
Preç Zogaj, 14.12.2010
Lëvizja Studentore Intelektuale e dhjetorit 1990 është përkujtuar kurdoherë me dëshmi dhe spektakle. Këtë vit, për shkak të përmbytjeve në Shkodër, nuk pati mitingje, koncerte apo ceremoni festive. Rrjedhimisht, dhjetori kësaj radhe sikur u la i lirë për të folur më shumë e dëgjuar më shumë për Lëvizjen Studentore. U intervistuan përsëri pjesëmarrësit kryesorë në atë Lëvizje. U ribotuan dhe u ritransmetuan intervista dhe prononcime të protagonistëve që nuk jetojnë më.
U thanë pak a shumë të njëjtat gjëra, me ca shtojca të vogla këtu e heqje të vogla atje-produkt i harresës që ka nisur të bëjë të veten, por edhe i retushimeve dhe rregullimeve të qëllimshme. Kam bindjen se kur ka parë ritransmetimin e bisedës së tij të fundit me gazetarin Blendi Fevziu për Lëvizjen e Dhjetorit, kryeministrit Berisha mund të jetë ndier keq me dy tre pasaktësi, në radhë të parë me momentin e zgjedhjes së tij për herë të parë si kryetar i PD-së. Ai tha se është zgjedhur kryetar i PD-së me shtatëdhjetë për qind të votave nga aktivi! Pa treguar një datë dhe pa specifikuar se për cilin aktiv e kishte fjalën. Është kaq flagrante pasaktësia, sa nuk të shkon mendja se është bërë me qëllim.
Dhe nuk të shijon as ta përgënjeshtrosh. Por, nga ana tjetër, harresa mund të jetë me shqetësuese se sa një sajesë për kryeministrin e vendit. Zoti Berisha është rizgjedhur shumë herë kryetar i PD-së, por ngjarja kryesore në gjithë karrierën e tij politike është zgjedhja për herë të parë kryetar i PD-së me 14 shkurt 1991 në mbledhjen e nëntëmbëdhjetë anëtarëve të Komitetit Drejtues të PDSH-së. Si mund të ngatërrojë njeriu ngjarjen kryesore politike të jetës? Zoti Berisha është personazh kyç i Lëvizjes së Dhjetorit. Ai mund të bëje politikë korente me mënyrën si i sheh ato ngjarje, por nuk i lejohen pasaktësitë me datat dhe ngjarjet e dokumentuara.
E sollëm këtë shembull për të ndrequr shpejt e shpejt një gabim të freskët. Por duhet thënë se në përgjithësi, pavarësisht zbukurimeve apo retiçencave, ngjarjet e Dhjetorit 1990 janë treguar drejt nga ata që kanë folur e shkruar për to. Besnik Mustafaj u ka kushtuar një vend nderi në librin e tij të njohur “Midis krimeve dhe imazheve”.
Blendi Fevziu ka sjellë dëshminë e tij në librin “Piedestalet pa statuja”. Të dy këto libra janë shkruar e botuar herët. Janë shënime që ruajnë freskinë dhe çiltërsinë e kronikave të hedhura në letër në kohë reale me zhvillimin e ngjarjeve. Pamjet e Lëvizjes që ndriçojnë këto dy libra – pamje të pjesshme sigurisht – nuk janë venë ndonjëherë në diskutim për sa i përket vërtetësisë së fakteve. Janë tjetër gjë opinionet, interpretimet rreth tyre.
Intervistat e Berishës, Pashkos, Hajdarit, Imamit, Shinasi Ramës, Meksit, Edi Ramës, Gjinushit, ish-presidentit të kohës, Ramiz Alia e shumë të tjera, sikurse shënimet e pasura dhe të pakrahasueshme për nga konkretësia e episodeve dhe detajeve të Mitro Çelës, kanë ndriçuar faqe dhe kënde të tjera të zhvillimeve politike të asaj kohe. E gjithë kjo nuk do të thotë ende se e vërteta është treguar e plotë.
Ka gjithnjë burime dhe mundësi të reja për të shkuar më tutje, edhe pse në pamje të parë duket se Lëvizja a e Dhjetorit ka zgjatur pak dhe nuk ka më shumë se katër pesë kulme për t’u shteruar dhe dy- tre “mistere” për t’u zbuluar. Në fakt, e reja e këtij njëzetvjetori pa spektakle dhe koncerte të zhurmshme mendoj se janë katër prurje apo dëshmi që pasurojnë gamën e këndshikimeve dhe ngrenë në nivelin e dokumentimit disa të vërteta të Lëvizjes së Dhjetorit. Ato janë: Dokumentari televiziv i gazetarit Blendi Fevziu; Libri “Dokumente” i përgatitur nga ish kryeministri Aleksandër Meksi, një dosje e gazetares Luljeta Progni dhe shënimet e Shinasi Ramës.
Dokumentari i Fevziut nuk është shfaqur ende për publikun e gjerë, por unë pata rastin ta shoh në shfaqjen premierë në teatrin e televizionit “Klan”. Si pjesëmarrës dhe njohës nga më të mirët e Lëvizjes së Dhjetorit, Fevziu ka mëtuar dhe mendoj se ia ka dalë më mirë se gjithkush tjetër deri më sot të rindërtojë orë pas ore, nganjëherë edhe minutë për minutë, me pamje të reja dhe me dëshmi të dëshmitarëve, katër netët dhe tre ditët e para të Lëvizjes.
Pra, periudhën nga mesnata e tetë dhjetorit kur nisi protesta e parë deri në mesnatën e 11 dhjetorit kur u vendos krijimi i PD-së. Që nga libri i tij i hershëm “Piedestalet pa statuja”, Fevziu ka ardhur duke i pasuruar burimet e informacionit për këtë periudhë të stuhishme. Ai ka intervistuar gjerë e gjatë shumicën e aktorëve politikë të asaj kohe, gjë që i ka dhënë mundësi të pohojë dhe njëkohësisht të dyshojë aty ku dëshmitë lënë të çara. Në dokumentarin e fundit, Fevziu sjell filmime dhe dokumente të panjohura deri me sot.
Për herë të parë vinë pamjet e protestës së tetë dhjetorit, filmuar në kushte klandestiniteti nga kameramani Robert Stringa i Institutit të lartë të Arteve, E dinim ” të humbur” protestën që ndau në dysh fatin e vendit. Mendonim me dëshpërim se episodi më epik i përpjekjes së një brezi për Liri dhe Demokraci ishte fshirë ne terrin e një nate shqiptare, nën hakërrimat dhe kërbaçin e shtetit të dhunshëm. Por rasti apo vetë historia sikur e kishin çuar me dorë kameramanin Stringa në vendin e përballjes së parë. Pamjet janë të turbullta, nuk shohim fytyra por silueta, dëgjojmë zëra, thirrje, parulla; ndjejmë shpërthimin e të folurës së lirë pas dekadave të heshtjes dhe belbëzimit.
Po çfarë ndodhte në zyrat e shtetit të atëhershëm? Dokumentari në fjalë sjell për herë të parë fragmente nga mbledhja e Komitetit Qendror të atyre ditëve dhe filmimet e një takimi të ngushtë të zyrtarëve më të lartë të partisë dhe qeverisë. Janë pamje që flasin shumë jo vetëm për pozicionin dhe lojën politike në anën tjetër të barrikadës, por edhe për atriofizimin tragjikomik që prodhon izolimi dhe paranoja.
Zgjerimi i fushëpamjes me skena dhe dëshmi ku gazetari nuk ka mundur të jetë apo ku nuk mund të ishte i pranishëm ka rritur shkallën e objektivitetit të dokumentarit të tij. Por ndërkaq, ndërsa tenton t’u afrohet sa përmes dëshmive aq edhe përmes arsyetimit, Fevziu i lë hapur pikëpyetjet që kanë të bëjnë me faktin se kush e ndezi Lëvizjen, cili ishte roli i PPSH-së. Në këtë pikë dokumentari i Fevziut rrezonon deri diku me shënimet e Shinasi Ramës, botuar së fundi në gazetën “Shekulli”. Filmimet e protestave studentore nga Agim Buxheli, sikurse filmimi i takimit të ish Presidentit Ramiz Alia me studentët tregojnë qartë pozicionin e avancuar të Shinasi Ramës në lidhje me pluralizmin dhe karakterin politik të Lëvizjes Studentore.
Në leximin e tij të ngjarjeve të Dhjetorit dhe pasojave që ato prodhuan në jetën politike të vendit, Shinasi Rama jo vetëm ka ngritur dyshime, por ka qenë edhe i prerë në pikëpamjen e tij se regjimit i interesonte një Lëvizje studentore e kontrolluar, por në çështjet kyçe Lëvizja i doli nga duart falë etjes së studentëve për liri dhe demokraci të vërtetë. Dëshmitë, interpretimet, apo pikëpamjet që sjell Shinasi Rama janë një fotografi e diversitetit që ka karakterizuar Lëvizjen. Në atë diversitet u plazmua produkti i saj nëpër vite. Injorimi apo censurimi i tyre cungon, për të mos thënë deformon të vërtetën e Lëvizjes.
“Dokumentet” e Aleksandër Meksit vinë si një sistemim i mirë të dhënash brenda një libri. Ato ndihmojnë njohjen, i shërbejnë asaj. Por janë edhe një pengesë për tundimet dhe shikimet fantaziste të historisë. Në të vërtetë, në mjaft aspekte, Lëvizja e Dhjetorit dhe fillesat e PD-së tregohen shpesh si histori orale. Kjo ka ndodhur ngaqë në atë kohë pjesëmarrësit në ato ngjarje motivoheshin nga ndjenja e ndryshimit dhe jo nga ndonjë ide e hyrjes në histori.
Me kalimin e kohës, është vënë re se mungesa e protokolleve të nënshkruara i ka krijuar dhe vazhdon t’i krijojë hapësirë spekulimit. Por në disa mbledhje të fillimit janë mbajtur protokolle. Ato panë dritën e botimit këtë vit në dosjen e gazetares Luljeta Progni. Pavarësisht se këto protokolle nuk u janë lexuar e nuk janë nënshkruar nga pjesëmarrësit dhe reflektojnë vëmendjen subjektive të studentes që i ka mbajtur, ato janë dokumente të rëndësishëm për të kuptuar frymën e kohës.
Shihet qartë sërish se themeluesit apo drejtuesit e PD-së në atë kohë kanë vetëdijen se janë thirrur në politikë për të çuar përpara alternativën e tyre, por nuk janë shënuar nga një thirrje e historisë, siç thuhet për heronjtë pasi vdesin apo për tipat diktatorialë pasi triumfojnë. Kjo për mua është e natyrshme, njerëzore. Ngjarjet historike nuk fabrikohen, as paracaktohen. Historia, siç thuhet, zgjedh vetë çfarë i duhet të mbajë dhe çfarë i duhet të hedhë. Dalëngadalë, edhe Lëvizja e Dhjetorit po zbulohet e njëkohësisht po zhvishet nga gjërat e tepërta.
Me fjalë të tjera, po kalon nga faza e dëshmive dhe kronikës në histori. Pikërisht në këtë fazë, lapsuset, harresat apo spekulimet tingëllojnë me keq se kurrë. Nuk është problem se pasaktësitë apo gënjeshtrat e vogla mund të deformojnë thelbin e historisë. Përvoja ka treguar se sajimet nga një vesh i hyjnë dhe nga një tjetër i dalin. Problemi është se gënjeshtrat e vogla për atë që i përket historisë u hapin rrugën gënjeshtrave të mëdha për të tashmen dhe të nesërmen.







