Një italian në oborrin e mbretit Sali

0
30

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, nisi dje nga Shkodra të marrë meritat e kapërcimit të asaj që e kishte paralajmëruar si katastrofë.

Berisha citoi të dhënat e ofruara nga një observator, që thjesht ofron shifra se sa ka qenë niveli i ujit që ka përmbytur zonën, pa caktuar shkaqet, për të thënë se kjo ishte një ngjarje që ndodh njëherë në 100 vjet.

Ashtu si zyrtarët e qeverisë së tij, edhe kryeministri Sali Berisha citon një nen të mbrapsmë të rregullores për digat, ku thuhet që, nëse mbushet diga deri në një masë, atëherë nis shkarkimi.

“Kjo ishte një ngjarje, e cila, siç rezulton nga observatorët më seriozë të përmbytjeve në botë, ndodh shumë rrallë, i tejkalon 100-vjeçarët. Por unë gjykoj se është një shkallë e lartë angazhimi dhe solidariteti dhe deri tani, përveç dëmeve materiale dhe ekologjike, nuk kemi humbje në jetë njerëzish dhe kjo është një meritë e këtij operacioni”, – tha Berisha.

Megjithatë kryeministri dhe asnjë zyrtar i tij nuk kanë sqaruar se pse është shkelur rregullorja për të shkuar deri te shkarkimet, por krenohen me parimin se vendosën të shkatërronin dhjetëra-mijëra jetë, në vend që të merrnin dhjetëra mijëra jetë. E duke ecur me këtë parim, duke ndjekur nenet fundore të kësaj rregulloreje, ndonjë ditë ministri i Energjitikës mund të shfaqet në medie duke thënë se ata kanë vendosur të vrasin vetëm shkodranët, e jo gjithë banorët e ultësirës veriperëndimore.

***

Prej ditës kur nisën përmbytjet, media ka bërë thirrje që duhet të evakuohen banorët për shkak të shkarkimeve. Opozita po ashtu. Por ka pasur një njeri që ka përmendur gjatë gjithë kohësh rrezikun e shembjes së digave, dhe ky ka qenë kryeministri i vendit. Pothuajse në çdo dalje publike, njeriu, të cilit i kemi besuar rendin publik, thotë se ka thashetheme se do shemben digat.

“Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se Korporata Energjitike e Shqipërisë, Ministria e Energjitikës, ka bërë një punë jashtëzakonisht eficiente. Ato u përballën me situatën më të jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe. Atyre, që mund të akuzojnë për digat, po u them vetëm 2 fjalë; në qoftë se i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë “ora e Shkodrës”, sepse me vërshimet e Drinit, në mijëra metra kub në sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të paparashikueshme në këtë mot të papërsëritur në 100 vitet e fundit”, – tha Berisha dje në Shkodër.

Megjithatë ai ishte i pari që bëri thirrje se katastrofa ishte në prag.

“Realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe, kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik”, – tha Berisha më 5 janar.

Më vonë ai vetë e korrigjoi këtë deklaratë të tijën duke thënë se rreziku qëndronte ende.

“Dje, situata në rrafshin e ditës ka qenë kjo që raportova, por potencialisht katastrofa qëndronte dhe qëndron si shpatë e Demokleut”, – tha Berisha.

Ndërsa pas dy ditësh, ai gjeti armikun, ajo ishte opozita dhe media, që deklaronin se do shembeshin digat.

***

Pasi pa që ishte e pamundur që të shmangej përmbytja e qindra e mijëra shtëpive e pasurive, Berisha ishte i pari që projektoi rrezikun e digave që mund të shembeshin. Qëllimi ishte i qartë. Berisha, ashtu si ata heronjtë e Marvel Comics, do të merrte meritat e super-njeriut që na shpëton nga apokalipsi.

Një nga ekspertët shqiptarë të digave, Egon Gjadri, kishte deklaruar se Fierza nuk rrezikohej, edhe sikur prurjet të ishin deri në tetë herë më të mëdha se aktualisht.

“Veprat janë të siguruara për kalimin e një plote me përsëritje një herë në dhjetëmijë vjet, pra për një prurje shumë të rrallë. Ky është me një probabilitet përsëritjeje një herë në dhjetëmijë vjet. Në Fierzë kjo plotë është 9 mijë e 600 metra kub ujë në sekondë. Duke qenë kuota e kurorës së digës në 312 metra në Fierzë, aktualisht sasia e ujit atje është 292 metra lartësi, atëherë niveli i liqenit në Fierzë është rreth 20 metra më poshtë se kuota e kurorës së digës. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, – tha Gjadri.

Por rreziku ishte në kokën e Berishës dhe Priftit. Ata duhej të shpallnin se kishin evituar rrezikun e madh.

Kësaj loje iu bashkua dhe vetë presidenti që doli të dielën së bashku me drejtuesin e Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, për të na thënë që nuk shemben digat. Ky i fundit madje i tha presidentit që duhej të flinte i qetë. Ashtu siç ka bërë gjer më tani.

“Përfitoj nga rasti që ndodhem në Presidencë e përkrah presidentit, ta siguroj që ta bëjë gjumin më të qetë, me më pak telashe, me më pak shqetësime, sepse gjëra të tilla do të jenë, do të shkojnë drejt minimizimit! Padyshim që në mbarim të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, besoj që të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, edhe specialistët dhe teknikët e kësaj fushe, do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë që herë tjetër të tilla gjëra të mos ndodhin”, – tha Farudin Hoxha, që i ndolli dhe më shumë gjumë presidentit, kur tha se në janar nuk priten më shumë reshje se në dhjetor.

***

Pikërisht te reshjet qëndron i gjithë problemi. Shumë thonë se ky është një vit shumë pak më i lagësht, por jo që të shkaktojë këtë përmbytje. Vetë kryeministri, i njohur për pasionin e tij për shifrat, na zbulon se në dimër paska rënë shi më shumë se në verë. Dhe siç di të bëjë krahasimet ai, si në rastin e përmbytjes që na ndodhka njëherë në njëqind vjet, dhe prurjet qenkan rritur në dimër 100 herë më shumë se në verë. Duke përdorur numrat mistikë, 13 apo të preferuarin 100, Berisha dha këtë shpjegim për reshjet: “Për më se 13 ditë me radhë, në Shqipëri, veçanërisht në verilindje, ka pasur reshje të pandërprera, të fuqishme, të alternuara ndonjëherë edhe me reshje dëbore. Këto reshje kanë bërë që, në momente të caktuara, prurjet në lumin Drin, të krahasuara me verën e këtij viti, të rriten me 100 herë. Në verë prurjet kanë zbritur në 15 metra kub në sekondë, në këtë periudhë ato arritën në më shumë se 1500 metra kub në sekondë”, – tha Berisha në një mbledhje qeverie.

Mirëpo kryeministri e di që llogaritjet nuk bëhen dimër me verë, por vit me vit, e dekadë me dekadë. Por kështu i leverdis atij.

***

Për t’i vënë kapak kësaj shfaqjeje e për të treguar qartë se kujt i intereson të paraqesë rrezikun e shembjes së digave, mjafton të shohësh se si mbushi ekranet një ekspert i kryeministrit italian për digat e larta. Ai mbërriti në Shqipëri për të dhënë ekspertizën e tij për diçka që dukej se nuk përbënte rrezik, sipas kryeministrit (?)

Dhe eksperti italian për digat dha një mesazh politik. “Është e rëndësishme, që qytetarët të shohin dhe të vlerësojnë që autoritetet dhe profesionistët po përballojnë me seriozitet situatën, duke qenë të sigurt në administrimin e asaj që ka ndodhur dhe në projeksionin e evenimenteve që do të vijnë”, – tha ai. Në vend që të thërriste një ekspert të emergjencave civile dhe një koordinator të mirë, Berisha zgjodhi të bënte shfaqje me një njeri që ka si kompetencë mbrojtjen e digave nga shembjet dhe jo shkarkimin e përmbytjet.

Ashtu si në veprën e Mark Twain, “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur”, eksperti italian na tha gjëra që në një kohë tjetër do dukeshin të mëdha. Por në teatrin e mbretit Sali këto gjëra nuk kanë rëndësi.

E vetmja gjë që nuk bëri siç duhet italiani në oborrin e mbretit Sali, ishte që të na kërcënonte me eklipsin, por këtë e bëri vetë mbreti Sali, që së fundmi kishte zbuluar se lëvizjet e detit i diktuaka hëna.