Një gardist milioner!

0
42

Mero Baze, 19.11.2010

Lexova dje deklaratën për shtyp të akuzuarit për vrasje në tentativë, Fatos Skeja, i cili është ende punonjës i Gardës së Republikës në dispozicion të Personaliteteve të Larta. Bënte kujdes të mos shpjegonte si e kishte nisur këtë punë, dhe si kishte mundur që pa u shkëputur aspak nga puna të bëhej milioner.

Dokumentet që shtypi ka botuar këto ditë flasin se ai është një investitor i rëndësishëm në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Ka një pjesë të rëndësishme të Pallatit të madh tek Zogu i Zi, ka qenë pjesë e projektit të Liqenit me 20 për qind, dhe ka një sërë biznesesh të tjera shërbimesh në Tiranë, si kafene apo biznese të tjera më të vogla.

Pra, thjesht është një milioner, i cili nuk heq dorë nga puna si “shoqërues i Personaliteteve të Larta” në Gardën e Republikës.

Ky rast na risjell dhe një herë problemin e lidhjes së politikës me krimin dhe korrupsionin në vend dhe na jep shumë përgjigje përse bota e nëndheshme e korrupsionit tek ne komandohet nga politika. Unë nuk mund të paragjykoj pse ky “gardist” është bërë i pasur. Ky është fati i tij dhe ta gëzojë.

Unë paragjykoj faktin që ky gardist i pasur, nuk heq dorë nga puna e shtetit si “shoqërues i Personaliteteve të Larta” por vazhdon të rrijë aty, edhe pse bizneset e tij të pafundme i japin mijëra herë më shumë të ardhura se rroga modeste dhe puna jo fort e këndshme për “njerëz krenarë”, siç mendohet gabimisht se është puna e shoqëruesit të një personaliteti në Shqipëri.

Në të vërtet fakti që ai punon në Gardë edhe pse ka aq shumë biznese, na krijon paragjykimin e parë se ai ka bërë pasuri pikërisht duke qëndruar pas “personaliteteve” shqiptare, herë pas kryeprokurorëve, e herë pas familjeve në pushtet.

Arsyeja pse një tip i tillë ka më të çmuar kartëvizitën e Gardës se sa atë personale, na tregon se kush e ka kapur shtetin në Shqipëri dhe cila është gjuha e pasurimit të një njeriu të zakonshëm që nuk ka asnjë dhunti të veçantë apo bonos në biznes, veç faktit që paguhet për të “shoqëruar personalitetet”.

Nuk dua t’i hyj karrierës së tij në Gardë, kualifikimeve të tij, arsyeve që ai përmbush duke qenë njeri që duhet të shoqërojë personalitete të larta, por do të mjaftonte gjesti i fundit për të kuptuar sa të rrezikuar janë “personalitetet tona të larta” nga shoqërues të tillë.

Asnjë zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, që është i ndershëm dhe i pastër në historinë e karrierës së tij, nuk do të preferonte të kishte shoqërues një njeri të tillë, përveç atyre që kanë peng tek njerëz të tillë fëmijët apo ndonjë histori të mitmarrjes së tyre. Shqipëria ka sot plot djem të rinj të shkolluar dhe të aftë, që mund të punësohen si shoqërues personalitetesh, që dinë të sillen dhe të ruajnë etikën e shoqëruesit të një personaliteti.

Fakti që këta njerëz mbeten jashtë Gardës dhe në vend të tyre aty punësohen milionerë, që u duhet makina e Gardës që të mos i ndalë dhe t’i kontrollojë policia për mallin apo njerëzit që kanë brenda, tregon në të vërtetë fytyrën reale të pushtetit të sotëm.

Sali Berisha e ka pas këtë njeri në shoqërinë e djalit të tij ditë e natë për vite të tëra dhe duhet çmuar guximi i tij si baba, kujt ia ka dorëzuar fatin e djalit për kaq vite, pasi fare mirë në atë tryezë ku ky gardist nxori armën mund të kishte goditur dhe djalin e kryeministrit dhe do të ishim para një historie edhe më të rëndë.

Sali Berisha mund t’i ketë dhënë këtij gardisti dhe pasaportë diplomatike, meqë shoqëron personalitete dhe oficerët e pikave kufitare mund të kenë qenë të rrezikuar nëse i bënin pyetje provokuese këtij udhëtari, pasi mund të kishin fatin e 21- vjeçarit nga Tepelena.

Sali Berisha ka ndihmuar biznesin e këtij njeriu duke çuar zyrat e shtetit tek pallati i tij tek Zogu i Zi, pa ditur se ka rrezikuar jetën e zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme që merren me legalizimet, nëse dikush prej tyre mund t’i kishte prishur qetësinë ndonjë ditë këtij njeriu.

Por mbi të gjitha Sali Berisha dhe pushteti i tij na ka fyer të gjithëve në përgjërimin e tij për “kafshatën” dhe njerëzit e varfër, kur milionerët i dypunëson për t’u shtuar pasurinë dhe të papunët si 21 vjeçarin nga Tepelena i vret që ditën e parë të punës.