Një Kishë që prishet për “pajën” e Zonjës së Parë

1
45

Nga Mero Baze

Ndodhi ajo që prisnim. Edhe pse parlamenti votoi me konsesus të plotë Visar Zhitin, edhe pse Kisha Katolike nuk hyri në lojën e pistë ku desh ta fuste Klani i Berishës për interesa banale, Bujar Nishani pranoi publikisht se nuk do ta dekretojë Visar Zhitin për ambasador. Por, meqë arsyet proceduriale i ranë dhe po ashtu dhe përdorimi i Kishës, ai shpiku se Visar Zhiti ka përmendur diku inkuizicionin, si një term që dëmton imazhin e Kishës.

Ky në fakt është një argument që të lë pa fjalë, jo vetëm për injorancën e atij që na kanë bërë peshqesh si president, por dhe për pafytyrësinë e një njeriu, që është si një zog i trembur para Sandrit dhe Berishës, dhe bën si luan për të mos emëruar ambasador një intelektual dhe shkrimtar shqiptar që i bën nder këtij vendi edhe si qytetar i thjeshtë.

Isha i qartë qysh në fillim të këtij debati që problemi qëndronte tek interesat e ndërlidhura mes Frangajt, Nishanit dhe Berishës, dhe para kësaj nyje gardiane të mafias nuk pijnë ujë argumentat, madje as vendimet konsesuale të parlamentit.

Por sot, Bujar Nishanit i ndodhi diçka e rrallë, nga ato faktet që t’i dërgon Zoti në ditën e duhur për të treguar sa hipokrit je. Në kohën që ai fliste se nuk e dekretonte Visar Zhitin se kishte përmendur diku inkuizicionin e Kishës, Kisha Katolike në Elbasan u dënua të prishej me një vendim të Gjykatës së Elbasanit, që varet tërësisht nga Bujar Nishani. Deklarata e përbashkët e gjithë komuniteteve fetare ka guxuar të prekë dhe thelbin e çështjes, dhe ai ka të bëjë me familjen Karaosmani, trashëgimtare e së cilës është Odeta Nishani, Zonja e Parë e vendit. Kjo zonjë, që ka marrë çdo pronë të Karaosmanëve që nga Perandoria Osmane, edhe pse kanë qenë objekte publike në disa raste, tani ka arritur kulmin e suksesit në pushtetin e saj. Ka marrë tokën ku është ndërtuar Kisha Katolike në Elbasan, nën pretendimin se është e familjes Karaosmani, dhe ka urdhëruar shembjen e Kishës.

Gjesti është i pashembullt, ndërsa konflikti i interesit shkon deri tek konflikti fetar në Shqipëri. Pas vitit 1967, kur brezi i Berishës dhe Tritan Shehut iu turrën kishave dhe xhamive për t’i prishur, ky është akti më i rëndë i një shtetari të lartë shqiptar që përdor pushtetin politik për të shembur një Kishë dhe për t’ia kthyer si pajë gruas së tij. Fakti që komunitetet fetare e kanë përmendur këtë dhe në deklaratë, do të thotë se ato shikojnë pas këtij akti presidentin e Republikës, çka përbën një përballje direkte mes shtetit dhe fesë për një interes tërësisht banal, për një copë tokë më shumë që i duhet gruas së tij.

Sikur zonja në fjalë të ishte vërtetë Zonjë e Parë, siç duhet të jetë një e tillë në këtë vend, me aq shumë prona sa ka marrë, mund të merrte një copë tokë nga Karaosmanët, që duken nga gjenealogjia e mbiemrit që s’kanë qenë aq zemërbardhë, dhe t’ia falte Kishës Katolike për ndërtim. Natyrisht që kërkoj shumë kur e them këtë, por jam i justifikuar se e pranova sikur të ishte Zonjë e Parë. Në fakt ajo është një njeri i rëndomtë i këtij vendi, që për të mos humbur vendin e punës në bankë, vuri burrin të mbronte guvernatorin që i kishin humbur 7 milion dollarë dhe për të marrë një copë tokë më shumë, prish dhe Kishën e vetme Katolike në Elbasan. Dhe turpi është që prapë duhet ta quash Zonjë të Parë.

Gjesti i presidentit dhe ndikimi i tij tek gjykata është lexuar qartë nga komunitetet fetare dhe Kisha Katolike në veçanti, dhe në këtë pikë dëmi është bërë. Shteti shqiptar i keqpërdorur për interesa private, ka humbur kufirin e laicitetit dhe është përfshirë në konflikt interesi me Kishën Katolike, për ta zbuar nga trualli ku është ndërtuar.

Këtë e ka bërë presidenti, i cili thotë se nuk e dekreton Visar Zhitin se ka përmendur inkuizicionin e Kishës në Mesjetë. Jam shumë kurioz kush ia ka thënë këtë gjë, se presidenti ynë, përveç historisë së PPSH-së dhe rregullores së pushkës model 56, nuk duket se ka lexuar ndonjë libër tjetër në këtë jetë. Por, dhe sikur t’ia kenë lexuar apo keqlexuar, ai sot ka një problem serioz me veten e vet, pasi është inkuizitori më i madh i Kishës Katolike, pas Enver Hoxhës, pasi është i vetmi pas tij që po prish një Kishë për t’ia dhënë tokën gruas. Enver Hoxha i prishi si komunist, po i bëri Vatra Kulture, nuk ia dha Nexhmijes.

Për ta mbyllur këtë histori të turpshme që njollos shtetin shqiptar, kryeministri i vendit duhet të ndërmarrë nisma ligjore për mosprishjen e Kishës dhe për kompesimin e gruas së Bujar Nishanit, si gjithë qytetarët e tjerë që kanë probleme me pronat e zëna nga objekte me rëndësi publike. Vetëm Bujar Nishani dhe Sali Berisha kanë prishur objekte publike për t’i kthyer prona vetes. Berisha prishi klubin Partizani për t’i dhënë dhëndërit tokën dhe ky po prish Kishën për t’i dhënë gruas tokën. Kryeministri nuk duhet ta lejojë me asnjë çmim. Laiciteti i shtetit shqiptar dhe mospërzierja në punën e fesë është një parim jo vetëm kushtetues, por një garantues i sigurisë kombëtare.

Presidenti që duhet të garantojë sigurinë kombëtare, është minuesi më i madh i saj. Nuk kemi ç’ti bëjmë, se na e ka lënë mallkim Sali Berisha. Po faktit që nuk kemi ç’ti bëjmë, nuk do të thotë se nuk kemi çfarë të bëjmë me dëshirat e tij banale, që turpërojnë dhe rrezikojnë shoqërinë tonë. Thjesht duhet ta trajtojmë si njeri me aftësi të kufizuara për të qenë president, dhe duhet izoluar. Dhe akti i parë është që Kisha Katolike të qetësohet duke u garantuar që nuk do të luajë kurrë prej andej. Pastaj Bujar Nishani le të mbajë një fjalim tjetër se kush është inkuizitor i Kishës.

1 COMMENT

  1. JO zotni Mero Baze, nuk asht e vertete se “… se Visar Zhiti ka përmendur diku inkuizicionin, si një term që dëmton imazhin e Kishës….”

    Visar Zhiti tha per Kishen Katolike Shqiptare se asht FONDAMENTALISTE.

    Visar Zhiti ka shkele gjakun e sa martirve dhe sa intelektualve shqiptar. Te mos kishte kene Kisha Katolike Shqiptare as gjuhe e as histori e as alfabet e as Shqipni s’do t’kishte pase sot as per shqiptart e Shqipnise e aqe ma pak per ju te Kosoves. Kisha Shqiptare e Shqipnise asht URA e Shqipnise me Europen. Kleri katolik i Shqipnise ka kene qyshe ne kohen e Gjegj Kastriotit krah popullit kundra turqve, kundra sllaveve dhe ne shekullin e XX kundra komunizmit ne dallim me klerin musliman prej te cilit dalin sot fondamentalistat kriminela. Sikur 1% te kontributit te klerit katolik ti kishte dhane Shqipnise kleri musliman, sot Shqipnia nuk do te ishte keshtu dhe as qe nuk do te ishte antare e Konferences se Vendeve Islamike per te cilen nuk po bazne kerkush sot. Kleri Katolik i Shqipnise nuk asht si ata hoxhallart qe nisen rinine inkoshjente shqiptare (edhe ate ne Kosove) me iu bashkue fondamentalistave te kalifatit Islamik ISIS qe po bajne krime te tmerrshme me premje kokash e me djegie gjalle njerzish e me perdhunime grashe e femish. Un s’dij si ka ftyre Visar Zhiti te vazhdoje kete farse dhe nuk terhiqet nga ky karamuzllek ku e kan fute ata qe dje e burgosen dhe tash po e perdorin dhe e shtryllin si limon per qellimet e tyne te pista antishqiptare, antikatolike, antikristjane, e pse jo edhe antieuropiane te mshefta afro-aziatike.

Comments are closed.