Një kancer në bulevard

1
56

Klejdi Eski, 03.04.2011

Dukuria e autokratëve që duan të lënë gjurmë në histori nëpërmjet aktesh gjigante arkitektonike është e njohur. Mjafton të kujtosh Napoleonin, Luigjin XIV, Leninin, Hitlerin, Jul Qesarin etj. E vetmja gjë që më çudit dhe nuk e shpjegoj dot, është “Përse diktatori i sotëm zgjedh të firmosë fiks mbi firmën e Enver Hoxhës”. Përse do të fshijë gjurmën e Hoxhës për të vënë të vetën!? Mos pandërgjegjshmërisht tenton të na thotë:
“Diktaturën nuk e bëri vetëm 1 Enver! Qemë të shumtë në numër !”
Mos ndoshta do të na thotë që komunizmi nuk mbaron me 50 vjet. Që ne ende jemi aty?

***

Në këtë shkrim, e kam fjalën për projektin e ri arkitektonik: për mauzoleumin e diktatorit modern.
Nga gjërat e para që mësojmë në arkitekturë, është që ndërtesën e bën funksioni dhe jo forma. Për shembull: një ndërtesë teatri ku luhet bingo nuk mund të quhet më teatër.
Në këtë republikë ku parlamenti nuk ka funksionuar asnjëherë si i tillë, ku në karrige ulen vota të vjedhura, ku plas plumbi dhe grupe të forta interesash private shahen nga motrat, edhe sikur Westminster-in të sjellësh nga Londra dhe ta vësh në bulevard, përsëri nuk do të ketë Parlament! Prandaj, më duken disi pa vlerë biseda të tipit: Cila studio e fitoi?”, “Si u bë konkursi kështu?”, “Sa do të kushtojë?” – etj.

Ne nuk po ndërtojmë një Parlament. Po ndërtojmë përsëri një mauzoleum. Sepse jam i sigurt që qeveria që do të vijë pas kësaj, do të dojë ta organizojë përplasjen, pardon, Parlamentin, në një godinë tjetër. Një mentalitet i tillë “të prishim lavdet e tij, për të ngritur tonat”, nuk sjell zhvillim. Sjell pafundësisht shkatërrimin dhe rindërtimin e së njëjtës vepër, me forma të ndryshme. Profesori im thotë që një rindërtim nuk kryhet kur përshtatja e ndërtesës ekzistuese kushton më pak se 70% e rindërtimit… Por kush po flet për kosto?! Unë që as e kam idenë sa do të jenë ato.

***

Lirinë nuk e solli Skënderbeu, sikurse dhe demokracinë nuk mund ta sjellë arkitektura! Atë duhet ta sjellin njerëzit, prandaj nuk mund të gënjehem nga fraza monstruoze: “Për 100 vjetorin e Pavarësisë, i dhurojmë popullit një Parlament të ri me arkitekturë moderne”. Përse nuk na dhurojnë lirinë? Madje, për 100 vjetorin e Pavarësisë, pse nuk na dhurojnë vërtet pavarësinë ?

Më vjen keq që e gjithë kjo zhurmë mbi projektin e ri të Parlamentit e ka spostuar bisedën në fazën B. Pra, tani jemi dakord ta shembim piramidën, por “pse u bë konkursi i padrejtë dhe pse studiot ishin anonime”? Jo! Duhet të vazhdojmë të këmbëngulim që Piramida nuk duhet të shembet thjesht se “Baca” i fisit do të lërë një shenjë të ekzistencës së vet. Ka mjaft shpella ku një njeri primitiv mund të vizatojë dema dhe drerë… Qendrën e qytetit modern e vizaton shoqëria civile.

Nuk mund të bisedohet për projektin e Parlamentit të ri, kur vetë rreth kësaj teme ka mjegull të papërshkueshme. Është e pamundur të flitet për arkitekturën e këtij vandalizmi, kur nuk ka informacion.

Kur filloi të flitej për këtë temë kisha shumë dëshirë të analizoja të gjithë projektet e ekspozuar, për të krijuar opinionin tim, por ishte e pamundur në kushtet e kësaj sekrecie. Përveç një kodi disashifror, nuk ka asnjë të dhënë mbi kostot, konceptet, autorët etj. Të vetmet të dhëna janë maketet me drita. Dhe kryetarja e Parlamentit e di shumë mirë, që një arkitekt asnjëherë nuk gjykon maketet. Unë nuk krijoj dot opinion. Opinioni i një arkitekti nuk është “I bukur, apo i shëmtuar?” Është joprofesionale të merresh me makete.

Është njësoj si Shpëtim Saraçi të gjykojë muzikën e Rihanës, nga një videoklip pa zë, në televizor.
Të vetmit që mund të gjykojnë duke parë makete janë amatorët. Madje, më keq, është populli i thjeshtë. Ai që nuk e di që as në konkurs nuk është gjykuar mbi bazë maketesh, por mbi bazë kasafortash. Konkursi, ose është bërë brenda një kasaforte, ose nuk është bërë fare.

E vetmja gjë që jam i sigurt që ka ndodhur është dita e ekspozitës. Aty isha edhe vetë. “Nuk harrova të shkoja ditën e verës”. Kur bulevardi mbante erë djerse dhe thartire. Kur në vend të luleve, ajri mbante erë flokësh të palarë. Në sallën e ekspozitës populli “gjykues” bënte foto tek divanet, abazhurët, tapetet dhe tek flamuri… (ah po, Flamuri). Ata që nxirrnin foto nga maketet i shoqëronin këto me komentin: Shih si i kanë bërë edhe Benz-at të vegjël, si prej lodre….

Populli pa maketet. Arkitektët mbetën bosh. Nuk panë asgjë. Panë bodigardët, në fakt. Nga një mbi çdo maket.
Disa ditë më pas, popullit iu hodh një tjetër lajm për t’u përtypur. “Projekti Fitues”. Lajmi nuk përmbante as datën kur u zhvillua konkursi, as emrin e studios vjeneze, por mbi të gjitha, lajmi nuk përmbante as foton e maketit që ky popull kishte parë. Me shumë vështirësi, nëpër facebook, u fiksua emri “Coop Himmelb(l)au”. Por në faqen e Coop Himmelb(l)au, nuk gjendet asnjë lajm mbi fitoren e madhe. I vetmi projekt në lidhje me Tiranën, është ai i adaptimit të vjetër të ndërtesës së Kuvendit.

Po kështu, as në të përditshmet “Dezeen” dhe “Archdaily” (të cilat publikojnë edhe modelet e reja të tavolinave në ndonjë dyqan të Milanos) nuk shkruhet asgjë për këtë projekt madhështor të Parlamentit tonë. Shtypi i arkitekturës nuk merret me makete!
Ka dy gjëra në jetën time, të cilat nuk i kam mësuar dot kurrë përmendsh, me gjithë përpjekjet. E para është një vjershë patetike me lulëkuqe, i dyti është emri i studios Belgo-Shqiptare që po na bën sheshin “Skënderbej”.

Këtë nuk e fiksoj dot, sepse nuk e has në asnjë faqe shtypi arkitekture; sepse të vetmet projekte të kësaj studioje, të asociuar shpesh me emrin e fotografit Anri Sala, janë të zbatuar e dizajnuar në Shqipëri.
Coop Himmelb(l)au nuk është kështu. Është një nga të famshmet. Kur hyn në faqen e saj, sheh një projekt “fantastiko-shkencor” që po zbatojnë në Kinën e Largët. Dekonstruktivist, ekstravagant… lindor.

Coop Himmelb(l)au janë të famshëm. I kam hasur shpesh në Dezeen dhe Archdaily. Këta janë pak a shumë si Lady Gaga e arkitekturës, ose më të vegjël… si…”Pussycat Dolls” të arkitekturës.
Shpesh vërej që publiku nuk e kupton që edhe arkitektura ka yjet e saj të pavlerë, por pompozë. Kështu, kemi Zaha Hadid = Lady Gaga, Frank Gehry = Justin Timberlake, Santiago Calatrava = Enrique Inglesias…etj. Të gjithë superstarë në aparencë, por jo në substancë. Pop… Sikurse yjet e popit, edhe yjet e arkitekturës qëndrojnë në qiell, sepse janë miliarderë, paguhen me shuma marramendëse, kullufisin hapësira në revistat dhe blogjet e arkitekturës dhe kanë mundësi pa fund për të botuar libra sipërfaqësorë me figura dhe pa fjalë.

Yjet e arkitekturës janë të mëdhenj, sepse nën hijen e tyre të rëndë punojnë me qindra arkitektë të rinj anonimë. Vetë STARkitektët dalin nga hije starkitektësh.
Fenomeni “Lady Gaga”, i cili dështoi në fushatën e koncerteve elektorale, tani do të zbatohet nëpërmjet arkitekturës tek mauzoleumi ynë i ri.

Problemi që arkitektura ka me arkitektët “Lady Gaga”, është i njëjti që një njeri i sëmurë do të kishte, nëse do ta çonin tek një estetist për të kuruar sëmundje serioze. Starkitektët, në rastin më të shpeshtë, janë estetistë të arkitekturës. Jo më kot, u jepen terrene të pafundme në periferi qytetesh, pa situata urbane. Që estetika e tyre ekstravagante dhe plot pretendime, të mos dëmtojë teksturën urbane të qyteteve të perëndimit.

Kjo është arsyeja pse starkitektët po punojnë më së shumti në vendet arabe dhe në kinë. Sepse vetëm atje, princa, mafiozë dhe diktatorë masturbues janë duke vënë çizmen mbi çdo interes të shoqërisë për të ngritur fortesat e lavdisë së tyre. Ndoshta si Parlamenti ynë i ri! Është kjo arsyeja përse nuk sheh projekte megalomane në qendër të Stokholmit, Dublinit, Parisit, Kopenhagenit, Romës, Oslos, por i sheh këto vetëm në qytete si Bilbao, Salford, Shengzhen, Shanghai, Beijing, Abu Dhabi, Dubai etj. Sepse janë këto vendet ku shoqëria civile nuk pyetet.

Mënyra më e thjeshtë për të kuptuar urbanistikën dhe rolin e arkitekturës në shoqëri, është ta krahasosh shoqërinë me një organizëm. Kështu, çdo individ është bërthama e një qelize, çdo qelizë është një familje/një shtëpi, një komunitet është një ind, qytetet, institucionet, lagjet, janë inde më të mëdha, këto inde formojnë organet, të gjitha organet, funksionojnë të lidhura për të mbajtur në jetë dhe për të zhvilluar shoqërinë.

Qyteti është forma fizike e shoqërisë. Sistemi urban dhe arkitektura janë një pasqyrë e mirëqenies, demokracisë dhe zhvillimit. Një qytet i sëmurë, flet për një shoqëri të sëmurë, njësoj si një lëkurë e plasur flet për një njeri lebroz. E keqja në shoqërinë tonë është si një kancer. Ajo shumohet, rritet aq shumë sa bëhet e pamundur të përmbahet. Rritja e saj dhe shpërndarja nëpër organet e shoqërisë, i shkatërron këto organe duke paralizuar zhvillimin dhe duke vënë në rrezik vetë jetën e këtij kombi.

Kjo është pika ku politika takon arkitekturën. Në ditë si kjo, arkitektura nuk është një art, nuk është as një inxhinieri (siç na e fusin me dhunë në shkolla). Arkitektura është politikë. Është kontribut për shoqërinë. Detyra e një arkitekti është të krijojë hapësirën e shëndetshme për zhvillimin e shoqërisë. Prandaj, akte të tilla arkitektonike, si gjoja parlamenti i ri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë tumore malinje, jo shërim për popullin shqiptar. Kostot materiale, kostot shpirtërore, dhe mbi të gjitha, kostoja mbi dinjitetin e kombit tonë (të cilit edhe njëherë i kurdiset diçka në kurriz) janë një sëmundje për të gjithë ne.

Ky kancer në bulevard është njësoj si sëmundjet e pashërueshme që kryetari i bashkisë i ka shkaktuar Tiranës në vite. Nëse në vitet ’90, Tirana vuante nga sëmundje të lëkurës, siç ishin kioskat, sot ajo po grumbullon sëmundje të tjera më të rënda. Metastaza në Tiranë ndjehet në çdo cep, dhe po helmon zemrat e të gjithë atyre që zgjohen me shpresën se një ditë ne do të bëhemi … si Zvicra dhe Danimarka ?… Të paktën si Bosnja.

Sot udhëhiqemi nga një kancer drejt humnerave të totalitarizmit, njësoj si i sëmuri drejt vdekjes. Për mua dhe mbrojtësit e tjerë të arkitekturës dhe vlerave qytetare, shembja e Piramidës, dhe damka pompoze që i ngjitet sipër atij sheshi, është njësoj.

1 COMMENT

  1. Edhe ne Itali dhe ne vende te tjera, ka kisha te bukura, te ndertuara me arkitekture te gjitha llojeve, por problemi nuk jane ato dhe arkitektura e tyre, ato jane bosh, s’ka njerez ne ‘to.
    Parlament?! Ne Shqiperi kjo fjale e ka humbur kuptimin; ka te drejte Mustafa Nano kur thote:
    “Nje pushtet teresisht i korruptuar komandon vendin krejtesisht i pashqetesuar, veç se ne nje rrethane: KU OPOZITA ESHTE PO KAQ E KORRUPTUAR, SIC…! “

Comments are closed.