NJË MASHTRUES I PAFAJSHËM. KATËR ROMANE TË MEHMET KRAJËS

0
35

Nga ZIJA ÇELA

1. Do të doja t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e ribotuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004), “Im atë donte Adolfin” (2005), “Selvitë e Tivarit” (“2007) dhe “Hotel Arbëria” (2010). Do të doja ta pyesja, për shëmbull, si dreqin arrite t’i shkruaje vetëm në gjashtë vjet katër romane të këtij niveli?!

Mirëpo i përmbahem mendimit të njohur, atij që thotë se vështrimi kritik i një vepre nuk mund të arrihet duke u konsultuar me orakullin, autorin e saj. E po ashtu, me gjithë diversitetin që sjellin leximet vetjake, besoj se asnjë përfundim objektiv nuk mund të arrihet duke dalë jashtë sferës që sugjeron vetë autoriteti i veprës dhe ku mrekullisht, e përsëris – mrekullisht, gjallon pseudo-objektiviteti i shkrimtarit të fiksionit. Kraja është i llahtarshëm në këtë objektivitet të gënjeshtërt. (Më falni për eufemizmin, mund të thoja kopil.) Gjasmues, iluziv, i pafytyrë dhe gjithsesi i pafajshëm si gjithë vëllazëria e tij e përbotshme, ai mashtron pa pikën e drojës, sepse trillon në mënyrën më të besueshme e më të shëndetshme, duke kaluar përmes asaj fijes së hollë që ndan irealen me realen dhe, në një fqinjësi kaq të afruar, lexuesi i gëlltit pa ujë edhe mëdyshjet që i lindin. Në sfondin e zhvillimeve bashkëkohore, kjo është nga shprehjet më domethënëse të përgjegjësisë krijuese për “mospërgjegjësinë” e trillit në letërsi.

E kështu, pa e pyetur autorin, po jap një përgjigje se çfarë shkrimtari është Mehmet Kraja. E di se tek ne mjaft autorë e presin si mujsharë çastin që krijimtarinë e tyre dikush ta cilësojë postmoderne, thua se postmodernizmi është më shumë lavdi sesa kalendar. Thjesht, sipas meje, ndoshta Kraja është një postrealist. Me një fjalë, shkrimtar i integruar plotësisht në nivelin më të përparuar europian.

Nëse katër romanet do t’i përfytyroja si një kuartet me katër instrumente, atëherë “Im atë donte Adolfin” do të ishte pianoja, “Edhe të çmendurit fluturojnë” viola, “Hotel Arbëria” violonçeli dhe “Selvitë e Tivarit” violina. Por sido që t’i renditësh dhe pavarësisht nga ndryshimi i partiturave, gjithë së bashku luajnë muzikë dhome, ku nuk mungon balada për të gjallët, një requiem për të vdekurit dhe një skerco për të gjallët e të vdekurit bashkë.

E këto rrinë me njëra-tjetrën, sepse në prozën e Krajës mbisundojnë gjendjet paraverbale të personazheve, kryesisht trazimet e pazëshme me sy hapur dhe jermet e ëndrrave me sy mbyllur. Janë gjendje që mund të kenë qenë jashtë e janë bërë të brendshme, si dhe të brendshme që mëtojnë të artikulohen për të dalë jashtë. Kjo dëshmi pohon se në krijimtarinë e Mehmet Krajës, para se një zanat që mësohet, letërsia është autenticitet shpirtëror. Dhe në intonimin estetik të këtij autenticiteti, si veçori autoriale ka edhe ngjyra, edhe ndërthurje. Bie fjala dramatikja, tipari më spikatës i shkrimtarit, bashkëjeton me humorin e buzagazit, por shfaqet edhe më rëndshëm kur pikëllimi helmues tretet me sarkazmën përmbytëse.

2. Çfarë i është dashur autorit, para se t’ia niste punës për secilin nga romanet?

Disa troje të njohura, Prishtina, Shkodra, Tivari, Tirana etj. Fabula dhe shumë personazhe të panjohura, çka i fantazon me lehtësi. Pastaj ndonjë dokument historik, apokrif në të vërtetë, bllok a fletore me shënime që dikush i paska mbajtur dikur, por që vetëm sa përmenden, pasi nuk luajnë rolin e faktit. Çfarë tjetër më pas? Më pas asgjë, kaq i kanë mjaftuar. Si prozator i racës, të gjitha të tjerat Kraja i ka vetë. Duke e pasur karburantin përbrenda, ai është ndodhur i gatshëm për shkëndijat që i kanë rënë nga jashtë. Dhe rezultati? Te mjeshtri nuk gjejmë pantallona të kuqe të qepura me fill të bardhë, si shfajësim i ekstravagancës së artistit. Por as në duart e artistit nuk shihen shenja të prangave prej despotizmit të mjeshtrit.

Mehmet Kraja, në radhë të parë, është prozator i leteralitetit të dhuntishëm, atij të lindurit, genuin-it. Prandaj nuk është e rastit që, duke pasur vetëmjaftueshmërinë e zhvillimit, ka ardhur duke e pasuruar romanin shqiptar jo në statistikë, por atje ku sot është balli më cilësor i këtij zhanri. Natyrisht, gjithkush përjeton rrethanat e veta, ndoshta edhe autori u ndihmua nga rrethanat e jashtme. Por më tepër se kombinim rrethanash, është rasti kur përparimi arrihet duke u shfaqur thekshëm fuqia vetjake. Kraja i ka lexuar dhe i lexon në vijimësi prozatorët shqiptarë, por në këto romane nuk ndihet hija e asnjë pararendësi. Prandaj është kaq neto vlera që sjell në letërsinë tonë, çka e bën po aq të epërm edhe respektin e autorit për individualitetet e tjera.

3. Nëse do ta ndaja kuartetin duke i përafruar sipas meje tiparet, njëfarë binjakëzimi do të ishte: “Selvitë e Tivarit” me “Im atë donte Adolfin” si një koncert për violinë e piano; “Edhe të çmendurit fluturojnë” dhe “Hotel Arbëria” si një koncert për violë dhe violonçel. Binjakët e fundit kanë shumë dhimbje, jo vetëm për dramat që sjellin, por edhe për thikat që shqiptarët ia ngulin njëri-tjetrit. Ndërsa dy të parët, romane që i kam më për zemër, krahas dhimbjes dhe ravgimeve njerëzore, kanë aq kapriçio të narrativës, sa mbërrijnë edhe kulme.

Në këndvështrimin e ligjërimit të rrëfyesit dhe botës së brendshme të personazhit, Lindita Tahiri i ka kushtuar një studim të mprehtë stilistik romanit “Im atë donte Adolfin”. Ajo pohon se me mënyrën e paraqitjes së realitetit historik, Kraja krijon metafiksionin historiografik, të cilin lexuesi nuk e pranon me skepticizmin që do t’i ishte qasur historisë, sepse domethënënia e rrëfimit nuk mbështetet në dokumentimin faktik të të dhënave të imagjinuara, por në ndërlidhjen e këtyre të dhënave me ligjërimin e rrëfimit. (Libri “Monolugu”, fq. 133) Siç shihet, është një depërtim në thelbin e specifikës së fiksionit të Mehmet Krajës. Po kujtoj kalimthi se, kur ekzistojnë studime të qelizës letrare si ky që përmenda, një autor ka shansin për ta njohur më gjakftohtë vetveten, pasi në procesin e studimit ka ndodhur një transformim i çuditshëm, nënvetëdija e shkrimtarit është bërë vetëdija e kritikut.

Por unë po ndalem te “Selvitë”. Në letërsi ka mjaft romane që i bashkon një arketip: shkrimtari zbret në fëmijërinë e tij dhe, nga pozitat naiviste të asaj moshe, rrëfen botën përreth. Mirëpo nën ndikimin e një rezultati sundues, mjaft autorë përfundojnë pa dashje ose në letërsi imituese, ose në letërsi bastarde si epigonë të pandreqshëm. Për nga origjinaliteti i mbrojtur (i konservuar), befasimet artistike dhe kënaqësia e leximit, “Selvitë e Tivarit” i vihet përkrah modelit më të fortë që kanë dhënë në këtë rast letrat tona, “Kronikës në gur” të Kadaresë.

Tek “Adolfi” paragrafi i parë i rrëfimit nis me: “Im atë…”. Krijohet kështu iluzioni i menjëhershëm se gjithçka që do të rrëfehet është reale, përvojë fort mirë e njohur nga autori, pasi këtë e përcakton lidhja e gjakut, plus të famshmet shënime (sic!) që na qenkan mbajtur dikur me hollësi. Mirëpo çfarë ndodh letrarisht? Mbasi ka trilluar të atin (ngjarjet zhvillohen në sfondin e Luftës së Dytë Botërore), autori trillon edhe të birin, pra fëmijërinë e vet. Por fëmijërinë e dytë ama, sepse ai nuk do të ndalet, do ta trillojë edhe tjetrën. Për nga kronologjia kohore, fëmijërinë e parë do ta gjejmë te romani pasues “Selvitë e Tivarit”, me ngjarje që zhvillohen shumë më herët, rreth vitit 1878. Dhe pak vëmendje për paradoksin tani, sepse këtu kemi të bëjmë me një trill të pazakontë, kur për nga mosha i biri çertifikohet më i madh se i ati. Nëse autori ka qenë dhjetë veç kur bëhet pjesëmarrës në ato ngjarje, rezulton se librin (sipas shënimit në fund: Prishtinë, janar-nëntor 2010) e ka shkruar kur ka qenë 123, ndërsa sot, megjithëse i ditëlindjes 1952, shkrimtarit i bie të jetë 136 vjeç. (!) Çudia është se, sado tepër fantaste dhe e guximshme kjo lojë trefish e fshehtë me kohën, letrarisht mbetet prapëseprapë e pranueshme.

Rrëfyesit i kanë thyer prej së hershmi rregullat e kohës duke informuar në distancë, madje duke ditur edhe çfarë ka ndodhur para lindjes së tyre. Por zakonisht kjo bëhet duke e respektuar honin ndarës nëpërmjet neutralitetit të vetes së tretë. Kurse te “Selvitë” lexojmë: “Edhe tani, kur e sjell në përfytyrim pamjen e atij vendi, më duket sikur sjell në kujtesë një gravurë të vjetër… Nuk është se kjo pamje vetëm tani më duket e tillë. Gjatë atyre ditëve të largëta dilnim shpesh mbi muret e kalasë dhe nuk bënim asgjë, ngjiteshim mbi kullën e princit…” (Fq. 112) Shihni si guxon autori të rrëfejë në vetën e parë, si e kalon vështirësinë e saj dhe çfarë rrengu na ngre “qafiri”, duke aktivizuar njëherazi kohën e ngjarjes, kohën kur shkruan dhe atë relativen kur do të na drejtohet ne, si përputhje me kohën e leximit.

Veçse kjo lojë nuk do të mund të mbahej gjatë më këmbë, nëse nuk do të harmonizohej në mënyrë simultane gjatë tërë romanit me mjete të tjera të stilistikës, duke treguar të njëjtin guxim dhe të njëjtën mjeshtëri unifikuese. Asnjë mbret në faqe të dheut, me gjithë fuqinë që i pati dhënë froni, nuk mundet që prej një distance kohore një shekull e gjysmë ta shohë veten në mënyrë aktive në kalanë e tij, si lëviz, çfarë sheh e çfarë përjeton. Por shkrimtari edhe të pamundurën e bën të mundur, duke dëshmuar se çfarë fuqie krijuese kanë princat e letrave në mbretërinë e përjetshme të artit.

4. Për nga kompozicioni romanet e Krajës kanë disi formën e shtjellës. Është kapur më parë një nukël potencial, diçka si syri i ciklonit, pastaj ka filluar përhapja e rrathëve duke e rritur diametrin. Këto rrathë herë priten kushtëzueshëm njëri me tjetrin, herë vetëm takohen nëpër lakore ose ruajnë pavarësi, por gjithë së bashku harmonizohen në një mozaik. Tek “Im atë donte Adolfin” këtë rol e luan babai, tek “Edhe të çmendurit fluturojnë” – Kakami, te “Hotel Arbëria” – Skënder Berisha. Ndërsa te “Selvitë” fugën fillestare e nis kurva profesioniste Zuke Kalimani, për të përfshirë pastaj në shtjellë tërë Tivarin e përtej Tivarit, ushtrinë e Dovletit, atë të Krajlit të Cetinjës dhe flotën angleze të Stjuartit të çalë. Por çfarë tabloje e paharrueshme krijohet, çfarë personazhesh të larmishme gëlojnë. Ato jo vetëm e pasurojnë njëri-tjetrin, por kontrastet theksojnë edhe profilet brenda veprës: Samiu dhe Sani Kanduri, Ilham Shaqir Suma, Cuf Idrizi, Beqir Demi, Shuab Damoni, Jehud Doraci, Xhemilja e Habib Katanës, Ymer Efendia, gjakoni Dedë Zarishti, Padër Shtjefni, Nikë Pjetër Jungu, Lami i Kasëm Demirit, Johan fon Bergmani, Nel Gjeshku me mushkën e tij, boshnjakja e Hetem Hoxhës, Lami i Kasë Demirit, Selim Çerkezi, Sebernazja e Beqir Demit dhe deri te gjashtë burrat e Tivarit, Kabili e Rahili, Sabiti e Hamiti, Aliu e Veliu, që hyjnë në bisedime për kufijtë me ushtritë e huaja. Dhe ndonëse me këta gjashtë burra veprës po i afrohet fundi, krerët 34-36 vazhdojnë të ngrihen, ato kthehen në dramë për nga tensioni, në grotesk universal për nga përmbajtja dhe në poemë për nga stili.

Në kuptimin e mirëfilltë, te “Selvitë” nuk ka ndonjë temë që mund të formulohet, gati-gati as subjekt që mund të tregohet në mënyrë lineare. Veçse nuk ka aty situata ku të ndihet shtërzimi i kërkimit, por burime të bollshme ku imagjinata buis vetvetishëm. Autori është ndodhur mu në amën e lëndës së pastër letrare (les lettres pures), çka i ka dhënë krejt romanit atë që quhet frymë, dhe pikërisht fryma ka qenë përcaktuese në kahjen e kësaj letërsie luminishente. Në këtë roman, bashkë me “Im atë donte Adolfin”, Kraja ngrihet në nivelin e asaj krijimtarie ku realja s’i përket aq realitetit, sesa fantazmagorisë së tij. Me një fjalë, çfarë ka në përditshmërinë e vdekshme të një kohe mund të mos gjendet në vepër, por gjendet aty çfarë përfaqëson shpirtin e pavdekshëm të kohës. Duket sikur autori i ka fshirë nga mendja romanet e tjera që ka shkruar, për t’i krijuar vetvetes një kondensim të ri, por edhe shenjën më konkurruese për vazhdimësinë e tij në të ardhshmen.

5. Në pasurinë, lirinë dhe elegancën e përdorimit, Kraja është një nga kampionët e gjuhës letrare. Në të gjithë historinë e letrave tona, prej fillimit e deri më sot, haset rrallë ndonjë shkrimtar që ekspresionizmin e mjedisit dhe natyrës ta ketë në nivelin e këtij autori. Ai nuk e ka për gjë të trashëgojë nga romantikët (që sot shumëkush i shpall krejtësisht anakronikë) afeksionin për gjithësinë, për qiellin e horizontet e tij, për diellin, hënën, yjet, etj. dhe t’i risjellë në modernitet me shijen e kohës. Kur skenat i kanë të pranishme këta trupa qiellorë, në tekst farfurin drita. Sapo shtrihen hijet, përshkrimi bëhet therës.

Edhe pse nga njëri roman te tjetri shkrimtari sikur e ka hangër disi natyrën, çdo rimarrje sjell ca rrëqethje dhe ca ndjesi që mbesin flu. Kjo flu, kjo mjegull aq e shpeshtë në romanet e tij, nuk është thjesht lagështira e motit. Por kryesisht nebuloza prej së cilës është krijuar universi i katër romaneve, një tis vibrues që as e ka lënë autorin të shohë gjithçka qartë qysh prej fillimit, siç shohin skematikët, as të ecë qorrazi jashtë hullive të veprave, siç ecin profanët. Ndoshta s’është e rastit që edhe leximi i Krajës të lë njëfarë mjegulle në kokë. Ajo nis të zhdavaritet pasi mbaron libri, sepse pikërisht atëherë, i persekutuar nga dilemat e aktualitetit, qytetari i sotëm çon gishtin në tëmth dhe, siç ka shtruar vargan pyetjesh autori, nis të pyesë edhe vetë: A thua kështu gjithmonë paska qenë jeta, e lakmueshme, ndjellëse, e brishtë, absurde, marramendëse, sureale dhe shpesh idiote njëkohësisht?!

6. Nuk mund të thuhet se vetë thelbi i artit ka ndryshuar shumë përgjatë historisë. Ka substanca që sikur ngrijnë, sepse për paprekshmërinë e tyre koha i trajton disi në mënyrë frigoriferike. E tillë është letërsia e antikitetit, e cila edhe pas shumë shekujsh ka mbetur sa klasike, aq moderne njëkohësisht. Çfarë ka ndryshuar më tepër ndoshta është tipografia dhe leximi i letërsisë. S’jam kundër, le ta respektojmë sovranitetin dhe lirinë e lexuesit në këtë epokë të multikulturalizmit. Por nëse kultura është bërë konsum, fenomen që ka prirje vërshuese, atëherë pjesës më të denjë të letërsisë i duhet të bëjë rezistencë për të qëndruar në kulturën e fisme, kulturën e lartë siç thuhet sot.

Këto romane të Krajës i kundërvihen konfuzionit kulturor dhe ushqejnë mendim, ndjeshmëri e spiritualitet te lexuesi. Por pa i varur shpresat te çdo lloj lexuesi, pasi rrenat populiste kanë filluar të na dalin për hundësh. Letërsia e Krajës, duke i kthyer shpinën mediokritetit, letërsisë së shurupit dhe të mediatizimit stinor, bëhet më e pëlqyeshme vetëm për ata që ngrihen në nivelin e saj.

Ka njerëz të letrave të tjera që shkruajnë edhe romane, pa qenë romancierë të mirëfilltë. Por ka edhe romanancierë safi që, kur ua do puna, nuk u lënë kurrgjë mangut njerëzve të atyre letrave. I tillë është Mehmet Kraja. Shkrimtar plot kërkime, vëzhgime inteligjente dhe qortime të hidhura përballë ndërgjegjes kombëtare. Eseist në letërsi. Analist në politikë. I flaktë në publicistikë. Ai është vërtet mizor dhe i pamëshirshëm nganjëherë. Por i pamëshirshëm sidomos ndaj vetes, sepse marazi kundër konformizmit dhe nervi i mospajtimit me padrejtësitë s’e lejojnë të përdorë për gojën shtupën e heshtjes.

Sidoqoftë, nga jeta plot travaja e shkrimtarëve mbeten librat më të mirë. E kam thënë, këto janë diamantet që lënë pas vdekjes, por që në të gjallë na janë dhuruar modestisht. Dhe të mendosh pastaj se çfarë heq edhe vetë toka, ama e tyre, për t’i krijuar. I krijon aq thellë, sa prej kufijve të zjarrit nganjëherë i nxjerr në sipërfaqe bashkë me llavën e vullkaneve.

http://gazeta-nacional.com/

BIBLIOGRAFIA DHE ÇMIMET PËR VEPRËN E MEHMET KRAJËS

Romanet:

1. “Gjurmë në trotuar”, “Rilindja”, Prishtinë 1978;
2. “Portali i perëndive të fyera”, “Rilindja”, Prishtinë 1980;
3. “Moti i Madh”, “Rilindja” Prishtinë 1981;
4. “Udhëzime për kapërcimin e detit”, “Rilindja”, Prishtinë 1984; “Naim Frashëri”, Tiranë 1987;
5. “Sëmundja e ëndrrave”, “Rilindja”, Prishtinë 1987;
6. “Net bizantine”, “Rilindja”, Prishtinë 1990;
7. “Muri i mjegullës”, “Toena”, Tiranë 1998;
8. “Edhe të çmendurit fluturojnë”, “Onufri”, Tiranë 2004;
9. “Im atë donte Adolfin”, “Onufri”, Tiranë 2005.
10. “Selvitë e Tivarit”, “Onufri”, Tiranë 2007
11. “Hotel Arbëria”, “Onufri”, Tiranë 2010

Tregimet:

1. “Dritat e mesnatës”, “Rilindja”, Prishtinë 1974;
2. “Vdekja pa emër”, “Eurorilindja”, Tiranë 1995; “Dukagjini”, Pejë 1996;
3. “Portat e qiellit”, “Toena”, Tiranë 1996; “Buzuku”, Prishtinë 1997;
4. “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, “Dukagjini”, Pejë 2001;
6. “Hija e qershisë nën dritën e hënës”, Toena”, Tiranë 2006.

Dramat:

1. “Tri drama” (“Princi i hijeve”, “Onufri i Neokastrës”, “Hëna prej letre”), “Rilindja”, Prishtinë 1987;
2. “Pesë ide për lojë skenike” (“Muri I, ose ora e shiut”, “Muri II, ose lavjerrësi i rërës”, “Muri III, ose fluturat e bardha”, Muri IV, ose ëndërr qeni”, “Muri V, pse një hënë tjetër prej letre”), “Toena”, Tiranë 1999;
4. “Krishti qëndroi tri ditë në Kosovë”, “Jeta e re”, Prishtinë 2002;
3. “Grafitet”, “Jeta e re”, Prishtinë 2005;
4. “Im atë donte Adolfin”, dramatizim, Prishtinë 2007;
6. “Hëna prej letre”, version i ri, Prishtinë 2007;

Kritikë dhe publicistikë:

1. “Shoqërime”, “Rilindja”, Prishtinë 1997
2. “Vite të humbura”, “Eurorilindja” Tiranë 1995, “Rozafa”, Prishtinë 2003;
3. “Mirupafshim në një luftë tjetër”, “Rozafa”, Prishtinë 2003.
4. “E shtuna ime”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2009
5. “Identiteti kosovar”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2011

Shfaqjet e realizuara:

1. “Princi i hijeve”, realizuar në Teatrin Popullor Krahinor në vitin 1984, me regji të Agim Sopit dhe në Teatrin e Gjilanit në vitin 1985;
2. “Hëna prej letre”, realizuar nga Teatri i Gjakovës në vitin 1988, në regji të Fadil Hysajt;
3. “Onufri i Neokastrës”, nga Tetari Amator “Emin Duraku” i Gjakovës në vitin 1987 në regji të Nimon Muçajt;
4. “Ëndërr qeni”, realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës në vitin 2001, në regji të Isë Qosjes;
5. “Grafitet”, realizuar në Teatrin “Oda” të Prishinës, në vitin 2005, në regji të Isë Qosjes;
6. “Onufri i Neokastrës” (version i ri), realizuar nga një grup artistësh të lirë të Gjakovës, në vitin 2006, në regji të Nimon Muçajt;
7. “Hëna prek letre” (version i ri), realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në vitin 2007, në regji të Fadil Hysajt;
8. “Im atë donte Adolfin”, realizuar si shfaqja e parë profesioniste e Teatrit të Prizrenit, në vitin 2007, në regji të Agim Sopit.
9. “Rekuiem”, realizuar nga Teatri i Qytetit të Gjilanit, 2010

Çmimet:

1. Çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Moti i Madh”, 1981);
2. Çmimi “Hivzi Sulejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve “Vdekja pa emër”, 1995);
3. Çmimi i shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin “Muri i mjegullës”, 1998);
4. Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Muri i mjegullës”, 1999);
5. Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, 2001);
6. Çmimin “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë”, 2004).
7. Çmimi “Mitrush Kuteli” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për përmbledhjen e tregimeve “Hija e qershisë në dritën e hënës”, 2007)
8. Çmimi “Petro Marko” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për romanin “Selvitë e Tivarit, 2008)