Një film në Hollywood kushtuar UÇK

0
29

UÇK - Adem Jashari

Craig Jurisevic është kirurg i specializuar për zemrën dhe lektor në universitet. Me prindër sllovenë, por i lindur dhe rritur në Australi ai njihet për guximin e tij për të punuar në zonat më të rrezikshme të luftës. Në vitin 1999, ai udhëtoi për në Shqipëri dhe filloi punën si mjek në Spitalin e Kukësit, që u bë qendra kryesore e mjekimit dhe rehabilitimit fizik të luftëtarëve të plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Puna në këtë spital shpejt bëri që Craig të përfshihej emocionalisht në kauzën shqiptare dhe një ditë të bukur la pas spitalin dhe iu bashkua Batalionit Atlantiku që hynte në Kosovë.

Craig mori pjesë në luftime në kuadrin e këtij formacioni të përbërë nga shqiptaro-amerikanët që shkuan të luftojnë për lirinë e atdheut përtej oqeanit dhe të batalionit të 123-të të Malit të Pashtrikut. Gjatë periudhës së luftës, Craig bëri dhjetëra operacione duke shpëtuar luftëtarë dhe civilë shqiptarë. Ai mori pjesë edhe në patrulla të UÇK-së që depërtonin përtej vijës serbe dhe u bë dëshmitar i masakrave të kryera nga ushtarakët dhe paraushtarakët serbë.

Sot, më shumë se dhjetë vite mbas kësaj aventure (Craig Jurisevic ka pasur edhe shumë të tjera në Afganistan, Timorin Lindor etj), kirurgu pro-shqiptar ka botuar një libër me titull “Blood in My Hands” (Gjak në duart e mia) të botuar në Australi. Libri është shkruar në bashkëpunim me Robert Hillman, një autor i njohur biografish që në vitin 2005 fitoi Çmimin Kombëtar Australian për Biografitë. Libri i tij “My Life as a Traitor” (Jeta ime si tradhëtar) i shkruar bashkë me Zarah Ghahramani-n është botuar në shumë vende të botës dhe u shpall Libri i Vitit nga gazeta e njohur “San Francisco Chronicle”.

Historia e përshkruar në libër është përdorur për një skenar filmi në Hollywood që do të flasë për luftën në Kosovë. Filmi, siç bëri të ditur Craig, gjatë një telefonate nga Australia me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York do të dalë në kinema vitin e ardhshëm

(d.b/GSH/BalkanWeb)