Një kryeshtetar në mes të detit

0
32

Nga Skender Minxhozi, 23 Korrik 2012

Presidenca e Bamir Topit hynë në javën e fundit të saj. Pasi përmbylli vizitat në vendet fqinje dhe detyrimet e fundit presidenciale, Bamir Topi bëhet gati të lerë postin e kreut të shtetit, për t’u “zhytur” në llumin e politikës aktive partiake. FRD, projekti që e pret prej disa muajsh, për të provuar sesa i ka ruajtur kuotat elektorale pas ikjes nga Presidenca

Java ku po hyjmë do të jetë e fundit në mandatin presidencial të Bamir Topit. Presidenti në detyrë do t’ja dorëzojë poltronin e tij Bujar Nishanit më 24 korrik, pas një ceremonie në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Mbyllet kështu një pesëvjeçar drejtimi i shtetit, nga një politikan që u zgjodh fillimisht si një figurë e besuar e kreut të maxhorancës Sali Berisha dhe që po e mbyll siparin në Pallatin e Brigadave si një armik i betuar i partisë që e zgjodhi.

Para tre ditësh Bamir Topi u detyrua të qëndrojë për orë të tëra pa drita, në mes të detit Adriatik, në bordin e trageti që kishte pësuar avari për shkak të karburantit të dobët me të cilin ishte furnizuar. Gjatë këtyre orëve kreu i shtetit nuk mori asnjë trajtim preferencial nga ana e shtetit të tij, ashtu siç i takonte, përveç ofertës për të vijuar udhëtimin me një mjet tjetër lundrues a fluturues, çka ai e refuzoi. Asnjë institucion i specializuar nuk njoftohet të jetë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë zotit Topi, përveç një rimorkiatori të marrë privatisht, ose për të siguruar personin e tij.

Janë dashur dy orë vetëm për afrimin e anijes në kalatë, pasi kishte mbërritur brenda akuatoriumit të Portit të Durrësit. E megjithatë kjo pozitë qesharake në të cilin vihej shtetari më i lartë, nuk ka skandalizuar askënd nga piramida zyrtare e vendit. Përkundrazi, në Tiranë kanë qeshur nën buzë dhe janë kënaqur pa masë me këtë shfaqje të fundit impotence dhe pasiviteti. Të shtetit, në fakt, jo të presidentit të tij në ikje!

Ai traget normal udhëtarësh i prishur në det të hapur, duket se është metafora më e mirë e mundshme e mandatit presidencial të Bamir Topit. I ngjitur në krye të shtetit me një procedurë të dyshimtë shit-blerjeje votash në parlament, Bamir Topi përshkoi në pesë vjet trajektoren tashmë klasike, fillimisht ngjitëse, e më zbritëse, që kanë përshkuar edhe të tjerë zyrtarë të lartë që fati i ka vendosur të qëndrojnë përballë kryeministrit Berisha.

I ulur në poltronin e presidentit me sharmin e një përfaqësuesi të maxhorancës, i cili ishte i ndryshëm nga Berisha, Bamir Topi do të vihej shpejt në bankën e të akuzuarit nga shumica qeveritare. Është e tepërt të bësh edhe një herë nga e para bilancin e kësaj marrëdhënieje traumatike, e cila ka qenë njëri ndër ngërçet e mëdha të viteve të fundit, së bashku me krizën e thellë politike mes maxhorancës dhe opozitës.

Profili presidencial i zotit Topi mund të përmblidhet më së miri në shprehjen e tij tashmë të famshme: Unë flas duke heshtur! Ai ishte pikërisht kështu; një zyrtar i lartë që më së shumti ka heshtur. Heshti kur parlamenti nuk i aprovonte në mënyrë të përsëritur dekretet, heshti kur Berisha e quajti “horr bulevardi”, heshti rregullisht kur shumë nga deputetët, ministrat apo edhe zyrtarë të tjerë më të ulët në gradë, e atakonin hapur dhe me fjalor shpesh banal e ironik, heshti kur vendi kalonte nga njëra krizë në tjetrën, duke mos gjetur drejtpeshim dhe paqe politike.

I bllokuar mes të shkuarës së tij partiake, presionit të skajshëm të maxhorancës dhe pamundësisë e vullnetit për t’u pozicionuar qartë në raport me zhvillime të caktuara, Bamir Topi dogji një pjesë të madhe të shanseve që ju ofruan për t’i dhënë peshë dhe gravitet postit të tij të lartë. Kësisoj pozita e tij erdhi e u mpak me kalimin e kohës dhe ai pranoi të dublohej e të pësojë gradualisht jo vetëm eklipsimin nga ana e Berishës, por edhe e Topallit. De facto ai e pranoi në heshtje statusin e zyrtarit “numër tre” të vendit, megjithëse ishte kryetari i shtetit.

Kjo qe ana e errët e një presidence, e cila nuk do të mbahet mend as për konsolidimin e institucioneve dhe të ligjit, e as për forcimin e sistemit të drejtësisë, i cili degradoi me kalimin e viteve, në një plagë të madhe endemike të shoqërisë shqiptare. Presidenti i pestë i pluralizmit shqiptar nuk është sigurisht kryetari më i mirë i shtetit që kemi pasur pas vitit 1990. Kjo është një e vërtetë e hidhur e presidencës Topi, ashtu siç e shohim sot, kur vetë Bamir Topi bëhet gati të dalë nga skena, ndoshta edhe pa mbajtur dot një fjalim lamtumire në 24 korrik.

Presidenti Topi do të jetë së shpejti një qytetar i zakonshëm i këtij vendi. Ai del nga Presidenca në momentin kur po i afrohemi gradualisht zgjedhjeve të përgjithshme dhe kur do t’i duhet të gjejë pa humbur kohë një vend në vitrinën politike. Deri më tani FRD, partia që ai pritet të drejtojë, ka qenë dukshëm një zyrë e hapur në pritje të shefit politik. Thuhet se zoti Topi do të ftohet të marrë kreun e partisë diku në fillim të shtatorit. Natyrisht ky do të jetë starti i parë i vërtetë drejt rikthimit në politikën e partive dhe të kulisave, pas qëndrimit pesëvjeçar “mbi re”. Një listë e gjatë vendimesh të mëdha e të vogla e presin ish-presidentin në timonin e forcës më të re politike.

Duhet një konsolidim i programit, një strategji elektorale, vijimi i krijimit të strukturës bazë të partisë, trajtimi i problemit delikat të aleancave para dhe pas elektorale, përzgjedhje e listës së kandidaturave me të cilat do të garojë në vitin e ardhshëm. A është Bamir Topi sfidanti që do të thyejë PD në fushën e meidanit elektoral të 2013? A i ka ruajtur ai të gjitha instiktet e vjetra të partiakut, a e ruan ende të paprekur fondin e tij publik, si një figurë e preferuar e thuajse të gjitha testimeve të opinionit publik gjatë viteve të fundit? Ja disa dilema që heshturazi brejnë nga brenda edhe ndjekësit më të afërt të Bamir Topit, në këtë aventurë politike me shumë të panjohur.

Një gjë duket e sigurtë, duke nisur nga 24 korriku. Tashmë Bamir Topit do t’i takojë tani të dalë vërtet në det të hapur. Jo në një traget ngarkuar me udhëtarë që afrohet ngadalë në port, por në një garë të vështirë për mbijetesën e tij politike. Në fund të mandatit të dytë qeverisës të Berishës, i ka rënë edhe Bamir Topit shansi dhe përgjegjësia historike, që të tentojë të thyejë hegjemoninë njezëtvjeçare të ish-komunistit, mbi të djathtën shqiptare. Shumë para Topit kanë dështuar në të shkuarën, në këtë sfidë, duke u rreshtuar edhe një herë krah Doktorit. A do t’ja dalë Presidenti në detyrë ta hedhë poshtë murin prej gome të ish-partisë së tij?!
/JAVA