Një Kishë,… po jo ku të mallkohet Shqipëria!

0
35

Nga Mero Baze, 19 Gusht 2013

Konflikti mbi pronësinë e Kishës Ortodokse në Përmet, është një skaner i problemeve tipike shqiptare të pronësisë, i cili po degradon në konflikt fetar dhe pak më tej, në ndasi fetare. Është historia e një toke, një pjesë e së cilës ka qenë Kishë deri në vitin 1967, kur feja u ndalua dhe në krah të saj, përfshi edhe tokën e Kishës, u ndërtua një Pallat Kulture.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pas një konflikti të gjatë mes Bashkisë dhe Kishës, i ka dhënë para disa vitesh të drejt Bashkisë, duke arsyetuar se pjesa që Pallati i Kulturës ka zënë nga ish- toka e Kishës, është shumë e vogël dhe nuk justifikon prishjen e Pallatit të Kulturës.

Ndërkohë që çështja gjykohej dhe u përfundua së gjykuari, Kisha kishte filluar të rikthente Pallatin e Kulturës në Kishë dhe po avanconte në punime, natyrisht pa leje.

Tri ditë më parë një zyrë përmbarimore private, liroi mjediset e Pallatit të Kulturës nga Kisha e improvizuar, ndërsa sot dy autobusë të sjellë nga Gjirokastra, së bashku me disa priftërinj, ripushtuan mjediset e Kishës me dhunë, duke qëlluar mbi forcat e sigurisë.

Kjo është kronika e shkurtuar e kësaj historie, e cila tani nuk është më një kronikë e thjeshtë pronësie. Në mënyrë të paprecedentë për zbatimin e vendimit të Gjykatës reagoi Ministria e Jashtme greke dhe më pas gjithë hierarkia e Kishës Ortodokse të Kryepeshkopit Janullatos.

Të hysh mes këtij konflikti tani je i penalizuar, këdo palë që të mbrosh. Por, në të vërtetë ky është një konflikt i mprehtë, që kërkon zgjidhje dhe zgjidhja mund të jetë vetëm politike.

Së pari, duhet të pranojmë se në sheshin qendror të Përmetit ka pasur një Kishë që e ka prishur regjimi komunist dhe besimtarët kanë të drejtën e tyre ta kenë atë Kishë. Ky duhet të jetë një objektiv i pandryshueshëm. Edhe nga pikëpamja kulturore, edhe nga pikëpmaja historike, por dhe politike, ne duhet të jemi në favor të kompesimit dhe ringjalljes së kulteve fetare. Vetë Bashkia e Përmetit duhet të jetë më pak ateiste dhe më shumë e prirur të shikoj komunitete fetare si aleatë të saj në ndikimin që kanë mbi shoqërinë.

Së dyti, vendimi i Gjykatës së Lartë është i detyrueshëm për zbatim dhe kush refuzon zbatimin e vendimeve të gjykatave, duhet të ndëshkohet sipas ligjit, qofshin këta dhe priftërinj. Gjestet e dhunës mbi punonjësit e sigurisë dhe ligjit, janë tërësisht të dënueshme dhe jo propocionale në raport me urgjencën e këtij problemi.

Në këto kushte mendoj se rruga që na çon drejt zhdukjes së konfliktit fetar ku po e degradojnë qarqe ekstremiste ortodokse këtë situatë, është që përcaktohen palët në konflikt dhe qeveria të ndërhyjë të zgjidhë problemin. Palët në konflikt aktualisht janë Kisha Ortodokse me Bashkinë e Përmetit, që ka pronësinë mbi Pallatin e Kulturës. Zgjidhja e vetme ligjore është që Kisha të tërhiqet nga dhuna mbi forcat e sigurisë dhe zbatimit të ligjit dhe të pranojë zbatimin e vendimit të gjykatës, por të mos heq dorë nga lufta e saj për territorin e Kishës.

Pas kësaj qeveria shqiptare, përmes një vendimi të posaçëm t’i njohë Kishës pronësinë ekzakte mbi teritorin që ka pasur dhe të japë leje ndërtimi të një Kishe. E drejta nuk është qind për qind në anën e askujt dhe instrumentalizmi që po i bëhet çështjes vjen më shumë nga elementë ekstremistë të Kishës Ortodokse, por dhe nga ateistë që mallëngjehen më shumë nga viti 1967, se sa nga nevoja për një harmoni fetare dhe paqe sociale.

Në Përmet nuk ka prirje apo ndjeshmëri kundër Kishës dhe është i pajustifikuar trajtimi i këtij konflikti ligjor si konflikt fetar, biles dhe etnik, pasi po reagon Ministria e Jashtme greke. Vetë Shqipëria megjithë problemet që ka është një vend me liri të plotë fetare, dhe askush nuk është i privuar për shkak të besimit të tij.

Pra, zgjidhja ligjore është që palët të tërhiqen nga dhuna dhe zaptimet dhe të zbatohen formalisht vendimet e drejtësisë dhe pastaj qeveria të marrë një vendim të ri për kthimin e pronës për Kishën Ortodokse dhe mundësinë e ndërtimit të Kishës. E vërtetë është se Kisha ka pasur pak tokë në pronësi dhe vet drejtuesit e Kishës në Përmet nuk janë në gjendje të faktojnë me letra të kundërtën. Por, kjo s’ka pse të jetë pengesë. Edhe nëse nuk ka tokë të mjaftueshme, shteti mund t’i dhurojë ca tokë më shumë dhe të ndërtohet Kisha.

Por, nga ana tjetër Kisha Ortodokse duhet të jetë e kujdesëshme dhe e përmbajtur në deklaratat e saj, për të mos trajtuar shtetin shqiptar si armik të saj, dhe ligjet e këtij vendi si të paranueshme për ta. Konfliktet mes Kishës dhe individëve apo subjekteve të tjera publike në Shqipëri zgjidhen në Shqipëri dhe me ligjet e këtij shteti.

Për më tepër, Kisha nuk mund të përdorë dy standarde për liritë fetare në Shqipëri. Para dy javësh në Himarë, ekstremistë të Agimit të Artë, zbuan priftin nga Kisha se nuk i përshtatej retorikës së tyre antishqiptare, dhe Kisha Ortodokse heshti, duke mos i dalë në krah priftit. Heshtja e saj është një inkurajim për Agimin e Artë dhe gjithë plehrat e tjerë që u teket t’i vënë zjarrin këtij vendi, me konflikte fetare dhe nacionaliste. Si është e mundur që kjo Kishë nuk reagon kur ja zbojnë fashistët priftin nga Kisha dhe ngre Greqinë në këmbë, kur zbatohet formalisht një vendim gjykate i shtetit shqiptar? Ky standard i dyfishtë është acarues për pjesën tjetër të popullsisë dhe mund ta mbaj ndezur konfliktin. Është kjo arsyeja që klimës se paqes dhe harmonisë fetare duhet t’iu fryjë e para Kisha dhe jo të ndezi e para zjarret e luftës fetare dhe në një qytet të qetë si Përmeti. Përmeti ka nevojë për një Kishë ku njerëzit të falen dhe të luten dhe jo për një vend, ku njerëz me fytyrë të maskuar të shkojnë të mallkojnë Shqipërinë!