Një krahasim për “hir” të një anekdote, të Tagore!

0
20

Senad Kryeziu

Poetët duhet të jenë të vetëdijshëm për gjuhën e yjeve, për gjuhën e luleve… – na e thote terthorazi, pothuaj si aluzion, Tagore. Mbase ata dhe janë të vetëdijshëm, sigurisht që janë, por dhe shpesh “rëndohen” me gjëra më të rënda sesa mund t’i mbajnë, ata mëtojnë ta kapërthejnë ama secilën gjë… e natyrisht, për disa gjëra dhe ata vetë janë të vegjël, aq shumë të vegjël.

Ironikisht, në botën reale-fizike thneglat mud të bartin pesha disa herë më të mëdha, proporcionalisht me peshën e trupit të tyre. Është interesante, është si fakt “magjepsës” dhe për vetë shkencën, për kalkulimet dhe ligjet e fizikës që p.sh. një lloj insekti (emrin nuk ia di tani, natyrisht – por një lloj brumbulli 😉 mund të bartë peshën 850 deri 1000 herë më të madhe se pesha e trupit të vet.
Por dihet… madje as luanët, tigrat, arinjtë etj dhe as njeriu nuk mund të çojnë pezull pesha më të mëdha se 10 x në proporcion me vetë peshën e tyre trupore.

Si është e mundur kjo, si mund të bartet pesha 1000 x më e madhe se pesha e trupit “amë”, dhe si shpjegohet ky fenomen (mbase fizika dhe ia del ta shpjegojë me numra e shifra, por le ta quaj fenomen, sepse dhe është pakashumë i tillë, qyshkur nuk është fjala për “thnegla atomike”, për ndonjë vizatimor të Walt Disney apo për ndonjë sci-fi marrëzi)?!

Përafërsisht diç e ngjashme (ndoshta) është dhe me “bagazhin emocional, ndjesor… me ato duqet e ndjesisë, hejbet metafizike” në kurriz të poetëve, shumë nga ta, si “kryeneçër të pandreqshëm” nisen dhe shtyjnë tek ashtu madje, një gur “sizifi” faqes së bjeshkës – se përse duhet ai “gur i rende” atje në majë ndoshta askush nuk e di (sa për brumbujt, e ka kush idenë përse stërmundohen ashtu kot?!)… Por poetët dhe janë ashtu siç u morëm vesh – veç e thamë këtë – tamam si ato thneglat e brumbujt e çuditshëm!

Ja po i rendis dy-tri thënie të cilat e pasqyrojnë sado-kudo “problematikën” më lart, ose së paku flasin qartë për “kryeneçësinë” e poetëve 😉

– Ti i sheh gjërat dhe pyet “Përse?”. Unë i ëndërroj gjërat të cilat kurrë s’kanë qenë, dhe pyes “Përse jo?” (George B. Shaw)

– Kreativiteti është… të shohësh diç që ende nuk ekziston. Ti duhet ta gjesh mënyrën se si të rezultojë ekzistenca e asaj që sheh… dhe kështu duke u bërë bashkëlojtar i Zotit. (Michele Shea)

– Çlirimi nëpërmjet fjalës: Nga jashtë ta hapësh derën e burgut ku ndodhesh i ngujuar. (Sybren Polet)

– A habitej se si B shkruante për dashurinë pa qenë vetë e dashuruar. B iu përgjigj – Unë shkruaj për vdekjen po ashtu, pa qenë e vdekur fare. (Cees Buddingh’)

– dhe poetët – thotë Whitman – “gjykojnë si një diell që bie përreth gjithçkaje dhe që djegë e shkrumon pamëshirshëm gjithçka” (Walt Whitman)

(anekdota më poshtë i përshkruhet Rabindranat Tagore – përveç tjerash, e njëjta flet dhe për faktin që poetët janë të vetëdijshëm sa i përket vogëlsisë së tyre – është postuar nga Eqrem Kryeziu në formën e një grafike… thjesht po e ndajë dhe me ju)

Tagore – Kur poeti ua lexoi vargjet e veta njerëzve të ditur e të shquar në Pallatin mbretëror, oborrtarët dhe dijetarët e duartrokiten me zjarr, kurse Princi e kurorëzoi me një varg margaritarësh.
Dalëngadalë dita kridhej në errësirën e natës, ndërkaq poeti, duke u kthyer në shtëpi rrugëve të qytetit, të cilat brohoritnin emrin e tij, pa në një dritare një nuse sesi rrinte e qetë pranë një çampaku me lulet e verdha, të hapura. Poeti psherëtiu dhe tha me vete:
“Jo, kjo nuk bën për mua. Dashuria ime vrapon ta shfaq adhurimin e vet në shkëlqimin verbues të pallateve, mirëpo forca e saj është e dobët, dhe gjithmonë i them vetes se pse nuk jam si pylli që zemrën e vet ua hap luleve, si ylli që flet me gjuhën e flakës”!