Një hap larg kolonizimit

0
24

Adri Nurellari

Adri Nurellari, 19.11.2009

Botuar tek gazeta Shqip.

Për pjesën më të madhe të publikut shqiptar është padyshim ngazëllyes lajmi që Shqipërisë iu dha drita jeshile në procesin e aplikimit për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar. Gjithashtu akoma më entuziazmues është edhe prespektiva shumë e afërt e mundësimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës shengen të Bashkimit Evropian duke rrëzuar atë mur të madh prej vizash që zëvendësoi për shqiptarët murin e Berlinit. Ndryshimi që ka për të sjellë udhëtimi pa viza ka për të qenë radikal për shqiptarët të cilët kanë hequr picire të pakrahasueshme për të udhëtuar drejt perëndimit duke kapërcyer malet në këmbë e detin me gomone.
Mirëpo për disa aspekte ekziston një perceptim publik masiv relativisht i gabuar lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave mes shqiptarëve. Ky proces ka për të mundësuar udhëtimin por jo qëndrimin e lirë të bashkëqytetarëve tanë në vendet e zhvilluara evropiane. I ashtuquajturi koncept i Lëvizjes së Lirë ka për t’u përmbushur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE kohë kur një shtetas yni do lejohet të vendoset, jetojë e punësohet në një vend tjetër anëtar si të ishte shtetas vendas e jo i ardhur. Një tjetër perceptim i gabuar është bindja se me lëvizjen e lirë çdo shqiptari kanë për t’i ecur punët fjollë ndërkohë që nuk kuptohet se kur të vihet në jetë ai realitet, ne jo vetëm do eksportojmë krahë pune, por sipas të gjitha gjasave kemi për të importuar krah pune. Pra nuk ka për të patur thjeshtë shqiptarë që do lëvizin të lirë drejt perëndimit por edhe vetë tregu ynë i brendshëm i punës ka për t’u konkurruar ashpër nga prurjet që mund të vijnë nga jashtë.
Pikësëpari duhet vënë në dukje fakti që kostoja e krahut të punës në vendin tonë nuk është dhe aq e ulët, dhe sidomos kur bëhet fjalë për punë të kualifikuar të ardhurat janë relativisht të larta. Madje hera herës mund të konkurrojnë edhe me vende të BE-së perëndimore e jo më me vende anëtare të lindjes. Kështu për shembull në universitetet private një lektor me një diplomë master paguhet diku tek 25 euro neto për orë mësimi dhe duke patur parasysh që norma e zakonshme është pak a shumë 12 orë mësim në javë i bie që të marrë 1200 euro në muaj që është një rrogë e ngjashme me atë të pedagogëve shumë herë më të kualifikuar të universiteteve të Italisë dhe Spanjës.

Po të shikohen të dhënat e një studimi të kryer nga Observatori i Karrierës Akademike i Institutit Universitar Evropian dallohet se në Itali një koleg asistent pedagog merr bruto 1500 euro rrogë mujore ndërsa në Spanjë 1584 euro mirëpo po të merren parasysh taksat shumë të rënda që këto vende kanë duket qartë që këta lektorë të rinj me tituj apo proces doktorature pa të cilin s’mund të japin mësim andej çojnë në shtëpi një rrogë neto më të vogël se një asistent pedagog shqiptar që lejohet të japi mësim vetëm me titullin master. Konkretisht sipas OECD-së rrogave bruto italiane iu merren mesatarisht 45.2% në taksa kurse në Spanjë 39.1%. Duhet vënë në dukje se në konsideratë për të dhënë mësim zakonisht merren ata që kanë diploma universitare të huaja.

Kuptohet që po qe se pedagogu shqiptar është me titullin doktor i shkencave dhe ka një farë reputacioni, ose nëse pedagogu jep mësim në disa universitete private njeherazi, atëhere të ardhurat janë shumë më të majme. Në Poloni pastaj, sipas të njëjtit burim, në vitin akademk 2006-2007 një pedagog universitar me përvoje në mësimdhenie dhe me titullin profesor asociuar e ka pasur rrogën bruto 586 euro në muaj, që është një rrogë më e ulët se e një akademiku me titull profesor i asociuar që jep mësim në një universitet publik shqiptar, e jo më po të bëhet krahasim me ata që japin mësim në universitete private. Ukraina mandej e ka rrogën bruto të një profesori të asociuar 200 euro ndërkohë që një asistent pedagog në një universitet publik shqiptar e ka rrogën neto afërsisht 400 euro.

Eshtë folur vetëm duke bërë krahasime sasiore dhe duke marrë të mirëqenë që titujt janë ekuivalent pa vënë në dyshim cilësinë apo rigorozitetin e dhënies së titujve. është marrë enkas për krahasim profesioni i profesorit meqënëse përfaqëson më së miri idenë e një punonjësi shumë të kualifikuar. Ky shembull vlen për të treguar se kërkesa për njerëz të kualifikuar në Shqipëri është relativisht e lartë, sepse ne i kemi të pakët, e për rrjedhojë pagat për këta lloj individësh janë goxha të larta dhe konkurruese në nivel evropian. Krahasime të ngjashme kuptohet që janë të shumta edhe jashtë sektorit akademik.
Kështu po të shikohen përfaqësitë e investitorëve kryesorë të huaj në Shqipëri vështirë se shikon që në krye të këtyre përfaqësive emra shqiptarë, kryesisht janë grek, italianë ose të vendeve të tjera fqinje. Por edhe në listën e bizneseve vip apo të bizneseve shqiptare në përgjithësi vihen dendur re emra drejtuesish të huaj. Kjo gjë tregon se shtimi masiv i shkollave dhe studentëve në Shqipëri në vitet e fundit nuk ka sjellë rritjen e cilësisë së produktit shkollor dhe kapjen e standardeve ndërkombëtare duke i bërë të diplomuarit tanë që të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar. Rritja e kërkesave për profesionistë më të kualifikuar thjesht ka sjellë në Shqipëri më shumë të huaj. Padyshim që kjo rritje e kërkesës e për rrjedhojë e pagesës për persona të kualifikuar ka edhe efektin pozitiv të rikthimit të trurit ( brain gain) po me sa duket diaspora jonë nuk ka kultivuar detyrimisht shumë njerëz shumë mirë të shkolluar që të përmbush këto nevoja.
Eshtë interesant fakti që edhe ato sektorë që janë zhvilluar në mënyrë të veçantë në vitet e fundit nuk kanë shkaktuar ndonjë rritje thelbësore të cilësisë së krahut të punës. Kështu për shembull media elektronike ka spikatur në mënyrë të veçantë si një sektor ku janë nivestuar fonde të mëdha e megjithatë shpesh kompanive mediatike iu duhet që në mungesë të shqiptarëve të kualifikuar të pajtojnë ekspertë të huaj si regjizorë, skenaristë, skenografë etj. Kuptohet kjo ndodh në rastet kur televizionet nuk i kanë marrë të gatshme modelet duke plagjiaruar krejtësisht deri në detaj emisionet e transmetuarë na perëndim. Madje spotet kryesore publicitare dhe klipet kryesore muzikore që transmetohen në Shqipëri prodhohen në Maqedoni pasi ne ende nuk kemi ekspertë të niveleve të larta paçka se paraja është hedhur lumë në atë fushë.

Edhe në ndërtim vihen re shënja të tilla kur fasadat e rrokaqiejve luksoz të Tiranës janë montuar nga punonjës kinez apo kurdë ndërëkohë që janë të panumërt punëtorët shqiptarë të ndërtimit që presin më kotë për punë tek ushtari i panjohur. Edhe po të shohësh kompanitë e marketingut apo marrëdhënieve me publike në Tiranë nuk ëshë çudi që të gjesh në krye të listës kompanitë që janë degë të vendeve fqinje si Maqedonia apo Greqia. Kjo situatë është akoma më pikante në kontekstin shqiptar, në kushtet kur ekonomia jonë ka kaluar në postmodernizëm, pa u modernizuar fillimisht. Pra në kushtet kur kemi një sektor të madh shërbimi e një sektor prodhimi në miniaturë. I pari kërkon burime njerëzore të kualifikuara, i dyti kërkon forcë punëtore masive. Për ta bërë akoma më të zymtë prespektivën e burimeve njerëzore shqiptare duhet të mos harroet të përmendet edhe etika profesionale dhe rendimenti. Si një trashëgimi e keqe e komunizmit por ca edhe lidhur me të qenurit mesdhetar neve na është mbrujtur një stil pune jo dhe aq konkurrues në nivel ndërkombëtar.

Jo më kot fabrikës së madhe të çimentos në Fushë Krujë i ka leverdisur më shumë që të sjellë nga hemisfera tjetër e mbaj në punë qindra punëtorë kinezë që kanë pretendime modeste, janë të palodhur e kokëulur sesa të marrë me rroga më të larta punëtorë shqiptarë të cilët vështirë se punojnë rregullisht pa u ndalur të pijnë nga dhjetë cigare, të shkëmbejnë nja pesë thashetheme, të pijnë dy-tre kafe në ditë e ta zgjasin dy orë vaktin e drekës.
Me pak fjalë lëvizja e lirë do ketë një impakt që nuk është menduar shumë seriozisht në Shqipëri e që lidhet me nënshtrimin e burimeve njerëzore mediokre tona ndaj një tregu të madh dhe agresiv ndërkombëtar. Nëqoftëse ne deri më sot kemi eksportuar burime njerëzore, se shpejti mund të bëhemi tërheqës për burime njerëzore të huaja e të importojmë për të mbushur pozicione kyçe për të cilat nuk ka konkurrentë shqiptar. Mbase anglezët, gjermanët apo hollandezët nuk do joshen nga tregu ynë e sdo vijnë në Shqipëri, por padyshim tregu ynë ka për të qenë shumë joshës për profesionistë të rinj të kualifikuar mirë të vendeve fqinj si Maqedonia, Serbia, Bullgaria të cilët do tërhiqen të vijnë në Shqipëri jo vetëm nga rrogat që do mund të sigurojnë në Shqipëri që shpesh janë më të majme se të vendit të tyre, jo vetëm nga afërsia gjeografike e nga fakti që me përmirësimin e mëtejshëm të rrugëve duke punuar në Tiranë do jenë vetëm 4-5 orë larg vendlindjes ku mund të kthehen rehat me makinë çdo fundjave, por edhe sepse tek ne ata nuk do gjejnë konkurrencë të fortë.
Por ajo që e bën akoma më të sterrosur situatën është fakti që importimi i burimeve njerëzore është veçanërisht i lehtë për fusha që kanë të bëjnë me shkencat ekzakte apo të aplikuara apo teknologjinë e lartë. Kjo pasi për të tillë krah pune sikurse janë inxhinierët apo informaticienët është shumë më e lehtë transferimi në Shqipëri sepse njohja e gjuhës shqipe, traditave apo konteksti kulturor është pothuaj e panevojshmë për ta në ushtrimin e profesionit të tyre ne vendin tonë. Për më tepër që nevojat për profesionist të këtyre fushave ka për të ardhur në rritje e shkollat tona nuk janë të gatshme që të përgatisin kuadro për të përballur këtë kërkesë kështu që sipas të gjitha gjasave do e kompensojmë me importin. Fatkeqësisht të gjitha shkollat sikurse edhe maturantët i janë vërsulur degëve të shkencave sociale, si jurisprudenca, ekonomia, shkencat politike dhe gazetaria ndërkohë që numri i inxhinirëve është i papërfillshëm. Këtu deri diku bëjnë përjashtim inxhinierët e ndërtimit të cilët me ketë krizë që po kalon ndërtimi do jenë të padobishëm për disa vite radhë. Me dhimbje duhet vënë në dukje se edhe pjesa dërmuese e studentëve shqiptarë që studiojnë në perëndim duke marrë një arsim më cilësorë kanë ndjekur studimet për shkenca sociale apo humanitete.
Situata që pret të na vijë do jetë deri diku e ngjashme me atë të ish-kolonive britanike, ku përveç të bardhëve anglez që ishin kolonizatorët e drejtpërdrejtë, supremaci të madhe kanë indianët. Këta të fundit duke patur arsim të mirë, shpirt sipërmarrje dhe zell punëtorësh ata kanë lëvizur nga gadishulli indian në koloni të tjera britanike dhe janë shndërruar në vende si Afrika e Jugut apo Fiji si një lloj i ri kolonizatorësh. Falë epërsisë që kanë në konkurrimin me popullsisë vendase ata kanë mundësuar të shtien në dorë një pjesë të mirë të biznesit, politikës, medias si dhe shoqërisë civile. Nëse teprohet pak dhe bëhet një paralelizëm në vija të trasha shqiptarët ballafaqohen me një rrezik në një far mase të ngjashme, sepse brenda një “perandorie” të re me metropol në Bruksel, tek ne kanë për të ardhur për të na konkurruar jo qytetarët e metropolit, por të tjerë përfaqësues të periferisë, sikurse janë fqinjët tanë për ne, e sikurse janë indianët për afrikanët. Pra nëse vijohet me këtë ritëm, brenda Bashkimit Evropianë, falë lëvizjes së lirë tek ne do dynden bullgarët, serbët apo rumunët e kualifikuar mirë që do zënë poste menaxheriale, drejtuese apo inxhinierike, ndërkohë që shqiptarët do jenë të aftë të mbushin kryesisht postet e “hyzmeqarëve”.
Kjo analizë padyshim që nuk bën thirrje për masa proteksioniste. Këto masa nuk zgjidhin gjë përveçse dëmtojnë më tej cilësinë e shërbimeve apo produkteve që marrin konsumatorët, inflacionojnë më tepër tregun e të kualifikuarve shqiptarë duke i bërë gjithashtu ata që në të njëjtën kohë të mos avancojnë sepse imunizohen nga trysnia e konkurrencës së jashtme. Kjo analizë në fakt synon që të tërheqë vëmendjen nga retorika populiste dhe e zbrazët e kërpudhizimit të arsimi të lartë si dhe nga entuziazmi i tepruar për faktin që do mund të vizitojmë të afërmit dhe monumentet e perëndimit pa patur nevojën e vizave, drejt disa implikimeve akoma me serioze që së shpejti kanë për të nxjerre hapur në pah paaftësinë e shkollave tona dhe burimeve njerëzore shqiptare.