Nga Ernest Bunguri, Bruksel
Një mik i ngushtë, polak, më mori dy orë kohë në telefon për t’i shpjeguar skandalin e deklaratës së ministres Bregu nga Brukseli. Asnjë gjë nuk kuptoi. E si mund ta kuptonte ai atë që ndodh qëmoti me vizita të tilla. Shushatja e Majlinda Bregut sot shihet qartë sepse vëmendja është në maksimum, por njësoj si ajo, në të kaluarën dhe në të tashmë janë sjellur dhe sillen pjesa dërrmuese e zyrtarëve dhe zyrtarucëve që vijnë në Bruksel.
Ashtu të shtënë në kostume që nuk janë prerë për trupat e tyre, teksa thithin me epsh ndonjë cigare jashtë dyerve të xhamta të Komisionit, ia hedhin e presin njëri tjetrit: e pe ça ju bona, i iky ftyra evropianit. E ndërsa këta zyrtarucët tanë që bëhen gazi i mediave të Belgjikës kur ju vjedhin valixhe diplomatike pa asnjë dokument konfidencial brenda, i shpërndajnë duhan njëri tjetrit me bindjen se ia kanë futur ekspertëve të palës përballë të cilët kanë kaluar nga 10 deri në 15 vende të tjera ndër duar, “elefantët” e mëdhenj hallin e kanë ç‘do i përrallisin publikut, ç‘do i thonë të bukur për sot e për më shumë, a do i pëlqejë kjo Atij që kanë mbi krye, gati gati si në një provim të përditshëm para Dr.profesor gënjeshtrës në vend.
Për ta theksuar sa më fort, për herë të parë Komisioni Evropian detyroi një ministre shqiptare të tërheqë nga faqja zyrtare e saj një deklaratë të turpshme. Po aq e turpshme dhe gënjeshtare sa qarkorja e famshme e ministrisë së jashtme që deri vonë ka bërë dëme të pariparueshme edhe në Bruksel. Zhveshja lakuriq e një ministreje të papërgjegjshme shpjegon dhe vizitat sekrete (pse sekrete vallë) të ministrit të jashtëm apo ministrave të tjerë, por edhe takimin sekret të kryeministrit Berisha me Komisionerin Fyle, ndërsa mediat ishin njoftuar zyrtarisht nga misioni ynë në BE se Berisha shkonte në një takim partiak si PPE para do javësh. Për të gënjyer ? Prandaj fshihen? Për të vazhduar lojën e pasqyrave derisa të mos mbetet më i huaj në këmbë pa na përqeshur e marrë nëpër këmbë për faj të këtyre gënjeshtarëve të pandalshëm profesionistë e dritëshkurtër.
Këto javë tensionesh pafund në Shqipëri kanë prekur mirë edhe ata persona që mbulojnë vendin që këtu. Nuk çuditesh më kur ndonjëri prej tyre, përfaqësues i një vendi të rëndësishëm, ta plas në fytyrë, kam parë një makinë të mbushur me eksploziv që shpërthente derën e kryeministrisë. Ç’ti thuash e në ç’gjuhë t’ia thuash këtij që beson atë që e përgënjeshtroi vetë Sokol Olldashi kur i rrëshqiti “pa dashje” nga goja.
Apo ka dhe skena të tipit, një zyrtare e Komisionit që ia hedh një përfaqësuesi të një vendi tjetër anëtar, si shumë po e mbroni Berishën. E ai që ja kthen aty për aty, po edhe ju Ramën. Sot në kafet me diell të lagjes evropiane batuta të tilla i dëgjon pa lypur hiç për to.
Këto skena të bëhen po aq absurde sa agresiviteti, urrejtja, plagosjet e vrasjet me stil mafioz italiano-jugor: motorçikleta me pistoleta, në Shqipëri. Pasojë gënjeshtrash të ulëta dhe fitoresh prej hileqarësh me bisedime patetike teknike të brendshme për konsum fushatash politike nga mëngjesi në darkë, ditë për ditë, pa mëshirë.
Sot vlen më shumë se kurrë ajo që një mik slloven më thosh pesë vite më parë, që shqiptarët do të hyjnë në familjen e madhe evropiane ditën kur do të kuptojnë se po gënjyen Brukselin, gënjejnë veten, se ato premtime që japin këtu duhet ti realizojnë në vendin ku jetoni e ku mund t’i shihni me sy e t’i prekni me dorë e jo vetëm ti dëgjoni me veshë.
Një gënjeshtër më pak sot, me këmbënguljen e Komisionit që rregullisht ia bëjnë copë ato të shkreta deklarata sikur çoç janë e çoç thonë që se dinë shqiptarët, dëshmoi qindra e mijëra gënjeshtra të tjera që ju përsëriten e ju përplasen në fytyrë, pse të pambajtura, të prandryshuara nga fushatat e mëparshme edhe sot. Pa pikë turpi!
E si mund të lë mënjanë një të bukur ndër to, me Lulin, meqë e kam merak. Nuk i mbaj mënd të gjitha premtimet që jep, por pak prej tyre të nguliten, siç është premtimi për tramvaj (që shtoji parlamentin e Jozefinës) s’di nga e nxjerrin këtë që s’kemi lekë për aparate verifikimi për kartat e identitetit se na ka rënduar shumë procesi i vizave. Por ajo që më tronditi më shumë ishte fjala e dhënë për 30 mijë vende pune. Për këtë, edhe unë ju garantoj që fjalën e mban, por e rëndësishme është të shpjegojmë për ata që nuk e kanë lexuar fletëpalosjen si funksionon Luli, se si fitohen ato vende pune.
Me sa kam parë unë, njerëzit që janë punësuar prej tij në karrierën si ministër në tre ministritë ku ka punuar, u është kërkuar tesera e PD, si kusht i panegociueshëm në formë përkatësie e përuljeje ndaj tij dhe partisë-shtet. Sigurisht nëse aplikantët nuk kanë treguar që në fillim servilosje dhe përulje të asaj cilësie që nuk kërkon domosdoshmërisht teserë partie.
Në ministrinë e jashtme pati bërë kërdinë duke emëruar gjithfarësoj diplomatësh, për t’ju lidhur rroga nga buxheti i shtetit. Ndër to kish dhe persona që kishin fituar statusin e refugjatëve politikë, të cilët domosdo që shteti belg nuk i akreditonte pasi shkelej ligji, ndërkohë që qytetarët e varfër shqiptarë iu pagonin rrogat që ata ti shërbejnë Lulit. I pyetur për politizimin e administratës publike në një konferencë për shtyp krah presidencës çeke të BEsë, Luli u përgjigj fillimisht se BE e ka me qeverisjen lokale, ndërsa pas përmendjes së azilantëve-diplomatë me firmën e tij, atë kohë pa iu dridhur buza shtoi se kishte respektuar ligjin (me të cilin ishte në kundërshtim të plotë) e se nuk ishte as hera e parë as e fundit që do e bënte këtë gjë. Pra Luli i mban premtimet, por ata që i besojnë bëjnë mirë të fusin ndonjë teserë PD-je në xhep e të japin prova se janë të flaktë nëse duan të përfitojnë realisht ndonjë vend pune po u zgjodh ai kryetar bashkie.
Për një gënjeshtër më pak nga të gjithë ata që duhet të ndjekin shembullin, dhe për këtë duhet falenderuar Majlinda që hoqi deklaratën për shtyp me gjithë faqe, më kujtoi fillesën e kësaj gafe që i përngjan asaj shprehjes së famshme të disa lebërve që e kishin pyetur Ismail Qemalin se ç‘mendonte Evropa për delet e tyre.
Pasi ia rrëfeva, e pyeta mikun tim polak për të cilin ju fola në fillim të shkrimit, e kupton ti këtë histori. Jo më tha. Epo iu përgjigja, s’mund të të shpjegoj çfarë skandali ka bërë ministrja jonë në Bruksel se nuk do ta kuptosh, punë delesh është.