NJË FUNDJAVË NË VALBONË, RRUGËS NGA GJAKOVA

0
69

(Shënime udhëtimi problemore)

NDUE DEDAJ, 8 Shtator 2013

Një rrugëtim për diku larg është përherë një motiv për të shkruar, pasi rruga nuk është vetëm traseja e asfaltë që digjet në diell a laget në shi, por lëvizja e njerëzve, makinave e mallrave, peizazhi urban e rural i rrugës, i mirëmbajtur apo i keqmenaxhuar. Aq më tepër kur je duke udhëtuar nëpër Rrugën e Kombit dhe do të kalosh nëpër dy shtete, Shqipërinë e Kosovën, dhe atje ku do të mbërrish nuk është një vendqëndrim dosido, por një nga kryemrekullitë shqiptare, Valbona, Dragobia, Alpet tona. Po çfarë ka qenë për t’u mbajtur shënim për lexuesin?

E para gjë që të vjen ndërmend është se të nisesh nga Tirana për të shkuar në Valbonë, nga Kosova, është si të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë, pasi normalisht duhej shkuar nëpër aksin Reps – Qafa e Malit – Fierzë, por të gjithë thonë se andej thuajse nuk është e mundur, duhet një ditë të mbërrish, “vetëm nëse nuk i ke dokumentet e makinës në rregull”, na tha një shofer mikrobusi në Tropojë. Po ashtu, mund t’i bihet nga Komani, por nuk ishte në punë trageti. Kështu që duhet ndjekur rruga më e gjatë, por që për shkak të vështirësive të dy rrugëve të tjera, si me thënë të brendshme, është më e shkurtra. Padyshim një paradoks. Për ta kuptuar se sa larg të qarkulluarit normal është kjo rrugë, ende pa ardhur dimri, ku dikur mbarteshin makineritë e rënda dhe turbinat e dritës për në hidrocentralin e Fierzës, mjafton të përshkosh aksin nga Repsi (autostrada) në Fushë-Arës, që është bërë gati i pakalueshëm e ku pak ditë më parë u njoftua për një shembje në afërsi të tunelit të vogël të Gjegjanit.

Por le të vijomë rrugëtimin drejt Valbonës, nga Gjakova. Teksa ecim Rrugës së Kombit, Kryeministri i Kosovës, zoti Thaçi, ka mbërritur në Tiranë, ku ka falënderuar zotin e Berisha dhe zotin Basha për diplomacinë e Shqipërisë për njohjen e shtetit të Kosovës dhe veçmas për ndërtimin e kësaj rruge. Nuk duam aspak ta zbehim madhështinë saj, përkundrazi kemi vlerësimin më të lartë për të, ama pak pa shkuar në Kukës, në anë të rrugës moderne, ku nuk ka mbrojtëse anësore, janë futur lopët, çka është e palejueshme, siç është e dënueshme që trafikndarësit e mesit të rrugës janë prerë në disa vende, për të kaluar “klandestinçe”, nga njëra korsi në tjetrën, makinat e fshatarëve apo të bizneseve të rrugës. Ndërkohë që prej 4 vitesh kanë mbetur përgjysmë disa ura në segmentin Kukës – Morin, që nuk dihet se kur do të mbarohen. Ja, të gjitha këto nuk i has në pjesën tjetër të autostradës, që përshkon Kosovën mes përmes nga Zhuri në Prishtinë. Atje nuk ka as lopë në rrugë, as trafikndarës të prerë, as ura të lëna përgjysmë. E vërteta është se në Shqipëri rrugë janë bërë jo pak, asfalti ka shkuar dhe në komuna të largëta, mes grykësh të thella, por mirëmbajtja e tyre nuk është në standardet e kërkuara.

Një rrugë e re në ndërtim përshkon dhe krejt luginën e Valbonës, nga Bajram Curri deri në Fushën e Gjësë, ku dhe buron lumi magjepsës që i ka dhënë emrin krejt këtij vendi, i rrallë për nga bukuria dhe kaltërsia. Janë visare natyrore që jo vetëm duhet të shijohen nga çdo shqiptar, si vizitorë turistikë të një gjeografie unike, por dhe lypet të shndërrohen në “pronë” kulturore, ekologjike, ekonomike e të gjithë shqiptarëve. Bjeshkët e Namuna janë vërtet të “bekuara” për nga magjia dhe mrekullia e natyrës. Kur je rrëzë tyre, e kupton se orët e zanat, Muji e Halili, Ajkuna dhe Omeri kanë qenë sa mitologji, aq dhe “realitete” jetësore… Por hija e tyre është duke u larguar pak nga pak, me buisjen e turizmit malor, bujtinat turistike alpine, kampingjet për pushuesit etj.

“Dy gjëra kërkojmë nga shteti, – thotë njëri nga banorët e Valbonës, që po merrej me ndërtimin e një vile trekatëshe, – përfundimin e rrugës dhe kreditim në shuma jo të mëdha për turizmin familjar, kjo dhe nga shoqatat.” Në të vërtetë rruga si trase është shtruar me çakëll të bardhë, veprat e artit kanë përfunduar, gjysma e rrugës është asfaltuar dhe sipas kontratës ajo do të përfundojë në fundin e këtij viti. Sa për mbështetjen e turizmit familjar, fjala është për kredi të vogla për banorët, me nga 3 deri në 5 mijë euro, për të kthyer kullat e vendit në funksion të biznesit të turizmit. Nuk është se kjo ideja e kullave nuk ka funksionuar më parë, edhe në Valbonë, por veçanërisht në Theth ku janë ngritur ato që quhen “40 Hanet” e që normalisht duhej të thirreshin me emrin shqip: bujtina.

Është i gëzueshëm fakti që turizmi malor në këto anë nuk është më një ligjëratë e thatë, një shkreptimë fjalësh, por një fillim i mbarë. Ky është lajmi, që nuk është se jepet për herë të parë nga ne, ka qenë këtu dhe emisioni “Shqip” i Xhungës e të tjera media të Tiranës e Prishtinës. Problemi është se tani, sa nuk është vonë, kërkohet të diskutohet nga organizmat e specializuara shtetërore e ato asistuese të huaja, në kuvendim me banorët dhe operatorët turistikë, se si duhet bërë kjo punë në standarde, si duhet konfiguruar turizmi malor në Valbonë, Theth, Razëm, Dajt, Voskopojë etj., sipas parametrave bashkëkohorë.

A duhet të vazhdojmë të derdhim beton dhe në këto male të kthjellëta, apo ndërtesat këtu duhet të jenë kryesisht prej druri? Në Valbonë janë disa vila të tilla mjaft tërheqëse, në formën e një kampingu, por rreth e rrotull po hidhet jo pak beton. Një specialist i turizmit kulturor, me të cilin bashkudhëtonim, ishte i shqetësuar deri për mbulesat e çative të banesave, të cilat nuk ishin njëra si tjetra, por me turli lloj llamarinash e ku mbulesa e dikurshme tradicionale me frujxha dërrase (në vend të tjegullës), tipike për banesat e stilit alpin, shihej vetëm në shtëpitë e fshatarëve, ato më të vjetrat. Deri te mosndotja e Valbonës duhet ndaluar fort, sot dhe jo nesër, se a mund të mendohet një lumë si ky me ujin e kthjelltë si loti, që të ndotet?

Po u zhduk kaltërsia e Valbonës nuk ka kuptim e shpëtim as turizmi i këtushëm. Valbona është një park kombëtar i jashtëzakonshëm dhe ndërtimtaria e turizmit malor të saj nuk mund t’i lihet spontanitetit dhe diletantizmit. Ndoshta për këtë kamerat televizive mund të gjenden dhe më shpesh këndej dhe jo vetëm për ekzotiken. Por dhe ministrat e shtetit shqiptar, ani se e lënë herëpashere Tiranën për t’u ngjitur në këto kreshta me ekipe studimi, projektimi, menaxhimi. Nuk e teprojmë nëse themi se parqe si ky i Valbonës, Thethi, Lura, Gryka e Rugovës, Brezovica e të tjerë janë të një niveli europian dhe si të tilla duhen trajtuar që në nisje. Sa nuk ka ndodhur dhe këtu betonizimi si në bregdet, se mjaft ka qenë masakra mbi pyjet. Një mbledhje e dy qeverive shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, është njoftuar se do të mbahet në Prizren në nëntor, që si e para e tillë mund të jetë dhe ceremoniale, por mbase të tjera takime ndërqeveritare të tyre mund të merren dhe me strategji të përbashkëta mbi turizmin etj.

Në Valbonë ka grupe turistësh nga vendi dhe të huaj, që kalojnë një ditë, disa ditë, apo dhe javë. Dikush shtegton shpateve e qafave, duke eksploruar në bllokun e Alpeve, deri në Plavë e Guci, ndonjë tjetër ndalet te Shpella e Dragobisë, ku legjenda e “div-dragoit”, Bajram Curri, është ende e gjallë. Mbi bjeshkët e epra, dikur më së shumti kufitare, një tjetër erë po fryn, ajo e turizmit malor. Veç ajo të fryjë nga e mbara e të mos i zhbijë, pasi atëbotë do të ishin vërtet “Bjeshkë të Namuna”!…