Një ”film” me personazhe reale

0
49

Nga Andi Bushati

Skandali i përgjimit të shfaqur të martën në mbrëmje nga “Fiks Fare” nuk është as një histori që mund të kalohet duke folur për ullinjtë e bajamet, as një ngjarje që mund të trajtohet thjesht si montazh. Ajo është ngjarja më e rëndë korruptive e qeverisjes Berisha, që pas tragjedisë së Gërdecit. Sepse, ndryshe nga sa po tentohet të paraqitet, ai nuk është përgjimi i një shtetari, nga një pjesëtar i krimit të organizuar, por nxjerrja në pazar e rrobave të palara, mes dy anëtarëve të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Ilir Meta, “viktima” e kësaj afere, ishte numri dy i qeverisë në mars të këtij viti, kur përgjimi ka ndodhur. Dritan Prifti, ishte një nga ministrat më të fuqishëm, njeriu i parave, koncesioneve, licencave dhe njëkohësisht kumbari i këtij koalicioni që mbajti në këmbë kryeministrin Berisha.

Po të shikohet më tej, allishverishet që flasin për emërime, hidrocentrale, privatizime, përqindje, para, kryhen në një “fushë të shenjtë”, në zyrat e shtetit. Aty përmendet emri i Kryeministrit dhe pretendohet se ai është në brendësi të aferave.

Aty përmendet kryetarja e Gjykatës së Lartë, e cila pretendohet të ofrojë favore në shkëmbim të punësimit të vajzës në Trupin Diplomatik.

Aty flitet për administratën shtetërore si një hambar për t’u vjelë nga militantët e partive. Me një fjalë, në ato 7 minuta (edhe sikur ky të ishte regjistrimi i vetëm që ekziston) jepet një pasqyrë e qartë e të gjithë asaj që përflitej: Ansamblit Babëzia që na qeveris.

Në fakt, pika me e nxehtë e bisedës së transkriptuar është ajo kur Meta i kërkon Dritan Priftit që të favorizojë një të njohurin e tij, për koncesionin e një hidrocentrali në lumin e Shushicës. Personi i tretë, që e pretendon këtë nder, është një i njohur i vjetër i drejtësisë shqiptare, që në bisedë emërtohet si “Gimi”. Ky është edhe biznesmeni që prezumohet se do të jepte ryshfet. Sipas ngjarjes së treguar nga të gjitha palët, ky personazh kërkon një koncesion që po i vonohet. Ilir Meta ndërhyn që procedura të përshpejtohet. Akuza është se “Gimi” kishte ofruar para, prandaj dhe zv/kryeministri thotë se për ta përkrahur atë është dakord edhe Berisha. Ndaj ai thotë se do të ndërhyjë deri në Gjykatën e Lartë, që çështja të zgjidhet.

Por, dje paradite Ilir Meta e ka hedhur poshtë këtë version. Sipas tij, po të ishte e vërtetë se ai ka marrë 700 mijë euro, ai do t’ia kishte dhënë koncesionin kësaj kompanie. Në fakt, sipas Metës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sepse, kur ai u bë ministër i Ekonomisë, në tetor 2010, ai e skualifikoi këtë kompani, pasi ajo nuk kishte një ofertë ekonomike të lartë.

Por, lidhur me këtë ngjarje, ka ndërhyrë menjëherë dëshmitari i djeshëm dhe armiku i sotëm i Metës, Dritan Prifti. Sipas tij, Meta nuk mund ta bënte gafën dhe t’ia jepte kompanisë së ”Gimit” koncesionin, sepse në tetor 2010 Ilir Meta ishte tashmë në dijeni të regjistrimit dhe kjo ishte njësoj si të akuzonte vetveten.

Ja pra, me pak fjalë, kjo është historia e rëndë që mendohet të jetë luajtur në zyrat e shtetit. Të gjitha personazhet e saj, realë dhe të përmendur rastësisht, vetëm hedhin baltë mbi mënyrën se si po qeverisemi.

Në pozicionin më të keq është natyrisht Ilir Meta, për të cilin tregohet qartë sesi po përdor numrat vendimtarë të koalicionit që po e mban Berishën në pushtet. Sesi dhe pse ai e shkarkoi Dritan Priftin, për të ndërruar postin prestigjioz të shefit të diplomacisë me atë të ministrit të koncesioneve.

Në pozicion të mjerueshëm është gjithashtu Dritan Prifti, ish-beniamini i majtë i Berishës, të cilin edhe pas largimit Kryeministri e lavdëroi për reformat e përbashkëta. Përgjimi i Metës prej tij tregon se çfarë mund të bëjë një anëtar i kabinetit, për të ruajtur postin. Se si mund të përdorë ai edhe mjetet më të ulëta të shantazhit, për të mbajtur vendin fitimprurës.

Në pozicion të vështirë gjendet sot edhe Berisha. Jo vetëm sepse emri i tij përmendet në bisedë, duke supozuar se është në dijeni të këtyre aferave, por edhe sepse, në mos e frymëzon këtë babëzi, ai është krejt i pafuqishëm për ta ndalur atë. Në rastin më të mirë, ai është peng i saj.

Në pozicion aspak komod gjendet sot edhe gjykatësja më e lartë e Shqipërisë. Jo vetëm se emri i saj përmendet si një pjesëtare pazaresh në sintoni me pushtetin, por edhe sepse kjo ngjarje është një ilustrim se përse drejtësia nuk ka forcë të veprojë sot mbi politikën.

Pikërisht, për këtë, edhe sot të gjitha palët flasin për zhveshje nga imuniteti dhe për veprim të drejtësisë, e cila duhet të zbardhë këtë tragjikomedi të luajtur në zyrat e shtetit. Por, po ashtu, të gjithë e dinë se nga drejtësia, ashtu si gjithnjë, nuk do të vijë asnjë përgjigje. Sepse kjo video e transmetuar me guxim nga “Fiks fare”, nuk është një provë për akuzën. Ajo është vetëm filmimi i një pjese që të gjithë e përflasin, që të gjithë e dinë, por që këtë herë e panë me sytë e tyre, dhe të vënë në skenë me personazhe reale.