Nga Mero Baze, 24 Shtator 2012
Bashkimi Evropian, siç është paralajmëruar, do të japë një status të kushtëzuar për Shqipërinë si vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, duke e lidhur statusin përfundimtar dhe përfitimet e tij me zgjedhjet e vitit 2013. Edhe pse politikisht është folur për plotësimin e 12 kushteve, duket se kusht kryesor është kthyer diçka që nuk është e shkruar në 12 kushtet e Bashkimit Evropian, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Pra, e gjithë beteja për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian nuk po vjen nga ato çfarë kemi plotësuar apo jo nga 12 kushtet, por nga ajo që Berisha ka bërë rregullisht prej vitit 1996 në Shqipëri, vjedhja e zgjedhjeve. Akordimi me kusht i statusit deri pas zgjedhjeve nënkupton që ose Berisha të heqë dorë nga vjedhja dhe të humbasë pushtetin ose të prekë zgjedhjet dhe të humbasë statusin.
E gjithë kjo lë një shije të keqe për shkak të poshtërimit që duket se i bëhet shoqërisë shqiptare vetëm për shkak të mosmposhtjes demokratike të një individi. Ideja e Brukselit se Berishës i dhimbset Shqipëria më shumë se sa pushteti, është naive dhe aspak produktive për Shqipërinë. Është e sigurt se mes alternativës për të ikur nga pushteti me zgjedhje të lira dhe për t’i dhënë Shqipërisë pasaportën evropiane, dhe alternativës për të qëndruar në pushtet me vota të vjedhura dhe të izolojë Shqipërinë, Berisha zgjedh me qetësi dhe fodullëk këtë të dytën.
Në konceptin e tij Shqipëria nuk është një shtet që ai e drejton përkohësisht dhe as një vend ndaj të cilit ai ka detyrimin të sillet si shërbëtor. Shqipëria për Berishën ka kuptim dhe vlerë vetëm si çiflig i tij. Nëse Evropa e pranon këtë çiflig me të në krye, ai është dakord të jemi dhe evropianë, por ai kurrsesi nuk ka asnjë interes për një Shqipëri evropiane pa të në krye. Në debatin e madh nëse duhet të evropianizohen kombet që i bashkohen Evropës apo thjesht duhet të bëhen anëtare, Berisha është qartazi në anën e atyre që Evropën e shikojnë si një shans të tyre dhe jo si një shans të shoqërisë së tyre.
Në këto rrethana kushtëzimi i Evropës për të na dhënë statusin me kusht, duke pasur parasysh zgjedhjet e lira, është një poshtërim që i bëhet Shqipërisë për shkak të një individi, i cili as që merr mundimin ta kuptojë si kusht këtë vendim aspak të zgjuar të Bashkimit Evropian. Për Berishën nuk ka fitore të Shqipërisë, nëse nuk është fitore e tij, nuk ka sukses ekonomik, nëse nuk është suksesi i tij, nuk ka evropianizim të shoqërisë, nëse ai nuk është pjesë e pushtetit, dhe mbi të gjitha nuk ka rëndësi fare statusi evropian i Shqipërisë para statusit politik të tij si kreu i këtij vendi. Ideja fëminore e Evropës që Berisha duhet përfshirë në proces, me idenë se atij i dhimbset Shqipëria, është një naivitet që na poshtëron të gjithëve.
Ne ose duhet të hyjmë në Evropë se kemi plotësuar 12 kushtet që na ka vënë Brukseli, cilësisht dhe numerikisht, ose duhet të qëndrojmë në pritje për t’u bërë një vend evropian. Kushti poshtërues që ne të hyjmë në Evropë me kusht që të mos vjedhë votat Berisha është i njëjtë me mundimin dhe kotësinë për të bindur Berishën se Shqipëria ka më shumë rëndësi se pushteti i tij. Ky kusht vlen vetëm për faktin që Evropa kërkon rotacion politik dhe po kushtëzon statusin me ikjen e Berishës, por kjo ka për të mbetur vetëm dëshirë.
Ideja që ne duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve me statusin e pamarrë si zinxhir nëpër këmbë, do ta bëjë këtë çështje më elektorale dhe më të keqpërdorur për shqiptarët. Me një kamxhik në dorë Berisha po përpiqet të nënshtrojë shoqërinë shqiptare, opozitën dhe median, duke e përdorur kushtin që është për të si detyrim për shqiptarët. Ai nuk e nënkupton në asnjë mënyrë kushtin e Bashkimit Evropian si një detyrim të tij për të mos prekur zgjedhjet, por si një detyrim të opozitës dhe shqiptarëve për ta lejuar që të vjedhë zgjedhjet, ndryshe do të jemi fajtorë për statusin.
Ai e nënkupton atë si një mënyrë për të vendosur një Ristan tjetër në KQZ, për të bërë sërish maskaradën e votave që bëri në Tiranë, për të përdorur sërish kriminelët që lirohen nga burgu për të mbledhur vota, për të përdorur paret e korrupsionit për të blerë vota në zonat e varfra, për të përdorur milionat e privatizimeve në shërbim të makinerisë shtetërore elektorale, për të blerë median dhe për të korruptuar dhe përfaqësues ndërkombëtarë që shfaqen këtu herë si lobistë e herë si diplomatë, në emër të stabilitetit që po dërrmon demokracinë. Kushti i Evropës nuk i thotë asgjë Sali Berishës, veçse e shtyn atë me më shumë zell drejt futjes së duarve në zgjedhje.
Por nga ana tjetër është shumë e vërtetë se shumica dërrmuese e shqiptarëve është kundër tij. Përveç një opozite, e cila dhe kështu është më e votuar se ai, ai ka përballë një spektër të ri opozitar që duket se do ta thellojë diferencën e votave kundër tij.
Dhe për këtë arsye jemi para dy alternativave tragjikomike. E para, që e mendojmë të gjithë, është se Sali Berisha do t’i shkatërrojë zgjedhjet për t’i fituar me çdo kusht dhe pastaj refuzimin e statusit do ta quajë si një e keqe që i erdhi Shqipërisë nga opozita, që do ankohet për vjedhje votash. Por ky është një skenar që e ka një fund, të njohur si në vitin 1996. Skenari komik do të jetë që ky të mos ia dalë dot të vjedhë aq shumë sa të fitojë, pra të humbasë, dhe pastaj ne do ta marrim statusin, jo se bëmë zgjedhje të lira, por se “iku qelbësira”. Do të jetë ironi e madhe pastaj kur të themi se tani jemi evropianë.