Nga Korresp. 24-ore.com
Ndërsa presidentit të Tunizisë i është ofruar qëndrimi në Arabinë Saudite, në vendin që ka lënë pas, pra Tunizi, kanë filluar të dalin me shpejtësi detajet deri më tani të panjohura të stilit tepër luksoz të familjes së tij dhe të njerëzve që i kanë qëndruar pranë, pra klanit presidencial
Ata parapëlqenin shumë që njerëzit t’i konsideronin dhe t’i quanin “Familja e parë e Tunizisë”. Për popullin të cilin e sunduan për 23 vjet, presidenti Ben Ali dhe klani i tij nuk ishin veçse një klikë sunduese uzurpuese e pushtetit, me një lakmi dhe nepotizëm që i kishte shtrirë metastazat kanceroze në të gjitha sferat e jetës ekonomike dhe politike të vendit. Pikërisht kjo lakmi dhe arrogancë ishte edhe shkaku i fundit të tyre.
Ben Ali në gjurmët e shumë diktatorëve të tjerë si ai i Ugandës, Idi Amin, e të tjerë të sërës së tij, mori një ofertë nga Arabia Saudite për t’u strehuar, pasi u përzu me shqelma nga populli i tij. Dhe kështu, pavarësisht sa e çfarë bëri në vendin e tij, ai do të nisë, si shumë ish-homologë të tjerë të përmbysur, një periudhë pensioni me shumë rehati dhe pasuri. Por, ndërsa miliona tunizianë festuan nëpër rrugë fundin e sundimit të tij 23-vjeçar, njerëzit janë të lumtur që së bashkë me të iku edhe një klikë e tërë shushunjash që u pinë gjakun prej vitesh.
Njëra prej tyre ishte pikërisht bashkëshortja e Ben Ali, Leila, në fakt, bashkëshortja e dytë e tij, një femër atraktive dhe 20 vjet më e re, e cila në fakt konsiderohej nga të gjithë si njeriu i vërtetë që qeveriste vendin dhe si dora që fshihej pas fronit të Ben Ali. Leila ka qenë parukiere në të shkuarën e saj të largët, por me sa duket brenda saj ka pasuri dhe ambicie shumë më të mëdha nga sa ia lejonte profesioni. Vinte nga një shtresë e varfër dhe pasi u martua me presidentin e vendit është akuzuar se e ka përdorur këtë martesë për ta shndërruar familjen e saj të varfër në njërën prej klikave më të pasura të vendit me pasuri që nuk mund të llogariten.
Duke filluar që nga e shtuna e kaluar, tashmë ish-çifti i parë i Tunizisë ka nisur të mbajë një profil shumë më të ulët se më parë. Arsyeja është e kuptueshme. Ben Ali është nisur drejt qytetit të bukur bregdetar saudit, Jedah, ku krimineli Idi Amin, pasi masakroi popullin e tij kaloi në paqe dhe pasuri vitet e fundit të jetës nën protektoratin e sauditëve.
Ndërkohë, ka thashetheme se gruaja e tij, e cila thuhet se e ka lënë vendin më parë, ka shkuar në Dubai, një vend të cilin ajo e frekuentonte shumë shpesh në të shkuarën për të bërë blerjet e saj të pafundme. Sipas një analisti politik, i gjithë pushteti i presidentit dhe pasuria e tij ishin përqendruar në duart e familjes së tij, veçanërisht të së shoqes. Ai ishte kaq arrogant, sa arriti të minonte edhe vetë pushtetin e tij me sjelljet që bënte dhe të largonte nga vetja edhe mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e afërt që e kishin ndihmuar dhe këshilluar.
Veç kësaj, me sjelljet e tij nepotiste, ai bëri shumë armiq edhe në komunitetin e biznesit. Në publik, Zonja e Parë e vendit hiqej si një grua përparimtare arabe, duke kryesuar fondacione bamirësie dhe duke folur gjithmonë për të drejtat e grave dhe liritë e tyre në botën arabe. Por, kritikët e saj thonë se në prapaskenë ajo kishte një tjetër agjendë dhe qëllimi i saj i vetëm ishte lakmia për t’u pasuruar dhe për të pasur sa më shumë pushtet. Ajo ishte tipike një Imelda Markos e Tunizisë. Por, kritikat kundër saj ishin shumë të rralla në medien tuniziane, të shtypur dhe të kontrolluar po nga njerëzit e familjes presidenciale.
Madje, pjesa më e madhe e medies, asaj të shkruar dhe elektronike, është në pronësi të familjes së ish-presidentit. Por, qeveria nuk mund të ndalonte që të rinjtë e vendit të kishin qasje në internet dhe të shihnin me sytë e tyre realitetin e ndryrë të vendit edhe përmes raporteve të “Wikileaks”.
Në këto raporte, ish-ambasadori amerikan në Tuniz shkruante shumë në lidhje me mënyrën ekstravagante të jetesës së elitës së vendit.
Në njërin prej këtyre materialeve përshkruhet një darkë tepër luksoze e shtruar në shtëpinë e Mohamed Sakher El Materi, një biznesmen miliarder, dhëndri i presidentit dhe pasuesi i tij i mundshëm deri pak kohë më parë. Sipas ambasadorit, salla e ngrënies ishte e zbukuruar me objekte të vjetra dhe shumë të shtrenjta, ndërkohë që tryeza ishte shtruar me ushqime të sjella nga vende të ndryshme të botës posaçërisht me aeroplan për atë darkë. Ndërkohë, i zoti i shtëpisë kishte në kafaz, si kafshë shtëpiake, një tigër.
Ndërsa pjesa më e madhe e tunizianëve luftonte për mbijetesë dhe e kishte shumë të vështirë që të gjejë një vend të denjë pune, familja e parë e vendit zhytej në luks dhe lakmi. Ish-ambasadori, në një material diplomatik të dërguar në Washington, shkruante se bashkëshortja e presidentit, Leila, dhe familja e saj e madhe nga ana e prindërve ka shkaktuar prej kohe një inat shumë të madh te tunizianët. Kjo familje jo vetëm që akuzohet për shumë afera korruptive, me të cilat asnjë prokurori nuk merret dot, por nga ana tjetër ata janë shumë brutalë dhe të pamëshirshëm në trajtimin e të tjerëve, nuk janë të shkolluar, vijnë nga një status shoqëror shumë i ulët dhe janë të aftë vetëm të konsumojnë pa ndërprerje para dhe pushtet.
Kjo familje ishte lehtësisht e urrejtshme nga populli, duke u shndërruar kështu në objektin e mallkimeve të njerëzve. Fundjavën e kaluar demonstratat në Hamamet, një resor turistik tunizian në Mesdhe, patën në shënjestër të tyre vilat luksoze të qeveritarëve, të cilat thuhet në fakt se u përkasin njerëzve më të afërt të klanit presidencial. Që nga ajo ditë, njerëzit e kanë kthyer vëmendjen e tyre te sulmi ndaj perandorisë së familjes së parë, bizneseve të saj duke grabitur dhe shkatërruar dyqane, fabrika dhe supermarkete, që besohet se janë në pronësinë e saj.
Vëllai i Leilas thuhet se i vetëm ka në pronësinë e tij një linjë ajrore, disa hotele në bregdet, dy stacione radioje tuniziane dhe një fabrikë makinash. Vazhdimisht investitorët e huaj e kanë pasur të vështirë të vepronin në këtë vend pa i dhënë më parë një pjesë të mirë të investimit të tyre si shpërblim në dorë familjes së parë dhe veçanërisht bashkëshortes së presidentit. McDonald, zinxhiri i ushqimit të shpejtë amerikan, për t’u vendosur në Tunizi nuk arriti që të merrte lejen e ushtrimit të aktivitetit, për shkak se familja e parë nuk ishte e kënaqur me sasinë e ryshfetit që ata e kishin taksur për një gjë të tillë. Se sa nga pasuritë dhe pronat e saj do të vazhdojë që të mbajë ish-familja e parë, kjo mbetet për t’u parë.
Vetë presidenti thuhet se ka një pasuri personale prej 5 miliardë dollarësh. Të paktën deri dy ditë më parë. Por, sigurisht që ai si njeri me nuhatje do t’i ketë marrë masat që një pjesë të mirë të parave ta vendosë në vend të sigurt dhe të paprekshëm nga ndryshimi i pushteteve apo i statusit të tij politik. Megjithatë, thuhet se pasuritë e tij do t’i kthehen vendit, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre është përfituar në rrugë të padrejtë.
Ndërsa dhëndri i presidentit, Materi, dhe e bija e tij 24-vjeçare mendohet se janë vendosur në një suitë VIP, në një hotel parisian në të cilën paguajnë 500 euro natën. Thuhet se truprojat e tyre janë vendosur në hollin e hotelit për të ruajtur “zotërinjtë e çmuar”. Ata u vendosën në fillim në ambasadën tuniziane në Paris, por kur para saj nisën që të demonstronin bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në Paris, ata menduan që të zhvendosen në një hotel të shtrenjtë.
Njerëzit e presidentit u vunë re menjëherë sepse përcjellja e tyre ishte aq e madhe, sa ishte e pamundur që të mos binte në sy. Femrat janë veshur të gjitha me veshje shumë të shtrenjta dhe duken si princesha, ndërsa meshkujt mbajnë makina super të shtrenjta dhe gjithashtu janë të veshur shik. Kjo i bëri që të binin në sy dhe të shkaktonin edhe në Paris revoltën e tunizianëve që jetojnë aty.
Sidoqoftë, ata nuk do të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë, sepse të paktën, sipas një zëdhënësi të qeverisë franceze, anëtarët e ish-familjes së parë të Tunizisë nuk janë të mirëpritur në tokën franceze dhe se duhet të largohen.