Një lojë me hile

0
47

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 06.02.2010

Koalicioni qeverisës në Shqipëri po i çon drejt dështimit rekomandimet e KiE për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Përgjatë këtyre ditëve, pas rezolutës së Strasburgut në 28 janar 2010, njëra palë që ka në dorë zgjidhjen e krizës politike, më shumë është përpjekur ta sajojë shtigje antiligjore dhe zgjidhje jashtë tryezës së bisedimeve, se sa ulet për t’iu përgjigjur seriozisht kërkesave të drejtpërdrejta të komunitetit ndërkombëtar, të cilat përveç shijes së hidhur dhe notës negative për politikën shqiptare, duhet të ballafaqohen edhe me hiletë e qeverisë për të mos prekur problemin në burim, prej atje nga ka lindur kaosi politik, bojkoti i opozitës dhe ndërhyrja e huaj për të zgjidhur lëmshin politik të krijuar në Shqipëri.

Shumëkush është munduar ta zhdramatizojë këtë situatë që pasoi rekomandimet e KiE në fund të janarit, duke e justifikuar me lojën e të fortit që mbajtësi i pushtetit duhet të bëjë, zakon i përhershëm i pushtetmbajtësve në Shqipëri.

Madje, të bëjë edhe avokatin e qeverisë, e cila po bëka lëshim të paparë, duke u ulur në bisedime me opozitën që kërkon pushtetin e marrë me hiletë e pas votimeve në 28 qershor 2009.

Por, shumëkush e di se pushtetmbajtësi në Shqipëri po përpiqet që ta shtyjë sa më shumë zgjidhjen e krizës, duke e çuar në kufijtë e të pamundurës dhe atëherë të lëshojë pak për tu dukur se ka shlyer detyrimet e palës në bisedime.

Në fakt, deri më sot, nëntë ditë pas publikimit të rekomandimeve të KiE-së, qeveria nuk ka pasur as dëshirë dhe as ka ndërmend të jetë serioze për të biseduar për zgjidhjen e krizës, e cila nis dhe mbaron te hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Në të kundërt ka qenë e pamasë lëvizja për të shantazhuar opozitën që të mos mbajë si flamur të betejës politike, hapjen e kutive, por të mjaftohet me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, me postin e kryetarit në këtë komision, i cili, si rëndom pas dy muajsh funksionimi, do të degjenerojë si gjithmonë me dy raporte për secilën palë, me moshapjen e kutive, pra me mos-hetimin e masakrës zgjedhore të 28 qershorit dhe lënien në pushtet të klanit qeverisës, i cili e di se është aty ku është falë mashtrimit elektoral.

Si në shprehjen latine “përça e sundo”, qeveria nuk e ka fshehur sponsorizimin e disa elementëve kundër kryetarit të PS-së, duke i joshur ata me kredenciale deputetësh edhe pse nuk kanë bërë betimin, duke i mbështetur shpirtërisht dhe pse jo ndoshta edhe financiarisht, edhe mediatikisht, duke u vënë në dispozicion mediat proqeveritare, të cilat në 90 për qind të lajmeve prej “humbjes” së PS-së në zgjedhje kanë pasur si lajme të vetme nga selia rozë, largimin e Edi Ramës nga posti i kryetarit, rizgjedhjen e tij dhe padyshim bizneset e bashkisë së Tiranës së drejtuar prej tij, duke i vënë pas edhe lidhjet me nëntokën kriminale.

Ndaj deputetëve të PS-së, prej gati pesë muajsh larg sallës së kuvendit është përdorur kulaçi dhe kërbaçi. Ata deputetë të PS-së, që gjatë legjislaturës së XVII-të kanë denoncuar publikisht abuzimet skandaloze të spikeres së Kuvendit me udhëtimet turistike në emër të axhendës së kryetares së Kuvendit, prej muajsh po joshen me shpërblimet e munguara.

Deputetë të PD-së, janë përpjekur të joshin kolegët e të majtës me ofertat 3 milionëshe, sa ç’bëjnë llogaritjet e rrogës, shpërblimeve dhe dietave të një deputeti për pjesëmarrjen në seanca parlamentare, komisione të përhershme të Kuvendit, apo në delegacione, udhëtime jashtë, dieta dhe bonuse për strehim dhe për makinë.

Për mbështetësit e linjës së kryetarit përgjigjja është me kërbaç: si ajo që spikerja e Kuvendit bën për makinat e disa prej deputetëve, në emër të qeverisjes në dietë, kur aparati i Kuvendit është bërë prej vitit 2005, gllabëruesi më i pangopur në zërat e buxhetit të shtetit, me organikë të stërfryrë, shpenzime marramendëse që shkojnë nga makinat dhe udhëtimet e kryetares, te instalimi i modelit më të fundit të kamerave survejuese në fasadën kryesore të kryesisë së Kuvendit.

Por, aspekti më i shëmtuar dhe që minon përpjekjet reale për zgjidhjen e krizës politike në vend, është loja e pistë që qeveria po bën për të ofruar copa pushteti, duke u përpjekur të implikojë në të figurat kryesore që duhet të ishin në tryezën e bisedimeve, si në rolin e ndërmjetësit ashtu edhe të palës.

Segmente të qeverisë po përhapin si legjendë metropolitane, ndarjen e disa institucioneve të pavarura kushtetuese, për opozitën e majtë dhe presidencën, por me kushtin që pushteti ekzekutiv të mos cenohet, nga tryeza e bisedimeve.

Duke bërë kurban thelbin e krizës politike dhe keqqeverisjen që në mandatin e dytë ka shtuar larushinë e ngjyrave, por duke mbetur po ajo gërdec-qeveri: hapjen e kutive dhe rivënien në vend jo vetëm të pushtetit real që ka marrë PS-ja dhe PD-ja, por së pari të dinjitetit të votës së shqiptarëve, e cila nuk meriton të shitet si në pazarin e gjësë së gjallë.