Një krizë që duhet parë si shans

0
47

Nga Mero Baze, 17 Prill 2013

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkon drejt bllokimit. Opozita ka tërhequr dy anëtarët e saj dhe duket se është bërë gati për një betejë të fortë për të imponuar ose një KQZ legjitime siç e parashikon procedura e Kodit Zgjedhor, ose dështim të zgjedhjeve. Në mënyrë të beftë, Sali Berisha arriti të prodhojë një debat tërësisht kundër tij, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në politikën zyrtare të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Vendimi ekstrem i opozitës ka marrë miratimin në heshtje nga politika zyrtare e SHBA dhe BE, dhe Berisha ka mundur të mobilizojë kundër saj vetëm partiakë të së djathtës evropiane, të cilët operojnë thjeshtë si klientë të tij.

Por çfarë do të prodhojë kjo krizë dhe ku mund të shihet fundi i saj?

Në këtë spirale në të cilën po hyjnë zgjedhjet shqiptare, qartazi ato nuk do të prodhojnë një rrotacion paqësor pa probleme, por një krizë të fortë, e cila do të largojë Sali Berishën nga pushteti me një kosto të rëndë për Shqipërinë. Sali Berisha nuk ka shanse të bëjë asnjë hap prapa në veprimet e tij të ardhshme, dhe do të synojë të përsërisë një version të butë të vitit 1997. Ai do t’i shkojë deri në fund betejës për t’u shpallur fitues, për t’i detyruar palët të negociojnë krizën që ka prodhuar ai.

Ai nuk do të tërhiqet nga kontrolli mbi KQZ, jo vetëm se nuk do të duket i dobët, por mbi të gjitha se do një arsye për të shpjeguar ikjen e tij si komplot ndërkombëtar. Pas gjysmë alibisë që iu krijua nga bashkimi PS-LSI, ai tani kërkon një alibi më të madhe, betejën e Perëndimit kundër tij. Vetëm ajo betejë dhe izolimi i tij ndërkombëtar, i japin atij shansin të paraqitet para mbështetësve të vet si viktimë dhe të kthehet i lodhur në selinë e partisë së tij për të negociuar të ardhmen në politikën shqiptare si “viktimë e një komploti kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Ai po ikën nga historia jonë politike si një njeri meskin, i cili injoron çdo fat dhe identitet politik brenda PD-së dhe së djathtës shqiptare, duke iu imponuar të gjithëve fatin e tij. Dhe në grahmat e fundit të pushtetit, ai po poshtëron çdo personalitet brenda PD-së, duke i detyruar të përfshihen në çmendurinë e tij, dhe duke rrënuar kështu çdo trashëgimi politike në atë parti.

Efekti i dytë i kësaj krize, në të cilën po hyjmë, ka të bëjë me unifikimin e opozitës. Debati rreth bashkimit jotransparent PS-LSI, nga ky akt i Berishës fitoi legjitimitet dhe bën urgjente bashkimin e çdo faktori opozitar në një koalicion. Në rrethana të tilla, kur zgjedhjet po shkojnë drejt destabilizimit dhe Berisha po përgatitet për një betejë epike për t’i mbijetuar kësaj krize si viktimë komploti, është e rëndësishme që në Shqipëri nuk duhet të relativizohen zërat kundër tij.

Edhe pse shëmtia e kalimit të LSI në opozitë ishte një frakturë mbi vlerat opozitare, beteja e re që Berisha i imponoi demokracisë në Shqipëri, krijon nevojën e një bashkimi të ri përtej PS- LSI. Është mirë që secili të mos shikojë më kë ka në krah, por kë ka përballë. Përballë çdo vlere opozitare në Shqipëri sot është një forcë politike që po tenton të bllokojë rrotacionin duke prishur institucionin e zgjedhjeve, ndaj duhet doemos që të rishikohet çdo pozicion në lidhje me aleancat.

I kuptoj identitetet nacionaliste të Dules apo Spahiut, identitetin e djathtë të Topit dhe Ngjelës, por është urgjente që opozita të rigrupohet ose brenda një koalicioni, ose në nivel të një forumi opozitar, i cili të koordinojë si koalicionin opozitar, ashtu dhe faktorët e tjerë opozitarë që hezitojnë të përfshihen në koalicionet administrative elektorale. Një super aleancë opozitare ka rëndësi jo vetëm për një rezultat të thellë, por dhe shmangien e relativizimit të së keqes që i kërcënohet zgjedhjeve shqiptare.

Efekti i tretë ka të bëjë me post-krizën. Nëse ia dalim të prodhojmë një rrotacion pa kosto të madhe dhe një shumicë dërrmuese në Kuvend, duhet vënë në plan të parë një reformë kushtetuese për të kthyer normalitetin në institucionet e shtetit shqiptar, siç është sistemi zgjedhor, zgjedhja e presidentit dhe forcimi i institucioneve të pavarura, që Shqipëria të mos gjendet sërish në një udhëkryq të tillë, që e solli mbi të gjitha super-pushteti i Berishës, i prodhuar nga republika e re e vitit 2008.

Kjo krizë duhet parë si shans për të rikthyer normalitetin në demokracinë shqiptare dhe për të mos rilindur më as Berisha dhe as çdo i ngjashëm i tij.