Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Komisioni Evropian ka miratuar sot përfundimisht rekomandimet për liberalizimin e vizave për Bosnjën dhe Shqipërinë, duke e kushtëzuar ato me tri kushte nga katër blloqe gjithsej që Shqipëria ende nuk i ka plotësuar. Ato janë strategjia për të riatdhesuarit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimi me efikasitet i ligjit antimafia. Pavarësisht fishekzjarrëve që u ndezën në Tiranë nga qeveria dhe opozita, në të vërtetë, të tria kushtet edhe pse në dukej teknike kanë një lidhje të fortë me vullnetin politik të qeverisë Shqipërinë.
Këto nuk janë kushte, të cilat Shqipëria nuk i ka plotësuar ende se nuk ka mundësi financiare apo se ka mangësi ligjore. Këto janë tri kushte që kanë të bëjnë pikërisht me vullnetin politik të qeverisë, i cili dikton mosplotësimin e tyre. Këto tri kushte ne duhet t’i kishim plotësuar një vit më parë, që në janarin e kaluar, të kishim filluar të lëviznim pa viza, ashtu si serbët, malazezët dhe maqedonasit. Nuk i plotësuam. Mund t’i kishim plotësuar deri në 27 maj, pra deri më sot, dhe sot të shpallej vendimi. Nuk i bëmë përsëri.
Tashmë na e kanë lënë t’i plotësojmë deri në vjeshtë, me qëllim që në një nga tri mbledhjet e Ministrave të Jashtëm të BE, në tetor, nëntor apo dhjetor të merret vendimi. Dëgjova kryeministrin Berisha që filloi të riangazhohet për të qindën herë për këto pika. Në të vërtetë, sa herë angazhohet, aq herë na kujton se është fajtor për izolimin e shqiptarëve. Ka një këshillë të vetme që këto tri kushte të plotësohen brenda ditës e jo brenda 6 muajve.
Strategjia për të riatdhesuarit, është një kusht teknik që ka të bëjë me papërgjegjësinë për të shkruar një projekt, i cili bëhet edhe brenda ditës, ndaj nuk duhet të diskutojmë fare për të. Pika më e nxehtë, që po na mban ende të izoluar, është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni Evropian ka theksuar në progresraportin e tij se në Shqipëri po krijohet kultura e mosndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë apo njerëzve të lidhur me pushtetin.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka thënë dy ditë më parë se krimi i organizuar ka mbështetje politike. Nëse Sali Berisha e ka seriozisht se do të ndihmoj shqiptarët që t’u liberalizohen vizat, mjafton të bëjë disa gjeste simbolike dhe ne brenda ditës e kemi plotësuar këtë kusht. Mjafton që një mëngjes kur del nga shtëpia, ai të marrë me vete djalin dhe vajzën dhe t’i dorëzojë para prokurores së përgjithshme.
Djali të dëshmojë para drejtësisë, se ç’lidhje ka me fabrikën e Gërdecit, ç’lidhje ka me Rrahman Selmanllarin në këtë histori, cilat janë bizneset e përbashkëta të tij me Selmanllarin dhe Delijorgjin, si ka lobuar ai në emër të pushtetit të babait për kontratën vdekjeprurëse dhe pastaj të shkojë para gjykatës për të marrë verdiktin e drejtësisë.
Vajza të shkojë para zonjës Ina Rama t’i thotë ta rihapë dosjen e mbyllur me dhunë për hetimin e sekserit të familjes Damir Fazlliç, të dëshmojë si ka marrë përfaqësinë e tij ligjore, si ka ndihmuar atë duke përdorur pushtetin e babait të blejë toka të lira në Portoromano me qëllim ndërtimin e një TEC-i më vonë, si ka tentuar të fitojë 3 për qind të këtij investimi duke garantuar investitorin për firmën e babait të saj si kryeministër, si ka ndihmuar me lidhjet e saj që Fazlliç të fitojë shumicën e tenderave të energjisë elektrike në kohën që KESH drejtohej nga Gjergj Bojaxhiu dhe pastaj të kalojë para drejtësisë. Pasi të mbarojnë fëmijët, të qëndrojë dhe vetë dy orë para zonjës Rama, ti kërkojë ta rihapë dosjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, t’i kërkojë të japë dëshminë e tij për atë vendim fatal, i cili po varros financat publike në Shqipëri, të tregojë lidhjet e tij me Tarek Sraah, të cilit i ka dhënë mbi 1 miliard euro për një rrugë 60 km, dhe pastaj të shkojë para drejtësisë pa imunitet.
Kur të shkoj në Gjykatë të Lartë e presin dhe disa padi penale për shpifje, të cilat po i mbyll duke kërcënuar herë gruan e Fullanit dhe herë gjyqtarë të tjerë të kapur prej tij. Le të ballafaqohet dhe me ato akuza dhe pastaj të rikthehet në shtëpi. Le ta garantojmë një moment në emër të drejtësisë se do ta lëmë në gjendje të lirë dhe nuk do ta arrestojnë pa u shpallur vendimi i gjyqit, siç ka arrestuar ai dikur Fatos Nanon. Pasi të mbarojë punë me fëmijët, të nxjerrë pak llogarit e fondacioneve bamirëse të Liri Berishës, të bëjë transparencën e vrasësve dhe kriminelëve që derdhin aty para për të blerë lirinë e tyre dhe bizneset e paligjshme, t’i bëj ato publike dhe të shikojmë se çfarë kanë përfituar ata që shkojnë në mbrëmjet e bamirësisë dhe derdhin mijëra euro që nuk deklarohen askund.
Kur të ketë mbaruar gjithë këtë proces transparence, le t’i bëjë nga një telefon Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut të shkojnë dhe ata si dhe familja e tij para drejtësisë. Nëse e gjithë kjo që them, do të ndodhë nesër në mëngjes, ju siguroj se pasnesër Brukseli do të na i quajë të plotësuar edhe kushtin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe kushtin e zbatimit me efikasitet të ligjit antimafia. Dhe pasnesër mund të kemi pa asnjë dilemë vendimin për liberalizimin e vizave pa asnjë kusht.
Gjithë skenarët e tjerë, që Berisha t’i mbushë mendjen perëndimit se po lufton mafian dhe krimin e organizuar, duke marrë kontrollin mbi gjyqësorin dhe duke futur nën terror Gjykatën e Lartë dhe për një padi penale flagrante ndaj tij për shpifje, do të jetë mundim i kotë. Sali Berisha nuk është aq i lirë sa të luftojë krimin e organizuar, korrupsionin dhe të hetojë pastrimin e parave. Ai duhet të arrestojë djalin, vajzën, gruan dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij politike. Na i jepni që sot këto viza, nëse doni të ndihmoni shqiptarët. Mos na lini në dorë të atyre që i kanë edhe vizat edhe paratë edhe pushtetin edhe vullnetin politik për të mos i plotësuar kurrë ato kushte.