Një kërkesë për “Zonjën 3 milionë euro”!

0
42

Nga Mero Baze, 15 Janar 2013

Historia e Zafar Ansar-it është zhvilluar para syve të mi si një film dhe është ilustrimi më i mirë se si Familja ka kapur shtetin. Në verën e vitit 2007, ambasadori ynë në Arabi Saudite, një miku im, karikaturisti i talentuar “Like Rehova”, më tregoi për vizitën e tij në Tiranë dhe interesin rreth investimeve në energjetikë. Ndenji gjatë atë verë në Shqipëri për t’ia mundësuar kontaktet. Berisha kish mbushur dy vjet në pushtet dhe tashmë skema e përdorimit të pushtetit nga Familja ishte koaliduar dhe konsoliduar. Biznesmenët takonin një ambasador apo lidhje tjetër të qeverisë, shkonin në zyrë të kryeministrit, riktheheshin në studion ligjore, ose tek i biri i tij, dhe fillonin punën nëse pranonin kushtet e tyre. Është e njëjta skemë e përdorur për “investitorët amerikanë” në Gërdec, ekspertuesit e fishekëve në Afganistan, investuesit në energjetikë, ata në fabrikat e çimentos, investitorët e turizmit, etj.

Zafar Ansar duhet të kalonte këtë provë zjarri. Nga dëshmia e tanishme e tij duket se e ka marrë të mirëqenë këtë realitet dhe ka pranuar të përdorë vajzën e kryeministrit si rrethanë lehtësuese. Më pas shihet qartë që nuk ka përballuar dot paturpësinë për ta parë jo si investitor, por si gjah i rënë në pritën e pushtetit të Familjes. Investitorë të tjerë, biles disa dhe shumë të mëdhenj dhe të respektuar në Perëndim, ranë në këtë grackë dhe ndonjë nuk ka dalë ende.

U njoha më pas me nervozizmin e zotit Ansar, me letërkëmbimin e tij me ambasadorin, dhe gjakftohtësinë e bijës së kryeministrit për të pasur objektiv vetëm marrjen e pareve që ajo donte dhe jo projektin e biznesmenit në energjetikë.

Kur vendosa t’i publikoj, pata një vrarje ndërgjegje për përdorimin e emrit të ambasadorit në atë letërkëmbim. E mendova dhe e mendoj akoma që ai ishte në shërbim të Argitës, jo nga adhurimi për të si myslimane, dhe as nga ndonjë bindje e fortë për aftësinë e saj, por thjesht se duke qenë ndërmjetës në këtë biznes, ai kish parë me sytë e tij, që gjithë pushteti i babait të saj, kalonte më parë nga zyra e saj. Mu duk njerëzor nënshtrimi i tij dhe në botimin e parë në vitin 2009 ia kam fshehur publikut rolin e ambasadorit në këtë histori.

Kur korrespodenca u botua, Argita Berisha dhe babai i saj kryeministër bënë një deklaratë të thatë që shpjegonin se avokatja operon me tarifa tregu dhe kërkon sa ka dëshirë, duke e quajtur normale kërkesën e së bijës për 3 milionë euro. Kur unë e publikova fillimisht në gazetën Tema dhe më pas në emisionin Faktor Plus, media tjetër nuk e ndoqi shumë dhe për shkak të kontrollit të Berishës mbi shtypin dhe statusin tim si një gazetar i vënë në qoshe prej pushtetit, duke u përballur me persekutime financiare, ligjore dhe fizike. Ajo që mësova në atë kohë ishte se Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i komanduar prej Argitës, tentoi të merrte ndonjë deklaratë përgënjeshtrimi për e-mailet, duke përdorur pushtetin e tij si Ministër i Jashtëm, por nuk mundi. Dëgjova nën zë se do kishte një proces gjyqësor ndaj meje, por nuk ndodhi.

Dy javë më parë opozita bëri publike korrespodencën e plotë, përfshi dhe pjesën për ambasadorin, që unë e kisha redaktuar me vetëdije në vitin 2009. Argita reagoi përsëri dhe krahasoi kërkesën e saj për 3 milionë euro për një firmë të babait, me lejen e shtëpisë së xhaxhait të Linda Bashës dhe me shpenzimet për protezat e dhëmbëve të Edi Ramës. Ndoshta e keni ende në mendje shijen e të vjellës që të linte fjalori i saj publik, mediokriteti, gjuha vulgare dhe e varfër, por mbi të gjitha siç shihet nga gjithë ky zhvillim dhe nga paturpësia e saj për të qenë edhe hajdute, edhe gënjeshtare, dhe e pacipë për tu mburrur me këtë gjë.

Pas gjithë kësaj unë nuk kam ndërmend t’i bëj thirrje Adriatik Llallës të nisë hetimet dhe ta fusë në burg këtë zonjë. E ndjej pafuqinë e tij për të dënuar ndoshta rastin më të qartë për kapje të shtetit në botë, që është rasti i Argita Berishës. Kjo dosje nuk mbyllet kurrë dhe do të gjendet një prokuror në këtë vend ta mbyllë pas hekurave këtë hajdute të pacipë.

Nuk kam ndërmend as t’i lutem ILKPD të bëjë publike burimet e fitimeve të saj, pasi ato që ajo ka deklaruar janë pare xhepi, në raport vetëm me një gjobë të saj 3 milion euro. Të tilla ajo zonjë ka 8 vjet që pret.

Por kam një kërkesë për rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe dekanin e Fakultetit Juridik në Tiranë. Këtë fytyrë me këtë mentalitet hajduteje, këtë njeri që ka kapur peng shtetin shqiptar për shkak të pushtetit të babait, këtë grua që thotë jam pedagoge dhe flet si njeri ordiner në publik, këtë njeri “të drejtësisë”, që është klienti më ekzemplar i saj, këtë eksperiment të suksesshëm të mafies që kap një vend në zhvillim, nuk duhet ta lejojnë t’u japë mësim dhe leksione për drejtësinë fëmijëve tanë.

Është e tmerrshme që djali im dhe fëmijët e çdo shqiptari të ulen në auditorët e këtij vendi dhe të hyjë në sallë kjo femër e t’u mbajë leksione mbi shtetin e së drejtës, t’u flasë për Kodin Penal dhe Civil dhe t’i edukojë ata të jenë luftëtarë të drejtësisë në këtë vend. Kjo thirrje vlen dhe për gjithë universitet private që i kanë dhënë vërtetime rroge kësaj femre. Jepjani ato lek përsëri, apo vetëm vërtetimet për të cilat ajo ka nevojë. Jepini pare nën dorë e sipër banakut. Paguajini çfarë do dhe çfarë ju duhet për të mbaruar hallet tuaja, por mos e lini të shkelë në auditorë se nuk ua kemi borxh t’u paguajmë që fëmijët tanë t’i edukoj një njeri, e cila duhet të jetë në burg.

Po ua bëj sot këtë thirrje pasi nesër mund të dënoheni ju, pse keni mbajtur në punë një njeri që shkel etikën themelore të një njeriu të drejtësisë. Kosta Barjabën e ngritë nga Akademia për 280 dollarë dhe mirë bëtë. Kjo zonjë që kërkon 3 milionë euro për një firmë të babait, do të marrë me vete në qeli çdokënd që e lejon të hyjë në auditore si pedagoge. Si gjobëvënëse dhe taksambledhëse tuajën, mbajeni. Paguajini udhëtimet në Vjenë dhe Londër, operacionet plastike të faqeve dhe hundës, krihini flokët dhe në daç visheni me flori, por jo me mantelin e drejtësisë. Mbajeni larg nga brezi i ri i studentëve që kanë ëndrra dhe ideale tek profesioni, për të cilën fillojnë të studiojnë. Bëjeni ju para se ta bëjnë vetë studentët, të cilët mund t’i çohen nga auditori dhe t’i dalin jashtë sapo ajo të shkelë për t’u treguar se si vendoset drejtësia në këtë vend.

E di që keni të njëjtin hall që ka pasur dhe ambasadori ynë, që u vu në shërbim të saj. Ishte një nga miqtë e mi më të mirë, për të cilin luftova boll të bëhej dhe ambasador. Sot më ka ngelur të ngushëllohem me pjesën e tij më të mirë, atë të karikaturistit të vetvetes. Por shqiptarët kanë një hall dhe më të madh se ju. Ata po vidhen prej saj dhe ju nuk do të keni shansin të thoni, nuk e dinim që ishte hajdute. E keni me fakte dhe dëshmitarë. Nuk ju mbajmë mëri pse nuk jeni trima, por nuk ja mbajmë dot me hatër para drejtësisë për këtë gjë.