Besnik Mustafaj, 30.12.2009
Më pyeti një nga miqtë e mi këto ditë, se si mund ta përcaktoja rrugën, në të cilën ishte zhvilluar shoqëria shqiptare gjatë vitit 2009.
– Por shkurt, – më theksoi ai. – Nuk dua një renditje faktesh të tillë si anëtarësimi i Shqipërisë ne NATO, paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE etj. Thjesht shoqëria shqiptare, ne këtu brenda, me njëri-tjetrin…
Pra, ai kërkonte nga unë, që nuk jam sociolog, një përcaktim të rrjedhës, nëpër të cilën ka ecur shoqëria shqiptare gjatë vitit 2009.
– Ka thelluar disa nga tiparet e veta më negative, të cilat nuk janë doemos dëshmi e një shoqërie të prapambetur,- iu përgjigja unë.- Madje, mund të merren më fort si shprehje të një shoqërie postmoderne.
Dhe i tregova një ngjarje të ndodhur disa kohë më parë në Përmet, e për të cilën kisha lexuar në një të përditshme.
Shtetasi M.J., kishte një hall shumë të madh për të zgjidhur me kryetarin e Bashkisë të qytetit dhe nuk po arrinte ta zgjidhte. Meqenëse dikush i shkolluar e këshilloi se në këso rastesh vetëm ryshfeti bën punë; meqenëse këshilluesi mendjendritur e sqaroi se ryshfeti duhet të jetë i majmë, ndryshe nuk është ryshfet e meqenëse në shtëpinë e vet nuk kishte gjë më të çmuar se një gomar, hallexhiu e pranoi me zemër të thyer këshillën për t’i çuar si ryshfet kryetarit të Bashkisë pikërisht gomarin. Dhe u nis. Te dera e ndërtesës së pushtetit sigurisht që e ndaluan policët. Nevojtari M.J., ishte i vendosur të shkonte drejt e në zyrën e kryetarit bashkë me gomarin. Por edhe policët natyrshëm ishin të vendosur të mos e lejonin dhe, për ta thyer hallexhiun kokëfortë, u detyruan ta shtrojnë në dru aty, në oborrin e ndërtesës më të rëndësishme të qytetit e mandej e morën përdhunshëm në komisariatin e policisë ku sigurisht, që e prisnin befasi të tjera, ndër të cilat më kryesorja mund të ishte akuza për tentativë për korrupsion të zyrtarëve në detyrë ose thyerje e rendit publik ose, pse jo, të dyja.
Ndërkohë, këtë histori e kishte filmuar nga kreu në fund korrespondenti lokal i një televizioni kombëtar, i cili kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, madje përpara protagonistit. E rikrijuar me fjalët e mia në bisedë me miqtë, kjo ngjarje po merrte paraqitjen e një parabole dhe si e tillë kërkonte pak shpjegim, për t’u vendosur më konkretisht, pra më qartë, si shembull ilustrues përkitazi me përcaktimin që sapo kisha dhënë mbi rrjedhën, nëpër të cilën kishte ecur shoqëria shqiptare gjatë vitit 2009. Rruga, që ndoqi hallexhiu në fjalë duke i besuar një thashethemi apo një këshille në vesh, nuk është dëshmi e naivitetit të tij. Përkundrazi, është pasojë e pastër e dëmtimit të rëndë që ka pësuar kuadri udhërrëfyes i komunikimit zyrtar në sytë e qytetarit të zakonshëm, kur në pyetje është zgjidhja e problemeve të këtij të fundit, në rrethanat kur zgjidhja e këtyre problemeve varet nga ndërhyrja e shtetit. Humbja, apo qoftë dhe dëmtimi i rëndë i besueshmërisë së kuadrit udhërrëfyes të komunikimit zyrtar për qytetarin është një nga tiparet më të dallueshme të një shoqërie postmoderne. Protagonisti i historisë tonë veproi në atë mënyrë pse nuk besonte më reklamën e zhurmshme qeveritare për sukseset në luftën kundër korrupsionit. Dhe stadi postmodern i një shoqërie nuk përcaktohet nga niveli i lartë i zhvillimit të saj ekonomik, – ndoshta sociologët do të më kundërshtojnë. Stadi postmodern i një shoqërie më duket se përcaktohet kryesisht nga cilësia e komunikimit publik, në sajë të të cilit fitohet ose jo besueshmëria e fjalës publike. Nëse qytetari përdor gomarin apo zarfin si ryshfet, këto janë hollësira të filmit, pa kurrfarë rëndësie për domethënien e ngjarjes.
Dhe prania e gazetarit me kamera në oborrin e Bashkisë pikërisht në çastin kur aty do të shfaqej nevojtari i shkretë, vështirë të ketë qenë e rastësishme. Herë pas herë janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen publike për opinionin botëror raste kur gazetarë të televizioneve të mëdha dhe prestigjioze evropiane apo amerikane inskenojnë krejt si në teatër ngjarje, të cilat më pas i paraqesin në ekran mirëfilli si kronika të aktualitetit. Kjo nuk do të thotë aspak se problemi, që gazetarë të tillë ngrenë, është në vetvete i shpikur apo i sajuar. Problemi doemos që ekziston në thelbin e vet, pa lind edhe nevoja të shtrohet publikisht. Por, metoda e ndjekur nga njeriu i medias për të përmbushur ato që quhet mision i informimit të publikut, mishëron një pashpirtësi dhe një cinizëm të egër ndaj qytetarit të përfshirë pa dijeninë e tij në lojën e sajuar. Gazetari në fjalë mund të bënte- nuk di nëse e ka bërë, – një kronikë shumë të mprehtë, qoftë për korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Bashkinë e qytetit të tij e qoftë për tejkalimin e të drejtës ligjore nga ana e policëve që dhunuan qytetarin e shkretë të kësaj historie. Një pashpirtësi dhe një cinizëm i tillë janë gjithashtu, tipare të dallueshme të një shoqërie postmoderne, të cilat, sipas vlerësimit tim, janë thelluar dukshëm në shoqërinë shqiptare gjatë vitit që po përcjellim.
Shkurt: Cilësimi si postmoderne për shoqërinë tonë nuk është lavdërim në gjuhën time. Por siç po e theksoj përsëri, unë nuk jam sociolog dhe e pranoj mundësinë e gabimit qoftë në terminologji e qoftë në vlerësim.