TemA, 27 Korrik 2013
Një kompani private e përzgjedhur nga qeveria në ikje, do të përfitojë 39 euro për çdo zhdoganim të subjekteve me vlerë mbi 1 mijë euro.
Qeveria në ikje miratoi një koncesion që ia jep skanimin e kontenierëve në dogana një kompanie me emrin ‘S2 Albania’.
Ky shërbim do të jetë si monopol, ndërsa ligji detyron me forcë tregtarët dhe individët të paguajnë tarifën, edhe atëherë kur nuk e marrin shërbimin.
Sipas statistikave të qeverisë, në vit bëhen rreth 320 mijë deklarata doganore dhe po t’i shumëzosh me këtë vlerë, rezulton se kjo kompani fiton 12. 480. 000 euro në vit.
Kodi doganor i kufizon doganat të mos skanojnë më shumë se 12 për qind të kontenierëve. Por, Qeveria e ka vendosur tarifën mbi të gjithë, edhe për ata që nuk skanohen. Madje, përmes një manovre tjetër ligjore, tregu është zgjeruar edhe më shumë.
Fillimisht, kur ligji kaloi në Parlament, përcaktohej se tarifa do të paguhej nga kontenierët dhe automjetet e tjera në doganë. Por, në kontratën koncesionare kjo është ndryshuar dhe detyrimi është vendosur mbi deklaratat doganore. Përmes këtij ndryshimi, të ardhurat e privatit rriten me disa herë, sepse një kamion mund të ketë deri në 20 e madje më shumë deklarata njëherësh.
Si rezultat, në shumë raste, koncesioni prodhon edhe paradokse, duke bërë që tarifa e arkëtuar nga privati të jetë disa herë më e lartë se taksat që merr shteti. Sipas Ministrisë së Financave, nga ky koncesion privati do përfitojë 12.5 milionë euro në vit.
Por, disa ekspertë thonë se kostoja do të jetë shumë më e lartë, deri në 20 milionë euro në vit.
Koncesioni është dhënë për 15 vite dhe kompania fiton 187. 200. 000 euro.
Dhoma e Tregtisë kundërshton me forcë koncesionin për skanimin e kontenierëve në dogana. duke e cilësuar atë si të dyshimtë dhe jotransparent.
“Dhoma është shprehur kundër koncesionit që në fazat e para. Realisht ishte një mungesë e transparencës, sidomos për sipërmarrjen shqiptare për ta bërë të qartë se cilat janë tarifat, cili është shërbimi që sipërmarrja merr dhe njëkohësisht, cilat janë kostot“, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë. Nikolin Jaka.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë. Nikolin Jaka. thotë se këto janë kontrata “që cenojnë konkurrueshmërinë”.
“Realisht një qeveri 8-vjeçare, i ka bërë këta ministra të mendonin më mirë mbase për të ardhmen e tyre, por që është për t’u diskutuar dhe për t’u bërë transparente procedura e dhënë lidhur me shërbimet që kanë qenë në dispozicion të administratës publike“, thotë Jaka./ TemA/TCH/