo nuk po flet më. Nuk është se ka marrë përsipër ndonjë betejë dhe as i ka shkuar në mëndje të gjejë fakte për emërimet abuzive në gjykata me lek. Të tilla dhe unë besoj se mund të ketë, edhe pse nuk kam të dhëna që presidenti bën emërime të tilla. Ka plot njerëz në këtë sistem që ofrojnë shërbime të tilla.

Do të ishte një mrekulli që Pollo, Berisha, Olldashi, Halimi apo çdo zyrtar i lartë i shtetit të bënin shembull një rast të tillë, që me siguri ekziston. Por kjo s’ka për të ndodhur kurrë për arsyen e vetme se parimet e tyre nuk kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe as me pastërtinë morale, por me përpjekjen për t’i hyrë në zemër Berishës. Ata nuk mund të duan dhe nuk mund të bëjnë kalë beteje, atë kalë nga i cili Berisha është rrëzuar qysh kur familja e tij theu rekorde duke vrarë nga makutëria për të vjedhur. Sëra e Pollos duan thjesht të hedhin nga një gur mbi armiqtë e ditës të Berishës për tu përfillur prej tij.

Në rastin konkret gjesti i Pollos është dhe më i lig. Ai ka zgjedhur të sulmojë një disident të Berishës, një njeri që po e sfidon Berishën në elektoratin e vet dhe që është momentalisht njeriu më i urryer për Berishën. Është ai që i ka humbur qetësinë, dhe që pas vrasjeve të 21 Janarit e ka kthyer në një subjekt haluçinant, duke parë ëndrra me një karrige që rrinte gati përballë zyrave të tij, por që nuk ia ka zëvendësuar ende karrigen.

Pollo ka zgjedhur për të sulmuar në të vërtetë atë njeri, modelin e të cilit tashmë e ka siklet, pasi dikur ka ëndërruar vetë t’i bëjë Berishës atë që po i bën Bamir Topi sot. Dikur gjithë pushteti i Ilir Metës u investua ta bënte Pollon një kukull rezervë të opozitës, të zëvendësonte me të opozitën reale, dhe ta kthente Shqipërinë në një mbretëri korrupsioni. Çfarë nuk i dha Pollos për ta bërë këtë! Miliona dollarë, biznesmenë në dispozicion nga ata që sot Pollo i ka lënë rrugëve për bukën e gojës, i dha vulën dhe siglën e PD-së, i dha SHISH, mbështetjen ndërkombëtare, gjithçka… por nuk ia arriti. Cingun, i lig, mendjethatë, skuth, i pabesë, me një etiketë fallco kulture, mosbesues ndaj të gjithëve, ai nuk mund të bëhej askush veçse një spiun ordiner i Ilir Metës. Dhe ashtu mbeti. Bëri ca lek dhe e shtyu deri në 2005 kur Meta po afrohej me Berishën dhe kur ai kokulur u kthye në vathën e tij për të vazhduar të bëjë lek. Tashmë janë të gjithë bashkë.

Si një njeri që nuk ka bërë dot asgjë të tijën në jetë, Pollo ka zgjedhur Bamir Topin për ta sulmuar, pasi aty shikon me ligësi se si mund të ketë shans ëndrra për të qenë opozitar i Berishës. Dhe meqë vetë ka pasur mbështetje paret e pista të Ilir Metës, lekët e drogës dhe trafiqet e fëmijëve siç thoshte Berisha, SHISH, gjyqësorin, vulat dhe firmat e PD-së, biles dhe Ferdinand Xhaferin, dhe prapë nuk ia ka arritur, tani mendon se Bamir Topi duhet të ketë doemos ndonjë gjë prej tyre në favor se ndryshe nuk bëhet partia pa lek. Dhe meqë Bamiri nuk ka pas qeverinë siç kishte Pollo, nuk ka pas trafiqet dhe biznesmenët e pushtetit, i bie shkurt se duhet të marrë doemos para nga posti i tij. Dhe si hajdut mendja i shkon tek emërimet me para, tek ato të cilat ai vetë i ktheu në traditë sa ishte Ministër Arsimi, që e çoi një vend pune për mësues në një fshat të thellë 3 mijë euro.

Nuk mund ta pranojë që një njeri të jetë edhe opozitar me Berishën, dhe të mos ketë marrë miliona për këtë. Nuk e pranon dot që në këtë vend nuk ka vetëm pazare, por dhe parime, nuk ka vetëm pabesi dhe thikë pas shpine, por dhe betejë burrnore. Nuk e pranon dot që është një dështak kokëthatë dhe mendon të vihet në dispozicion të Berishës, duke hedhur edhe ai një lopatë baltë. Sa keq që Berisha ka dy ditë brenda dhe s’del në ekran qysh kurse ka dalë urdhër-arresti i Ndre Prendit. Të paktën ta kish dëgjuar që dhe Pollon e ka me vete në këto ditë të vështira. Këto ditë që i ka plasur buza!