Një ftesë për të gënjyer “kolektivisht” Evropën

0
17

Nga Mero Baze, 12 Nëntor 2012

Ka një përpjekje zyrtare për t’i bërë thirrje opozitës për të gënjyer kolektivisht Evropën se “Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për anëtar i BE”. Ajo që është shqetësuese në mentalitetin e Sali Berishës, të Presidentit të Republikës dhe ushtarëve të tjerë të tij, është se këtë gënjeshtër e quajnë patriotizëm, kurse të vërtetën tradhti. Biles për ta bërë tërësisht qesharak aksionin e Berishës, Presidenti Nishani e quajti miratimin e këtyre ligjeve, në një fjalim të mbajtur para disa drejtuesve të gjyqësorit në Shqipëri, si amanet të patriotëve që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Më qesharak se kaq nuk mund të bëhet një shtet kur mbetet në duar të tilla.

Në fakt jo vetëm që nuk i plotësojmë kushtet, por viti 2012 është një hap i madh mbrapa nga çdo perspektivë për Bashkimin Evropian.

Viti 2012 shndërroi Shqipërinë nga një republikë parlamentare me disa institucione që baraspeshonin pushtetin ekzekutiv, në një republikë berishiane, ku të gjithë pushtetet janë në duar të tij.

Viti 2012 goditi rëndë idenë e ndarjes së pushteteve dhe kurorëzoi konfliktin mes institucioneve në kontroll të plotë mbi institucionet nga ana e qeverisë.

Gjatë këtij viti Sali Berisha mori nën kontroll të plotë Presidentin, SHISH, prokurorinë dhe gjykatat dhe mjafton kaq që të kemi një regres thelbësor lidhur me kushtet e Bashkimit Evropian për një vend me pushtete të ndara, drejtësi të pavarur dhe institucione të forta. Tri ligjet që kërkon urgjent Berisha janë një hap tjetër përpara në forcimin e këtij kontrolli, i cili nuk zgjidhet edhe sikur Berisha të bindet që pushteti gjyqësor duhet respektuar dhe të zbatojë vendimin e gjykatës për Fierin.

Problemi i Fierit nuk është vetëm problem i moszbatimit të një vendimi gjykate. Problemi i Fierit rrezaton një kulturë edhe më të frikshme autokratike të Berishës për pushtetin në Shqipëri. Meqë Fieri ishte një nga dy qarqet që fitoi opozita, ai e bllokoi atë dhe refuzon t’ia dorëzojë opozitës edhe pse gjykata e ka dhënë vendimin e saj. Të njëjtën gjë bëri dhe me Qarkun e Gjirokastrës, ku bllokoi emërimin e kryetarit duke i sajuar akuza banale. Por më e rëndë se kaq është ajo që Berisha u bën gjithë bashkive dhe komunave në republikë, që i ka fituar opozita. Atyre jo vetëm që u ka prerë tërësisht fondet, por ka krijuar dhe raporte diskriminuese në raport me komunat dhe ato pak bashki që ka fituar vetë sa u përket grandeve dhe projekteve ndihmëse të qeverisë.

Berisha praktikisht ka asgjësuar pushtetin e dalë nga zgjedhjet e 8 majit 2011, duke mos e lejuar opozitën ta ushtrojë këtë pushtet në asnjë komunë dhe bashki të Shqipërisë për shkak të një revanshi të mirëorganizuar që ka nisur kundrejt tyre. Bashkitë dhe komunat e opozitës janë pa lek, pa projekte alternative nga qeveria, me grande të grabitura në mënyrë banditeske për të paguar borxhe të paqarta dhe jo tituj ekzekutiv, dhe një izolim të skajshëm financiar, ku për çdo fond negociohet blerja e pushtetit nga qeveria. Ky është një realitet i frikshëm, një përkeqësim gati bjellorusian i ndarjes së pushtetit vendor me atë qendror, dhe rasti i Fierit është më shumë rezultat i kësaj fryme se sa kulturës antiligjore që Berisha ka për vendimet e gjykatave kur i ka kundër vetes.

Për këtë arsye mendoj se opozita jo vetëm që nuk duhet të tërhiqet nga rasti i Fierit, por duhet të kthejë në një betejë të madhe politike asgjësimin e pushtetit vendor, që ka dalë nga zgjedhje e 8 majit 2011, që Sali Berisha praktikisht e ka bërë gjatë këtij viti. Është kjo një arsye më shumë që Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë përpara, por ka një regres thelbësor në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ajo ka përkeqësuar dhe standarde që i ka pasur të mira në vitin 2010, dhe jo më ato që i ka pasur të këqija. Me këto standarde të përkeqësuara, opozita do të bëjë një krim kombëtar nëse i bashkohet retorikës së Berishës për të bërë sikur voton ligje që na japin statusin e vendit kandidat. Ato ligje janë hapa të nevojshëm, por kurrsesi të mjaftueshëm për statusin.

Opozita duhet të denoncojë degradimin thelbësor të pushtetit vendor në Shqipëri dhe duhet ta shikojë rastin e Fierit më shumë si një tendencë autokratike të Berishës për të pasur gjithë pushtetet nën kontroll, se sa si një rast perfekt i moszbatimit të ligjit, siç është në të vërtetë formalisht. Berisha nuk e ka hobi moszbatimin e ligjit, por e bën atë vetëm kur ai i pengon pushtetin. Në këtë rast Fieri është pasojë. Shkaku është se Berisha nuk duron dot opozitën në pushtetin vendor dhe ka asgjësuar votën e shqiptarëve të dalë nga zgjedhjet e majit 2011. Nëse në Tiranë futi duart në kuti dhe e vodhi mandatet, në gjithë Shqipërinë që nuk e bënte dot këtë, po u gris mandatet dhe po i mbyll komuna e bashki një nga një.

Është kjo arsyeja që opozita nuk duhet t’i bashkohet gënjeshtrës kolektive që “Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat”. Jo, nuk e meritojmë dhe nuk duhet të kemi asnjë kompleks për këtë. Dhe sikur të na e japin me zor, nëse në pushtet është Sali Berisha, do ta degradojë dhe modelin e një vendi kandidat të Bashkimit Evropian duke rrezikuar të ngjallë një histeri antishqiptare në Evropë me portretin e shëmtuar të një autokrati plak që i ka ngulur thonjtë në fyt Shqipërisë dhe nuk e lëshon pa i marrë frymën.

Para 20 nëntorit, kur Komisioni Evropian do të shqyrtojë raportin për Shqipërinë, kanë mbërritur rekomandimet e para negative. Holanda, një vend i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, thuajse e ka zyrtarizuar qëndrimin e saj kundër me arsyetime që nuk lidhen fare me tri ligjet për të cilat ka filluar e reciton Berisha njësoj si për ligjin e imunitetit, por për thelbin e parealizuar të reformave që duhet të bëjë Shqipëria për ta merituar statusin. Edhe disa vende të tjera ka shumë shanse të depozitojnë qëndrim negativ dhe kjo ka të bëjë mbi të gjitha me kryekushtëzimin që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë lidhur me zgjedhjet, të cilat nuk janë në nëntor, por në qershor dhe që nënkuptojnë largimin e Sali Berishës për t’i hapur rrugë Shqipërisë Evropiane.

Me pak fjalë, ne nuk presim të marrim ndonjë status në dhjetor. Nuk presim jo për shkak të tre ligjeve, por për shkak se kushtet e Brukselit janë më të rënda dhe shumë më të zgjatura në kohë se tri ligjet që kërkon Berisha për të konsoliduar pushtetin e tij, dhe realiteti këtu është akoma më i rëndë se dhe vetë kushtet që na kanë vënë. Ne duhet të hyjmë në Evropë ose si shqiptarë, ose si gënjeshtarë. Por Berisha mendon se kjo është e njëjta gjë.