Nga Mero Baze
Dy herë radhazi, përpara se të ndodhte tragjedia e Gërdecit, kam shkruar përciptas rreth historisë së dyshimtë që zhvillohej aty nga bashkëpunimi i ministrit të Mbrojtjes me djalin e kryeministrit. Hera e parë ishte diku në mes të nëntorit 2007 në një TV të Tiranës, pas dorëheqjes së detyruar të ministrit Rusmali dhe herën tjetër ishte një editorial i botuar në gazetën “TemA”, në janar 2008, rreth tre muaj para tragjedisë.
Pati një kuriozitet të zbehtë, dhe kur të pyesnin më gjatë dhe u shpjegoje se çfarë po ndodhte, shumica të ndërpriste bisedën si një gjë pa interes. Në tërësi dominonte logjika se qenka gjë teknike, diçka ushtarake, diçka me amerikanë, dhe aty mbyllej gjithë kurioziteti. Pasi Gërdeci shpërtheu dhe aty u vranë 26 vetë, historia u bë shumë e fortë dhe njerëzit kërkonin qind për qind të kundërtën, jo më arsyet teknike pse shpërtheu, po kush po fitonte pará aty. Dhe pas nisjes së hetimeve dhe bllokimit të gjyqit ndaj Fatmir Mediut, kjo histori është zbehur dhe po prodhon viktima të tjera, tashmë nga dëshpërimi, siç ishte babai i vajzës së vogël, që u vetëvra dy ditë më parë.
E njëjta sjellje e opinionit publik po demonstrohet dhe për atë çfarë ka ndodhur në tunelin e Kalimashit. Shembja në Tunelin e Kalimashit nuk është, as fenomen gjeologjik, as paaftësi profesionale inxhinierike, dhe mbi të gjitha as një fenomen që ndodh rëndom në botën e atyre që hapin tunele. Shpjegimet korrekte të inxhinierit të kompanisë ndërtuese për deputetët e opozitës në të vërtetë zbulojnë gjithë historinë korruptive të këtij projekti. Ana inxhinierike e ndërtimit të një tuneli nuk është kurrsesi korruptive. Ajo mund të jetë e shtrenjtë apo e lirë, varësisht formacionit apo vështirësisë, por kurrsesi e pamundur. Korruptive në historinë e tunelit është ajo që tha inxhinieri, që kompania ndërtuese ka arritur të sigurojë një “kontratë të artë”, ku të fillojë dhe të mbarojë tunelin pa pasur nevojë për një studim gjeologjik që të parashihte fenomenet, por sipas stilit “me të parë, me të bërë”. Kjo “kontratë e artë” i jep një kompanie gjigante si “Bechtel-Enka” mundësinë ta çojë sa të dojë faturën e tunelit, sidomos pasi e ka parë qartazi se brenda gjatësisë prej afro gjashtë kilometrash ka gati 5 kategori shkëmbinjsh të ndryshëm.
Një inxhinier i vjetër gjeolog më shpjegonte dje se harta gjeologjike e zonës e ka të parashikuar qartazi dhe në atë shkallë që është ndryshimin e formacionit dhe shkëmbinjtë serpentinorë që gjenden në atë zonë dhe se një studim i një kompanie italiane, që ka tentuar të ndërtojë këtë vepër në vitin 2004, e ka të detajuar këtë. Vetë “Bechtel-Enka” ka kapacitete të padiskutueshme për t’i “bërë skanerin” paraprakisht përbërjes shkëmbore të tunelit. Korrupsioni këtu qëndron se ata kanë interes për “të papritura që kushtojnë” dhe qeveria ua ka siguruar këtë luks me kontratën.
Tashmë debati në opinionin publik po përpiqet të thjeshtëzohet si debat teknik, madje fjalori ironik i ministrit Olldashi për deputetët e opozitës shkonte deri në ekstrem duke e paraqitur atë si një pafuqi njerëzore përballë serpentinitëve që qenkan shfaqur në mes të tunelit. Duke u keqngatërruar në këtë debat teknik dhe duke mos pasur nerva të kuptojnë thelbin e korrupsionit në këtë histori, qeveria po ngulmon te versioni i saj se kjo është një çështje teknike.
Por, sikur nga shembja, që shkon nga 50 metra në 80 metra linearë brenda tunelit, të ishte varrosur e gjallë ndonjë brigadë punëtorësh ose qoftë dhe një punëtor, tanimë debati do të ishte krejt i ndryshëm. Tani ne do vajtonim viktimat, do ishim sensibël përse ka munguar me dashje një studim i detajuar gjeologjik, përse nuk janë bërë shpime, pse ka nisur puna pa studim gjeologjik (as ligji anglez i Lulzim Bashës nuk e lejon këtë), dhe mbi të gjitha pse nuk ka përgjegjës për këtë skandal. Duke mos pasur viktima dhe falë Zotit që nuk ka pasur, ne tërhiqemi nga një debat publik që duhet bërë më fort se kurrë, pikërisht pse nuk ka viktima dhe që mund të parandalojmë viktima.
Gërdeci pa viktima ishte një histori e mërzitshme korruptive, për të cilën Shkëlzen Berisha të mburrej në tavolinë, madje të ankohej që po e zvarrisnin për një punë që po bënte në Vorë me ca amerikanë. Pas tragjedisë nxitoi të fshehë emrin e burrit të tezes, kunatit të Rrahmanit, Rrahmanit, dhe deri te njerëz të tjerë të punësuar në Familje. U përpoq të mohonte që kishte lidhje me Delijorgjin, harroi tabulatet, harroi dëshminë e sekretares së ministrit, harroi që errej e gdhihej me Fatmir Mediun, harroi që përgatiste lobimin për kontratën duke qenë pritësi i gjithë komenteve të gjithë ministrive për këtë VKM. Sot jemi në një situatë të ngjashme, por për fat pa viktima. Historia e tunelit është po aq korruptive, për të mos thënë me fort se e Gërdecit, jo vetëm për sasitë anormale të miliardave, por dhe për faktin se në vend të të birit është babai. Dhe duket se ka një përpjekje për ta anashkaluar vetëm pse aty nuk vdiqën njerëz, dhe vetëm pse dikush do të bëjë ironi me qindra milionë euro që ikin nga xhepat tanë dhe s’dihet në çfarë xhepash kanë shkuar dhe shkojnë.