Mbi shpirtin e librit në kohërat e shkuara, një librar rruge në Prishtinë dhe të ardhmen e leximit
Enver Robelli
1. Galaktika e Gutenbergut.
Kujtesa. Vetëdija. Vullneti. Mençuria. Besimi. Të gjitha këto do të mbeteshin fjalë të zbrazëta sikur të mos ekzistonte libri. Nëse diçka nuk shënohet, patjetër do të harrohet. Një ditë. Një natë. Kur para më shumë se dhjetë vitesh magazina “TIME” pyeti se cili ishte personaliteti më i rëndësishëm i mijëvjeçarit që po linim prapa, fitimtari ishte i padiskutueshëm: Johannes Gutenberg. Si zbulues i shtypjes së librave me shkronja lëvizëse Gutenberg ndikoi në mënyrë thelbësore në përhapjen e dijes, popullarizimin e librit, zhvillimin e njerëzimit. Atij, pa asnjë dyshim, i përket titulli “Man of the Millenium”. Deri në zbulimin e shtypjes së librit dija ishte e kufizuar në disa qarqe të ngushta, kryesisht në kthina kishtare. Ndryshimet filluan pastaj. Gjysma e dytë e mijëvjeçarit të shkuar u karakterizua nga libri dhe mund të quhet galaktika e Gutenbergut. Hovi i librit të shtypur nisi nga Gjermania dhe u zgjerua në gjithë botën, një lloj cunami bamirës kulturor. Fjala e shtypur ruhet, arkivohet, shumëzohet dhe shërben si referencë për gjeneratat e ardhshme. Kështu mendonte Gutenberg, kur ia nisi të eksperimentojë në punëtorinë e shkronjave në qytetin Mainz. Gutenberg vdiq më 1468, po atë vit kur vdiq edhe Skënderbeu, heroi tragjik i shqiptarëve. Atëbotë teknika e Gutenbergut ishte përhapur tashmë në Bamberg, Strassburg, Köln, Basel, Romë dhe Augsburg. Evropa e kishte zbuluar përfundimisht rrugën e dritës. Në viset e banuara me shqiptarë, ndërkaq, pas vdekjes së Skënderbeut, horizonti shkonte duke u errësuar dhe pushtimi osman duke u egërsuar. Derisa në Evropën gjermane, franceze, angleze, mesdhetare, nordike përhapej teknika e shtypjes së librit dhe masivizimi i dijes, në Ballkanin e banuar me shqiptarë filloi nata osmane. Ky moment paraqet shkëputjen më drastike të shqiptarëve nga kultura perëndimore. Përpjekjet e rretheve kryesisht fetare kristiane në Shkodër e gjetiu në veri për të ruajtur komunikimin me kulturën evropiane, ndonëse s’reshtën asnjëherë, prapëseprapë ishin aktivitete të izoluara, larg jetës shoqërore. Të mbetur larg galaktikës së Gutenbergut shqiptarët paguan një tagër të lartë: u vonuan në shumë procese historike. Shpirti i librit dhe fryma e tij e revolucionarizuan kulturën, shkollimin, nxënien e dijes. Libri ishte prodhimi i parë serik, më vonë, në shekullin e 19-të dhe 20-të, fabrikat, duke kopjuar Gutenbergun, filluan të prodhojnë rrobe e vetura sipas procesit të standardizuar. Shqiptarët u kyçën dikur në këtë proces, por jo plotësisht, sepse edhe në shekullin e 20-të vrapimi pas ideologjive të gabuara, grindjet herë fëminore, herë të përgjakshme ndërshqiptare, pushtimet e huaja pamundësuan që kombi i vetëquajtur krenar të bëhet edhe komb pak leximtar.
2. Mirsadi.
Kohëve të fundit, kur në Prishtinë më bie të kalojë para hotelit Grand, gërmadhës më mbresëlënëse të arkitekturës jugosocialiste, përpiqem t’i shmangem Mirsadit. Ai është një librar rruge, i cili ka aftësi mrekullisht frikësuese të të bind për t’ia blerë një libër, dy libra, tri libra, një komplet veprash. Këtë s’e shoh si ves të Mirsadit, por si veti të mirë. Sikur të jetoja përherë në Prishtinë Mirsadi me siguri do të ishte njeriu më përgjegjës për rrënimin tim financiar. Mirsadi e di që s’blej libra aktualë të letërsisë, që nga gjuhët e huaja përkthehen në shqip, sepse ato i lexoj në gjuhë të tjera. As libra të Thomas Mannit, Goethes dhe Günter Grassit, të sjella në shqip para 30 apo 40 vitesh nga serbokroatishtja. Librat aktualë, por edhe klasikë të beletristikës gjenden në Amazon. Pas internetit libraria virtuale Amazon është zbulimi më i mirë për njerëzimin leximtar. Amazon është fabrika më efektive për t’u furnizuar me libra. Amazoni është një lloj Mirsadi, vetëm shumë më i madh. Mirsadi e di shumë mirë se prej vitesh kam një dobësi për libra të botuara dikur nga shtëpia “Rilindja”, në vitet 60-të, 70-të, 80-të. Herën e fundit Mirsadi m’i lëshoi në dorë dy libra të Hil Mosit, “Vepra 1” dhe “Vepra 2”, botuar në vitin 1989. Në vëllimin e parë, në faqen 120, gjendet një poezi e Hil Mosit, që falë rapsodit Dervish Shaqa është një lloj himni që shpesh këndohet edhe nëpër qymezet e lezetshme të Prishtinës. Si këngë njihet me titullin “Shqypni, mos thuj mbarova”, e si vjershë “Kosova në luftë”. Hil Mosi e shkroi këtë poezi në Stamboll në vitin 1910, i frymëzuar nga kryengritja e Kosovës kundër pushtimit turk:
“Ah, Shqypni mos thuj mbarova.
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb ashtu çu e rrebt’ Kosova
E ban luftën ball për ball.(…)
Prej Azis’ tek jan kah lshohen
Me tërbim të madh barbart,
Për me vra, me pre kta çohen,
Me turpnu për jet’ shqyptart.E n’Prishtin’, atje pik’ s’parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra ne tok’ me bi përsëri.”
Poezia është më e gjatë se versioni që e këndon Dervish Shaqa. Hil Mosi nga fundi i bën thirrje zanave dhe Skënderbeut të rikthehen dhe shohin çlirimtarët shqiptarë duke luftuar. – Gjatë viteve të fundit Mirsadi si me magji m’i ka gjetur pothuaj të gjitha librat e botuara nga biblioteka legjendare Albatros në kuadër të Rilindjes, mes tyre vëllime me poezi nga i paharrueshmi Esad Mekuli, nga Azemi Shkreli, poeti që gdhendte fjalët me durim olimpik, nga Ali Podrimja, kur vërtet shkruante poezi, nga Din Mehmeti, poet i jetës alpine shqiptare dhe i ironisë lirike, siç e quante kritiku letrar Ibrahim Rugova. Njëherë Mirsadi lehtësisht ma shiti romanin “Të fejuemit” të Aleksander Manzonit. Ky është romani i parë realist i Italisë, një rrëfim mbi një çift të ri, një vepër, për të cilën Goethe kishte thënë se “tejkalon gjithçka që ne njohim nga ky lloj (letërsie, v.j.)”. Romani “Të fejuemit” u botua nga “Rilindja” në vitin 1967 (!) – “Përkthye e kthiellue prej Át Mark Harapit”. S’ka përshkrim më të mirë për punën e përkthyesit: detyrë e tij është jo vetëm të përkthejë, por edhe “me e kthiellue” një vepër nga një gjuhë tjetër në gjuhën amtare. Veprat e Hil Mosit s’gjenden në internetin e shumëlavdëruar, as romani “Te fejuemit” i Manzonit, përkthyer nga Mark Harapi, as poezitë therëse të Esad Mekulit për fatin e keq të argatëve shqiptarë. S’gjenden në internet as esetë e shkrimtarit kroat Mirosllav Kërlezha, përkthyer nga Vehap Shita dhe botuar në fund të viteve 70-të nga Rilindja. Në esenë “Mbi të vetmit flamuj të kohë sonë” Miroslav Kërlezha shkruante në vitin 1924 kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme: “U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. (…) Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzet e pesë vjeçarë dhe çka do të thoshte të bjerësh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar lojal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë”.
3. Ka ardhmëri!
S’është NATO më superfuqi, por www.google.com. Kush e kontrollon dijen s’e ka problem të ballafaqohet edhe me armë, po qe nevoja. Makina e kërkimit e internetit nuk mund të largohet nga vëmendja në çdo hulumtim. A dëshironi të dini si lidhet kravata? Në google e gjeni përshkrimin. Si të mbillen qepët dhe në çfarë kohe? Në google jeni në vendin e duhur.
Së fundi ka përpjekje për digjitalizimin e gjithë dijes, romaneve dhe librave studimorë nga mbarë bota, në një vend, në google. Në Gjermani shkrimtarët kanë protestuar kundër përvetësimit të paturpshëm të veprave të tyre nga gjiganti i internetit. Edhe në Amerikë mbretëron skepticizmi. Por, atraktiviteti i librave elektronikë po shtohet me shpejtësi marramendëse. Në Kinë, superfuqinë e ardhshme, rreth 100 milionë njerëz tashmë lexojnë librat nga E-Book-Reader, një aparat elektrik, i cili ka vend të memorizojë qindra libra.
Libri, dikur bartës i iluminizmit të shoqërive, do të jetë nën presion në vitet dhe deceniet e ardhshme. Por, a do të zhduket? Zor. Leximi është çështje intime – dhe për të përjetuar një çast të tillë, libri mbetet lëndë e prekshme, që mund të lexohet pa rrymë elektrike apo në vende pa qasje në rrymë. Ky mund të jetë argumenti më i parëndësishëm për një libër të shtypur. Ka argumente të tjera: një libër është më i qartë – mund të bëni nënvizime, të mbani shënime anësore, të theksoni pjesë veçanërisht të rëndësishme etj.
Edhe këto mund të bëhen në librin elektronik falë teknikës, por ku na mbeti emocioni? Në një libër të tillë s’ka emocion: krijimi artistik reduktohet në elektronikë. Pra, këtu haptika është në përparësi para elektronikës, greqisht: haptόs – diçka që ndihet, përjetohet; haptikόs – i përshtatshëm për t’u prekur. Bota është si një libër: e prekshme dhe e bukur. Kush s’udhëton e sheh vetëm një faqe të botës. Kush s’lexon, s’e ka parë asnjë faqe të kësaj bote. Libri mbetet një madhështi mes dy kapakësh. Ende.