Nga Mero Baze
Lulëzim Basha po shkon i qetë drejt humbjes së mandatit për kryetar bashkie të Tiranës pasi ka mundur të sigurojë një sasi votash, të cilat duhen marrë në konsideratë. Për mbështetësit e tij, dhe sidomos për autorët e projektit politik për të avancuar Bashën në krye të PD-së, Lulëzim Basha e ka pasur garën me rivalët brenda PD-së dhe jo me Edi Ramën. Dhe nëse garën me Ramën mund ta humbasë numerikisht, garën brenda partisë e ka fituar.
Por a është reale kjo fitore?
Nëse ka një projekt të montuar politik nga A-ja tek ZH-ja, është projekti që mund të quhet Lulëzim Basha. Në gjithë karrierën e tij politike, ai është njeriu që asnjëherë nuk ka marrë vendime për veten e vet, por gjithmonë është përdorur në funksion të një projekti. Fillimisht ai hyri “kollovar” në PD përmes vajzës së Sali Berishës për tu katapultuar më ministritë më të rëndësishme të pushtetit të Berishës pas vitit 2005, të cilat konsoliduan bizneset e tij dhe të familjes Berisha.
Në gjithë aksidentet që i ndodhën në këtë rrugë, ai asnjëherë nuk pati fuqi as të mbrohej dhe as të luftonte me vullnetin e tij. E pashembullt do të mbetet beteja e tij për të mos hequr imunitetin kur prokuroria ngriti akuzën, derisa Berisha i dha lejen të hiqte atë. Po ashtu ai nuk pati kurajën që personalisht të mbrohej në gjykatë, por nën presionin e pushtetit të Berishës e mbylli gjykimin me procedurë duke mbetur përjetësisht ministër në kërkim për vjedhje të 200 milionë eurove.
Megjithëse Berisha ngulte këmbë se Basha i duhej për Rrugën e Kombit ndaj nuk po e kandidonte në Bashki, një muaj pas zgjedhjeve të vitit 2007 Berisha e hoqi dhe e çoi tek Ministria e Jashtme dhe Basha pranoi sikur nuk kishte ndodhur asgjë. E njëjta histori përdorimi vazhdoi dhe pas rimarrjes së dyshimtë të pushtetit në vitin 2009 në Ministrinë e Brendshme. Kulmi i përdorimit të tij politik është 21 Janari, ku nën përgjegjësinë e tij janë vrarë katër qytetarë dhe kanë mbetur 10 fëmijë jetimë, dhe ai nuk guxon ende të përballet me drejtësinë.
Si për të vënë pikat mbi ‘i’, Basha kandidoi për Bashkinë e Tiranës dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë ai konsolidoi traditën e një fushatë tërësisht të montuar. Me një luks të pashembullt financiar, ai arriti që për një muaj të mos bëjë asnjë takim direkt me popullin, por vetëm të xhirojë në shesh- xhirime takime me publik të përzgjedhur dhe të shpalosë ide skolareske të ofruara nga njerëzit e marrëdhënieve publike. Ai bëri gjithë fushatën betejë kundër transparencës së fushatës së tij dhe kundër ligjit për radiotelevizionin publik. Fushata duket se ishte ilustrim i procesit të manipulimit industrial që i ishte bërë listës votuese në Tiranë me rreth 25 mijë importe demokratësh nga gjithë Shqipëria dhe jashtë saj, për të përmbysur rezultatin në Tiranë.
Pa asnjë ide konkrete, me një fushatë të montuar, me një infrastrukturë të montuar zgjedhjesh, ai iu përdor vetëm si kukull ilustruese e një rezultati që në fakt rrezikoi seriozisht në mënyrë artificiale verdiktin real të kryeqytetit. Falë vullnetit politik për të votuar opozitën, Edi Rama është sot fitimtar numerik i fushatës dhe mposhtës i paepur i një koalicioni të lig anti-opozitar, drejtuar nga tri kryeministrat më të korruptuar të historisë 20 vjeçare të Shqipërisë, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Ilir Metës.
Lulëzim Basha ishte kukulla që u përdor përmes një fushate të montuar dhe artificiale si ilustrues i një rezultati industrial që Berisha e kishte përgatitur më parë përmes krijimit të një trupe votuese që prodhonte një rezultat artificial. Edhe pse Rama është rritur ndjeshëm nga viti 2007 dhe 2009, llogaritë e Berishës janë të tilla që e ka çuar rezultatin shumë afër barazimit përmes mekanizmit të ndërhyrjes në infrastrukturë të zgjedhjeve dhe në fushatën e pandershme të dhunimit polik të administratës si dhe urës ajrore Shqipëri- Itali apo turizmit elektoral Kosovë- Shqipëri. Ky rezultat edhe pse nuk shërbeu për të mundur Edi Ramën, do të shërbejë për të vazhduar projektin politik të kollovarit Basha brenda Partisë Demokratike. Me këtë rezultat fallco, me këtë mbështetje fallco në Tiranë, ai do të dominojë tani drejtimin e PD-së pas humbjes katastrofike të Berishës.
Edhe pse Berisha do të rrijë formalisht kryetar i PD-së deri pas humbjes së radhës pranverën që vjen, Basha në të vërtetë prej nesër fillon rolin e tij të ri si drejtues de facto i PD-së. E gjithë fushata e tij elektorale, duke qenë fallco dhe e montuar, nuk ka pasur praninë e strukturave të PD-së apo drejtuesve të tjerë të saj. Në zyrën e Lulëzim Bashës ishin tre tavolina, dy prej të cilave i përkisnin Shkëlzen Berishës dhe kunatit tjetër të Lulëzim Bashës. Pra, ai hyri dhe doli nga kjo fushatë si projekt i Familjes Berisha, si njeriu që do t’i delegohet pushteti i vajzës dhe djalit të monarkut të PD-së.
Pra, e gjitha çfarë mund të themi është se ashtu si në fushatë elektorale, ashtu si në karrierën e tij politike, ashtu si në rezultatin e tij, ashtu dhe në të ardhmen e tij politike nuk do të ketë asgjë origjinale, asgjë të vetën, asgjë nga çfarë i duhet një njeriu për të qenë lider. Lulëzim Basha është një lider figurant, dhe i tillë do të vazhdojë derisa roli i tij të bëhet i padobishëm, pasi nuk do të jetë më në pushtet partia që duan të mbajnë si pronë private Berishët. “Kollovarizmi” politik i Lulëzim Bashës është një mekanizëm tranzicioni për të kaluar pushtetin nga Sali Berisha tek fëmijët e tij, por nuk është një mekanizëm që mban në pushtet realisht këtë parti me këto manovra. Ai thjesht nuk ka fuqi të marrë vendime për vetveten dhe ka zgjedhur të bëjë si një kollovar i bindur liderin figurant me të cilin Berishët mendojnë se mund të maskojnë vjetërsinë e tyre.







