Nga Mero Baze
Nëse kthejmë kokën pak më shumë se një vit pas, të gjithë mbajmë mend se Shqipëria u gjend para një vale të egër shpërthimesh me tritol. Nga Shkodra në Vlorë dhe sidomos në Tiranë, tritoli u bë një lajm i përditshëm i shtypit. Saimir Tahiri sapo ishte vendosur ministër i Brendshëm dhe struktura e re e policisë së tij sapo nisi të funksiononte. Kritikët dhe tritoli, si atëherë dhe tani, janë të njëjtë, por argumentat kanë ndryshuar. Atëherë thuhej se fajin e ka Saimir Tahiri, që përdor policinë për të mbledhur lojrat e fatit apo ndërtimet pa leje dhe kriminelët bëjnë qejf. Tani thuhet se fajin e ka Saimir Tahiri, pasi sipas Berishës dhe mbështetësve të tij, ai nuk është kundër krimit. (Nuk e kuptoj ç’kanë kriminelët me të, kur nuk është kundër tyre).
Po ta vizionojmë gjithë kohën që nga koha kur Tahiri u bë ministër, do të shikojmë se beteja kundër rendit filloi me tritol, pastaj u ndërpre si me komandë. U vazhdua me anti-fushatat kundër ndërhyrjes në Lazarat dhe Dukagjin. Mos harroni Sali Berishën që akuzonte nga parlamenti se në Lazarat u hy për të vjedhur banorët dhe se në Dukagjin po shkohet për të poshtëruar banorët e zonës. Tritoli heshti. Befas një vit pas heshtjes së tij, tritoli u riaktivizua.
Rifillimi i fushatës është tërësisht i komanduar dhe qëllimi është heqja e frikës nga shteti. Fushata e dytë e tritolit, synon ta bëjë shtetin të prekshëm, të zakonshëm, të vdekshëm dhe mbi të gjitha, të poshtërueshëm. Aktorët e fushatës mund të jenë të shumtë, por janë të gjithë me angazhim politik. Ata mund të jenë gardistë të liruar, policë të transferuar, trafikantë droge të prekur nga aksionet anti-drogë, pse jo dhe njerëz të frustruar nga përpjekjet për një disiplinë shtetërore në shoqëri, por komanda e fillimit të fushatës është politike. Është aq politike, sa segmentet e pushtetit të Sali Berishës ngjajnë tërësisht të paralizuara.
Presidenti i vendit, Bujar Nishani, më shumë harxhon kohë të luftojë Visar Zhitin dhe të prishë Kishën Katolike në Elbasan për t’i kthyer tokën gruas tij, se sa të jetë aktiv dhe i qartë kundër kësaj fushate terrori mbi shoqërinë. Kreu i Shërbimit Informativ Visho Ajazi, jo vetëm që është jashtë detyrës së tij si një agjenci zbulimi parandaluese, por ka mësuar për shpërthimet me orën e Kanadasë, gjashtë orë pas, ndoshta ngaqë vazhdon t’i dalë gjumi në orën 14:00. Prokuroria po ashtu reagon me viskozitetin e njerëzve të ngeshëm, sipas parimit, qeveria e kap lepurin me qerre. Lulzim Basha hesht fare dhe nuk ka asnjë distancim të prerë nga terrori.
Disa deputetë të rëndësishëm të PD-së në deklaratat e tyre, të ngjashme sikur të ishin deputetë kinezë, thanë se kjo gjë nuk mund të ndodhte kurrë në kohën e tyre. Pra, në kohën e tyre, krimi nuk mund të prekte shtetin. Në të vërtetë, ministri i fundit i Brendshëm i tyre, do të hyjë në histori jo vetëm për vrasjet më të shumta, por edhe për vrasjen e tre komisarëve brenda një viti nga krimi, që hante e pinte me kupolën e Ministrisë. Në fund, Sali Berisha i ekzaltuar, shpjegon siç di ai të shpjegojë, pse ndodh kjo gjë. Në fakt, ai e di më mirë se kushdo pse ndodh, por duke mos ndenjur dot pa folur, përpiqet dhe të japë mesazhe publike pro kësaj fushate.
Këto janë sinjalet publike, që komandojnë fushatën e tritolit. Nuk është një fushatë që kërkon të vrasë njerëz dhe as ka ndërmend të bëjë masakra, por thjesht të krijojë idenë se këtë shtet mund ta shkatërosh me tritol. Është një mësymje e re pranverore, ose siç e paralajmëroi Basha disa kohë më parë “pranvera shqiptare”.
Gjestet e tyre janë simbolikë e një fushate kërcënuese ndaj pushtetit. Përzgjodhën prindërit e ministrit të Brendshëm jo për t’i vrarë, por për t’u treguar që mund t’i vrasin. Zgjedhin shkolla dhe rrugë publike për të dëshmuar që qytetarët nuk ka kush i mbron. Nuk është viti 1997, kur dikush qëronte hesapet me dikë pasi shteti ka rënë. Është koha për të rrëzuar mitin e shtetit dhe për t’i futur qytetarët para dilemës, ose me këtë pushtet nën tritol, ose me ne. Është në fakt fillimi i fushatës elektorale të fundit të Sali Berishës dhe po e nis siç di ai ta nisë, me tritol.
Ai është bërë sot rrufepritësi i njerëzve të dëshpëruar, që pushteti i ri u ka prishur parajsën. Ne vet ngulçimat dhe hakërrimat e tij primitive, duket makthi i një plaku që shpreson ta marrë dhe njeherë pushtetin, por sa më shpejt, me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo sakrificë. Ai tani nuk ka më nevojë të urdhërojë njeri, por thjesht t’i mbrojë në gjestet e tyre të dëshpëruara për të mbjellë terror. Është në situatën që ishte në vitet 2000 e 2001, kur ai nuk i niste të hidhin shtyllat në erë në Milot, por i priste si heronj pasi e kishin bërë vetë atë. Sali Berisha nuk është një mafioz që lë gjurmë apo dëshmi tek kriminelët e vet.
Ai thjesht i mbështet ata pas aktit të kryer, siç e pamë kur ishte në pushtet. Ai mbështeste dhe inkurajonte këdo që bënte një akt që i shërbente atij. Nëse një bandit qëllonte një gazetar kritik me të, Liria e merrte e dilte në foto. Është mënyra se si familja mafioze shpërblente vullnetarët për kamikaz. Kjo është e njëjta situatë. Ai është aty për t’i inkurajuar dhe falenderuar, jo thjesht për t’i nisur për luftë. Ai është garanti dhe shpresa e tyre. Ata vënë bomba në emër të shpresës, që buron prej tij.
Fushata e tritolit nuk është as fenomen shqiptar dhe as traditë e mafies shqiptare. Ajo nisi e dirigjuar papritur një vit e ca më parë, u ndërpre për gati një vit dhe filloi sërish me telekomandë. Mos prisni të gjeni dhjetëra njerëz të frustruar, që Sali Berisha i përdor si kamikaz që shkrepin telekomandat e tritolit. Duhet ndalur telekomanda e fushatës. Ajo është politike dhe është në makth për rimarrjen e pushtetit me çdo çmim. Tani, ai ka nisur të besojë se nëse nuk arrin të fitojë gjë as në këto zgjedhje, siç nuk do të fitojë, ëndrra e tij për t’u rikthyer bëhet shumë e largët. Dhe do luftë. Mos iu trembni kësaj lufte. Është një luftë që duhet bërë një ditë me të. Kujtohuni pse e pushoi luftën me tritol herën e parë.
E pushoi se policia marshoi në vatrat e krimit të tij në Lazarat dhe Dukagjin dhe atij iu desh të merrej me atë problemin që iu hap. Nëse doni ta çaktivizoni atë telekomandë, prekeni atje ku i dhemb. Tek ajo qendër pushteti, që dirigjoi për tetë vite Shqipërinë dhe e ktheu familjen e tij në milionere, që tani tallen duke paguar kamikazë me tritol. Vetëm kështu telekomanda që komandon tritolin do fiket dhe ai do bëhet “më i zi se këpuca”, kur të shikojë se jo vetëm s’ka për t’u kthyer në pushtet, por ndoshta as në familje.