Një konflikt i paralajmëruar për llogari të Berishës

0
36

Nga Mero Baze

Dy vjet më parë, gjatë festimeve për 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kritikat kryesore ndaj Berishës ishin drejtuar në dy pika: E para, që e përdori 100- vjetorin e Pavarësisë për të lartësuar përtej meritave figurën e Mbretit Zog, duke eklipsuar Babanë e Pavarësisë, Ismail Bej Vlorën, dhe e dyta, duke tentuar të dukej demontues i simboleve që i kujtonin Shqipërisë fashizmin, duke hyrë kështu në një konflikt ideologjik rreth qëndrimeve ndaj Luftës së Dytë Botërore.

Të gjithë kritikët e Berishës, përfshi gazetën Tema dhe disa komente të mijat, kritikuan Berishën se po prodhonte një situatë provokative, që do t’i hapte rrugën rikthimit të Enver Hoxhës dhe simboleve ekstreme të komunizmit në Shqipëri, për shkak të arrogancës me të cilën ai e promovonte Mbretin Zog, një figurë ende jo pajtuese për gjithë shqiptarët, që padyshim ka vendin e vet në histori.

Sali Berisha e bëri si për t’u mbushur mendjen të gjithëve se i kishte gjithë gjërat në dorë. Vendosi shtatoren e Ahmet Zogut, i hoqi emrin vulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe i vuri gjysmës emrin e tij, vuri përfund rrugës ku mbaron bulevardi “Zogu i Parë” një bust të shëmtuar të Hasan Prishtinës, kundërshtarit të tij më të egër,  injoroi Luigj Gurakuqin, viktimën e tij dhe kundërshtar ideologjik të Zogut, që ishin dënuar me vdekje prej tij, vetëm që të dukej si pasardhës Mbreti.

Më tej prodhoi dhe skandalin me rrugën “Ibrahim Rugova”. Lideri historik i Kosovës e kishte një emër rruge në Tiranë, vendosur nga koha kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Siç ndodh rëndom me Berishën dhe PD, që janë parti pa memorie, as që e dinin fare këtë fakt, por shkuan e hoqën emrin e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, për t’i vënë emrin një rruge të dytë “Ibrahim Rugova”.

Kur ne botuam hartën që rruga ekzistonte, atëherë e korrigjuan duke ia hequr asaj rruge emrin dhe duke ia lënë rrugës që vendosën, jo aq shumë për Rugovën, por më shumë për të provokuar të majtën me zhdukjen e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Provokimi bëhej dhe më i plotë pasi 4 Shkurti ka hyrë në memorien e Tiranës si një masakër mbi qytetarë, shumica të pafajshëm dhe të paimplikuar, si hakmarrje ndaj një atentati mbi milicinë fashiste nga guerilasit komunistë të Tiranës. Ai që urdhëroi vrasjet ishte Xhafer Deva, një figurë po ashtu e komplikuar e kombit shqiptar, një ushtarak fatkeqësisht i shkëlqyer si nazist, me lidhje direkte me Hitlerin, që shërbeu më shumë për të ngjallur anti-kosovarizmin në Shqipëri se sa për të ngjallur nacionalizmin që pretendonte.

Pikërisht zëvendësimi i emrit që mbante gjallë masakrën e një kosovari në Tiranë, me emrin e  shqiptarit më paqësor në historinë e këtij kombi, ngjante provokim i dyfishtë dhe për Tiranën, dhe për vetë Rugovën, që është sinonimi i pacifizimit në historinë tonë të re.

Të gjitha këto Berisha i bëri me arrogancë, me vetëdije që po provokonte, me idenë se ata që e kundërshtonin ishin të pafuqishëm ta ndalnin, dhe mbi të gjitha me prapamendimin se po prodhonte një prapavijë historike për ëndrrën e tij për të sunduar, duke u identifikuar me figura historike si Zogu apo Rugova.

Në fakt nuk bëri asgjë, vetëm atë për të cilën e paralajmëruam të gjithë. Sot Ilir Meta rihapi një debat të gjerë historik në vend rreth mënyrës se si do të përkujtohet 70- vjetori i fitores së Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri, e cila për Shqipërinë është fat pasi e rreshtoi me koalicionin antifashist, por për shqiptarët më pas u identifikua me komunizmin, që na futi në listën e kombeve të robëruara. Për ta bërë dhe më politike situatën, LSI e ka nisëm të saj axhendën përkujtimore të 70- vjetorit.

Rikthimi i këtij debati në këtë 70- vjetor nuk është asgjë më tepër se sa kthim resto i provokimit që Berisha prodhoi për hesap të vet dhe karriges së tij dy vjet më parë në 100- vjetorin e Pavarësisë, kur në mënyrë tërësisht personale, pa një linjë shtetërore dhe një frymë pajtuese kombëtare, ngrinte figura të diskutueshme dhe linte në hije njerëzit që bënë këtë komb.

Tashmë e majta ekstreme  shqiptare është në të drejtën e saj të kërkojë në 70- vjetorin e fitores në Luftën Nacionalçlirimtare, heqjen e Ahmet Zogut, si njeri që nuk i rezistoi pushtimit, ose vlerësim specifik për meritat e Enver Hoxhës për luftën, si dhe një simetri ndaj Zogut dhe Enver Hoxhës, pasi janë të dyja figura që ndajnë shqiptarët, dhe më tej akoma rikthimin e disa shenjave që kanë stampuar gjurmët e fashizmit në Shqipëri dhe rezistencën tonë, qoftë dhe simbolike. Është një problem që ka filluar dy vjet më parë, kur Berisha prodhoi precedentë që i hapin tashmë rrugë këtij debati, i cili edhe pa arrogancën e së majtës zyrtare, është boll ndarës brenda shoqërisë.