Nga Stefan Çapaliku
Për ata që e kanë parë dhe kanë heshtur (dhe këtu e kam fjalën për gjithë ata që përbëjnë komunitetin e vogël të regjisoro-aktoro-kritikëve të artit e kinemasë) nuk kam fjalë. Zoti i faltë! I shkruaj këto rreshta sepse “Falja e gjakut” ishte për mua një shputë turinjve, prej atyre që njeriu mund t’i ketë ngrenë një herë në jetë prej njerëzve të tij më të dashur, prej atyre që ta duan të mirën më shumë se kurrkush tjetër, prej nënës apo babës. Ishte një shputë prej atyre që t’i bëjnë sytë të të nxjerrin xixa e t’i njomin pastaj prej një langu të pangjyrë, si të ishin lot.
Për atë që nuk e ka parë ende “Faljen e Gjakut” këtë film më të fundit të Joshua Marston (autorit të “Maria full of grace) do t’i kisha rekomanduar që të mos hyjë në kinema me kokoshka, farë kungulli a Coca Cola. Nëse nuk e kanë zemrën e fortë është e mira të marrin pak artrenolol ose diçka tjetër për rregullimin e ritmit. Për ata që e kanë parë dhe kanë heshtur (dhe këtu e kam fjalën për gjithë ata që përbëjnë komunitetin e vogël të regjisoro-aktoro-kritikëve të artit e kinemasë) nuk kam fjalë. Zoti i faltë!
I shkruaj këto rreshta sepse “Falja e gjakut” ishte për mua një shputë turinjve, prej atyre që njeriu mund t’i ketë ngrenë njëherë në jetë prej njerëzve të tij më të dashur, prej atyre që ta duan të mirën më shumë se kurrkush tjetër, prej nënës apo babës. Ishte një shputë prej atyre që t’i bëjnë sytë të të nxjerrin xixa e t’i njomin pastaj prej një langu të pangjyrë, si të ishin lot.
Ky djalosh amerikan që niset prej New Yorku me një kallauz shqiptar (Andamion Murati, bashkautor i skenarit) për të zbuluar së brendshmi jetën e njerëzve në një cep të Shqipërisë Veriperëndimore, mendje dhe zemër hapur, që ulet këmbëkryq ndër sofra fshatarësh të sëmurë prej anarshisë dhe mungesës së vëmendjes së një shteti latent, që jeton dhe ecën në këmbë rrugëve të Mbishkodrës, që mahnitet prej sendeve të vogla, që mëson shqip, që nuk ngjason aspak me një turist, që takon dhe miqësohet me njerëz pafund e realizon kërkimin e tij antropologjik si shkollari më i mirë i një kolegje britanike. Ky është Joshua Marston, që hapë sa mundet krahun dhe na godet mëshorshmëm me sa fuqi ka me filmin e tij “Falja e gjakut”. S’ka etnografi e aq më pak ekzotikë në filmin e tij. Ai nuk abuzon me ne. Ai na do.
Filmi fillon menjëherë, në kuptimin që i shkrin kufijtë midis ekspozicionit dhe pikës së lidhjes. Ngjarja e “vockël” që i ngjan farës që hidhet mbin menjëherë. Joshua nuk vuan prej sëmundjes së paraqitjes së ngeshme të peizazheve dhe karaktereve. Estetikisht është paraqitet si pragmatist i madh. Ai nuk luan me nervat e audiencës së vet imagjinare, përkundrazi hyn në ngjarje që me planin e parë: një grumbull gurësh që i kanë zënë rrugën një katundari të përvuajtur që shpërndan bukën në fshat më karrocën e tij monovolumëshe.
Pastaj çdo gjë lëviz me shpejtësi. Suspansa ndërtohet me doza të proporcionuara farmaceutikisht. Dhe mekanizmi shkak pasojë nis të funksionojë perfekt. Zihet rruga, për shkak të saj zihen njerëzit në një klub, për shkak të zënies ndodh një vrasje në katund dhe për shkak të saj jeta e familjes së bukëshpërndarësit ndryshon totalisht. Bukëshpërndarësi ynë ia shkarkon me rrokopujë të gjithë ngarkesën e vet psikofizike djalit dhe vajzës së madhe. E gjithë drama spostohet vrullshëm te të tjerë karaktere të filmit Niku dhe e motra. Pse?
Sepse Joshua Marston nuk i intereson kanuni në vetvete, rregullat dhe degjenerimi i tij prej njerëzish matrapazë. Jo. Këtij gabimi të bërë rëndomtë në produksionet e tjera filmike shqiptare a të huaj mbi Shqipërinë, Joshua Marston i rrëshqet me zgjuarsinë e një djali hollak. Ai nuk e ha atë kokërr ulliri. Kërkimi i tij drejtohet tjetër kund. Atij nis t’i interesojë psika e karaktereve të mbetur gjallë; transformimi duke e zhbiriluar këtë deri në kufinjt e ndënndërgjegjes. Dhe këtu filmi hapet. Ai nuk është më një send “Made in Albania” dhe as “Made for Albania” ai universalizohet. Nisin në terma konkretë dhe hipërealistikë konfliktet babë-bir, individ-komunitet ndërsa midis tyre bulojnë rremat e dashurisë së pakuptueshme ndër rrethana normale. Në të vërtetë asnjë gjak nuk falet. Ka kushte. “Falja” ka gjeografinë e vet. Dikush dënohet me pamundësinë e daljes dhe dikush tjetër me pamundësinë e kthimit.
Natyrisht nëse do ta shtyja gjykimin pakëz më thellë në strukturën dramaturgjike e vetmja rezervë që do kisha ka lidhje me figurën e gjyshit (Cun Lajçi) i cili mendoj se ishte e tepërt dramaturgjikisht pafunksion dhe që sipmbas gjykimit tim i ka rrëshqitur mendjes së hollë të këtij mjeshtri të kinemasë.
Kemi dy grupe aktorësh në film. Njerëz të marrë nga rrugë që udhëhiqen prej dy adoleshentëve Tristan Halilaj dhe Sindi Lacej janë gjetjet absolute të kërkimit të Joshua Marston. Këto dy aktorë, që munden me qenë pa frikë e ardhmja absolute e interpretimit filmik shqiptar kanë përballuar në mënyrë të shkëlqyer diagramin e transformimeve psikike të propozuara prej një skenari skeletik dhe pa tekst. Marston ka arritur t’i fusë ndër disa rrethana dramatikë që e kanë pjellor vetë dialogun ndërmjet fytit të tyre të njomë.
Grupin e aktorëve profesionistë e prinë Refet Abazi. Një aktor tashmë i padiskutueshëm për ata që kanë sy e veshë. Ky burrë mbart me vete energjinë e aktorit të teatrit mbështjellë prej kulturës letrare dhe estetike duke sendërtuar një shkamb me shumë faqe, të buta e të forta, të rrëpita e të sheshta, që përkulet e bie e që prej energjisë së rënies ngrihet prapë.
E mandej si do ishte e gjitha kjo pa fotografinë dhe kameran e Rob Hardy. Kamera e tij rrit në mënyrë instiktive dinamikën e veprimit. Thuajse tërë kohës në lëvizje ai përpiqet të ndjekë hap pas hapi elementit ku veprimi shpërfaqet dhe bërtet. Pak i intereson peizazhi. Ai ndërton një fotografi gri e aspak të karamelizuar.
Dhe pas gjithë këtyre vinë shpërblimet:
Asnjë mbështetje prej Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, e cila e zënë me mediokritetet, klanet dhe produksionet shtëpiake (ky skenarin e shkruan baba ose gruaja, regjinë e bën djali, drejtoreshë fotografie është vajza dhe mundësisht piktori djali i tezes) nuk i jep asnjë mbështetje këtij produksioni.
Djaloshi që luan rolin kryesor, Tristan Halilaj (që duhet t’ia kenë zili aradha e madhe e artistëve të popullit, të merituar dhe mjeshtrave të mëdhenj të punës) nuk ia del të fitojë konkursin për aktor në Akademinë e Arteve.
Audienca e kësaj së diele mbrëma në kinema Millenium, dalë kryebosh prej pub-esh, gjithë humor prej new reach pople, ardhë me pa një film “shqiptar” prej atyre që falsin me gjuhë të lëmuar rreth temash sentimentale, i mbaroi kokoshkat që në skenën e parë.