Një kriter

0
24

Nga Mero Baze

Dje ishte 2 Prill. 20 vjet më parë në qytetin e Shkodrës qytetarë të zemëruar nga fitorja në zgjedhjet e para pluraliste të PPSH dolën në rrugë dhe nisën të protestojnë para Komitetit të Partisë së Rrethit. Protesta degradoi pak orë më vonë në dhunë, pas së cilës mbetën të vrarë katër djem të qytetit të Shkodrës, njëri prej tyre një udhëheqës i dashur politik për rininë studentore, Arben Broci. U dogjën ndërkohë dhe godina e Komitetit të Partisë, Degës së Brendshme dhe disa makina policie.

Gjyqi ndaj kësaj ngjarje ka qenë i menjëhershëm dhe ka arritur të fajësojë për vrasjen së paku katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, përfshi zëvendësministrat operacionalë të saj. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Gramoz Ruçi, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë në Tiranë, ka dëshmuar në gjyq në Shkodër, pasi ka dhënë dorëheqjeje në një situatë shumë të ngarkuar politike, por nuk është gjetur fajtor. Pra, rreth vrasjeve pati një gjykim dhe natyrisht një konspiracion. Gjykimi ishte ai që ishte, ndërsa konspiracioni bënte punën e vet, duke fajësuar dhe PD-në që ka përdorur këtë ngjarje për eliminime të brendshme, gjë që ngjan një marrëzi.

20 vjet më vonë Sali Berisha shkoi sërish në Shkodër. Akuzoi për vrasjen Ramiz Alinë e Gramoz Ruçin dhe theksoi se ëndrra e “dëshmorëve është realizuar”. Nuk dua të merrem me retorikën e tij për ëndrrat e atyre djemve, që u vranë duke protestuar të zemëruar, por di të them që 20 vjet më pas, më 21 Janar, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u vranë po katër qytetarë shqiptarë gjatë një demonstrate ku qytetarët e zemëruar sulmuan me gurë dhe shkopinj policinë. Dhuna ishte ku e ku më pak se ajo e 2 Prillit të vitit 1991.

Ndërsa më 2 Prill 1991, Ministri i Brendshëm ka qenë në momentin e vrasjes në Tiranë në një mbledhje me Ramiz Alinë, më 21 janar 2011, Ministri i Brendshëm ka qenë në një zyrë më Sali Berishën, por vetëm dhjetë metra larg demonstruesve, duke komanduar operacionin kundër tyre. Edhe sikur Sali Berisha mos ta banalizonte gjakun e Arben Brocit dhe tre të tjerëve dje më 2 Prill, duke theksuar se ëndrra e tyre u realizua, pra edhe nëse do ishte korrekt me dëshmorët e 2 Prillit, ai nuk është korrekt me historinë dhe kriteret që përdor për të.

Ai dhe Lulëzim Basha me këtë kriter janë vrasësit direkt të katër qytetarëve shqiptarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit më 21 Janar. Edhe ata qytetarë njësoj si ata më 2 Prill 1991 në Shkodër protestuan për vjedhjen e zgjedhjeve, por dhe për vjedhjen e xhepave të tyre nga ciklopët e pangopur, që strehohen në shpellën e Sali Berishës, me bllok në dorë, duke numëruar paratë. Pra, njësoj si më 2 prill 1991, katër qytetarë u vranë për votën e lirë dhe për liritë e tyre të tjera të dhunuara.

Ministri i Brendshëm dhe kryeministri nuk kanë dhënë dorëheqje pas kësaj, dhe janë mburrur se kanë drejtuar vrasjet nga zyra. Më tepër akoma, jo vetëm që nuk i kanë shpallur akoma dëshmorë ata qytetarë dinjitozë që dhanë gjakun për liritë tona, por një prej banditëve për të cilin po digjet Shqipëria, i ka quajtur dhe kokëpalarë. Kjo hipokrizi e madhe me historinë dhe bilancin e saj, është e tepërt më 2 Prill. Berisha duhet të bëjë së paku për 21 Janarin një proces aq të mangët sa i 2 prillit 1991, të burgosë së paku katër zyrtarë të lartë të policisë siç u burgosën atëherë, dhe pastaj të krahasojë veten me Ramiz Alinë dhe Lulëzim Bashën me Gramoz Ruçin.

Fatkeqësisht Basha është sot në pozita shumë më të këqija mbrojtëse nga sa ishte Gramoz Ruçi më 1991 dhe Berisha shumë më i implikuar në këtë vrasje nga sa ishte pushteti kufomë i Ramiz Alisë në vitin 1991. Ai kujton se mbrohet duke krahasuar hierarkitë e dy vrasjeve të ngjashme politike. Në të vërtetë vetëakuzohen. Dy të parët janë gjykuar mirë apo keq, dhe kanë marrë pafajësinë në gjyq, ai dhe Lulëzim Basha kanë 6 vite që i fshihen drejtësisë për gjithë krimet që bëjnë bashkë, që nga vjedhjet në Kalimash, nga shitja e ujërave të detit Greqisë deri tek vrasjet më 21 janar.

Dhe e frikshme është se Berisha mendon që duke marrë përsipër dosjet e Lulëzim Bashës, i ka dhënë atij imunitet të përjetshëm për të mos u gjykuar, por vetëm për tu akuzuar. Por meqë jemi tek Gramoz Ruçi dhe Ramiz Alia, Sali Berisha është mirë të shkojë tek standardi i tyre. Të gjykohet bashkë ‘dhëndrin e ri në politikë’, për këto katër vrasje dhe të çojë në burg gjithë hierarkinë komanduese të asaj dite. Pastaj ne jemi të lirë të themi kush janë vrasësit e 2 Prillit dhe kush të 21 Janarit.