Një mandat i tretë kryeministror për Berishën?

0
61

Nga Eduard Zaloshnja, 30 dhjetor 2011

Para tre javësh, kur gjatë një interviste dhënë televizionit francez TV5MONDE, u pyet nëse do të kandidojë përsëri për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme, Berisha u përgjigj se do të vazhdojë të kandidojë deri sa elektorati shqiptar t’i thotë lamtumirë. Kjo përgjigje e tij duket se ka ngacmuar Henri Çilin për të shkruar një artikull në gazetën MAPO (Pse e do më tej pushtetin Sali Berisha?), në të cilin ai, praktikisht, i sugjeron Berishës që të mos kandidojë për një mandat të tretë kryeministror.

Jo më kot përdora fjalën “duket” në fjalinë paraardhëse, sepse Çili ka qenë një nga njerëzit kyç të fushatës mediatike të koalicionit qeveritar në zgjedhjet e fundit lokale. Pra, ngacmimi për të shkruar artikullin mund t’i ketë ardhur vërtet nga brenda vetes (siç më siguroi në një bisedë telefonike), por mund t’i ketë ardhur edhe nga njerëzit rreth Berishës, sidomos pas problemit shëndetsor që ky i fundit shfaqi publikisht kur u kthye nga Franca.

Disa nga argumentet që përdor Çili në artikullin e tij: “Sali Berisha ka hyrë që tani ndër 3 figurat politike më të rëndësishme për historinë e shtetit shqiptar, së bashku me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën”; “Ka qenë autor kryesor në integrimin e Shqipërisë në NATO, në lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE etj”; “Në fund të fundit, çfarë është ajo diçka historike që do ta përligjte një mandat të tretë për Sali Berishën në pushtet? Pa një gjë të tillë që ende nuk dihet se çfarë forme a përmbajtjeje ka, të paktën për momentin, është ndoshta i pakuptimtë vijimi i kësaj inercie. Për Sali Berishën vetë të parin, pastaj për shoqërinë shqiptare”.

Ndërkohë që praktikisht i ka sugjeruar Berishës të mos kandidojë për një mandat të tretë kryeministror, Çili, nga ana tjetër, nuk i sugjeron atij se me ç’duhet të merret po u tërhoq nga gara elektorale. Dikush tjetër pranë mazhorancës, i ndjeri Sabri Godo, e ka bërë këtë gjë – para se të vdiste, ai i sugjeroi publikisht Berishës që të bëhej President i Republikës. Këtë gjë të ketë patur në mendje edhe Çili kur shkruajti artikullin e sipërpërmendur? Ndoshta.

Por le të mos zgjatemi me hamendje rreth arsyeve pse ka shkruajtur Çili atë që ka shkruajtur – le ta quajmë të mirëqënë këtë skenar hipotetik dhe le ta analizojmë atë nga këndvështrimi i interesit politik të Berishës.

Le të supozojmë që, edhe pse pakënaqësia e votuesve nga vështirësitë ekonomike dhe korrupsioni galopant duket se është në rritje, partitë e koalicionit qeveritar do të marrin po aq vota sa morrën në vitin 2009 dhe partitë e koalicionit opozitar nuk do të kenë rritje të kuotave elektorale. Me sistemin aktual zgjedhor (që PD-së i intereson fort të mos e ndryshojë), koalicioni qeveritar do të siguronte 74 mandate parlamentare në një skenar të tillë optimist.

Por LSI-ja dhe PDIU-ja do të merrnin respektivisht 6 dhe 2 mandate në koalicion me PD-në. Dhe udhëheqësit e këtyre dy partive kanë demonstruar se mund të marrin vota nga njëri krah dhe pastaj ta krijojnë qeverinë me partitë e krahut tjetër. Në qoftë se marrin një ofertë më të mirë nga i dëshpëruari Rama dhe/ose nxiten nga kanceleritë euroatlantike, ata mund ta kapërcejnë përsëri ylberin – kësaj radhe nga djathtas majtas. Dhe Berishës do t’i duhet të fillojë nga e para luftën e gjatë opozitare…

Por Berisha mund ta kërcënojë Metën me një rihapje të procesit gjyqësor për videon e Priftit, sepse do të ketë marrë deri atëherë në kontroll prokurorinë dhe KLD-në. Duket një armë e fortë kjo, por që mund të bëhet nul në qoftë se Berisha nuk ka 71 vota në Kuvend për t’i rihequr imunitetin parlamentar Metës. Me pak fjalë, ashtu siç Meta ishte një bekim për të në 2009-ën, mund t’i kthehet në një mallkim në 2013-ën…

Nga ana tjetër, në qoftë se Berisha vendos të bëhet President i Republikës në korrik (pas ndonjë interpretimi të Gjykatës Kushtetuese rreth mandatit presidencial të ndërprerë në 1997-ën), PD-ja përsëri do të ketë të njëjtin problem me LSI-në dhe PDIU-në, por ai vetë do të siguronte mbylljen e karrierës politike nga posti më i lartë i shtetit. Ndërkohë, në qoftë se PD-ja do të dalë në opozitë, ai do të jetë ende në Presidencë kur ajo të garojë për pushtetin qendror në 2017-ën. Dhe ky mund të jetë një plus i madh si për Berishën edhe për PD-në.

Analiza e mësipërme është bërë nga këndvështrimi i interesit politik të Berishës. Po për interesin e Shqipërisë çfarë duhet të bëjë Berisha? Mendja ime më thotë se duhet të tërhiqet në jetën e vet private në 2013-ën. Sepse, në fund të fundit, siç thotë dhe Çili, çfarë është ajo diçka historike që do ta përligjte një mandat të tretë për Sali Berishën në pushtet? Pa një gjë të tillë, është i pakuptimtë vijimi i kësaj inercie. Për Sali Berishën vetë të parin, pastaj për shoqërinë shqiptare.