Nga Mero Baze
Kolegji Zgjedhor ka dhënë një vendim të paqartë për integritetin e procesit zgjedhor duke urdhëruar të hapen kutitë e materialeve zgjedhore në 368 qendrat e mbetura për të verifikuar fletët e kontestuara.
I gjithë ky proces nxjerr disa probleme.
E para është çështje e fletëve të hedhura gabim. Këto fletë, nëse ka ende të tilla, gjenden në kutitë e votimit dhe jo në kutitë e materialeve zgjedhore. Vendimi i Kolegjit i ka quajtur ato më parë të vlefëshme. Tani me zhvlerësimin e rezultatit për Lulëzim Bashën, ngelet e paqartë se çdo të bëhet me fletët e hedhura gabim. Pra është e paqartë nëse kanë ato më efekt mbi procesin apo jo, pasi nëse hapen vetëm kutia e materialeve zgjedhore, nuk kemi më ku gjejmë fletë të hedhura gabim.
Precedenti i zgjedhjeve të Floridës në SHBA, kur u ndërpre numërimi bazohej në të kundërtën e këtij zhvillimi. Gjykata e Lartë amerikane ndaloi rinumërimin me arsyetimin se nuk mund të bënte për Floridën, pra për një njësi, atë që nuk kish bërë për gjithë SHBA.
Problemi i dytë është numri i fletëve të tepërta në raport me votuesin, të cilat janë mbi 300. Kolegji e injoroi dhe këtë çështje, ndërkohë që kjo çështje së bashku me çështjen e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara zgjidhej shumë lehtë duke rihapur të katërta kutitë e votimit në të gjithë qendrat për të sistemuar dhe fletët e hedhura gabim, që tani kemi rënë dakord të quhen të vlefshme, dhe për të rakorduar numrin e votuesve me fletët e votimit. Duke neglizhuar këto dy zhvillime thelbësore për procesin, Kolegji në të vërtetë nuk i ka dhënë kurrfarë drejtësie zgjidhjes së problemit, përkundrazi ka përforcuar rrugën e padrejtë ku e futi këtë proces KQZ dhe vendimi i mëparshëm i Kolegjit.
Çështja për të cilën Kolegji i dha të drejtë opozitës është shumë anësore. Kërkimi në kutitë e materialeve zgjedhore për votat e kontestuara është një proces që nëse shkëputet nga procesi i fletëve të hedhura gabim, nuk riparon dot integritetin e procesit. Rezultati për Lulëzim Bashën u prodhua nga dy faktorë, nga fletët e hedhura në gabim në disa kuti dhe nga votat e kontestuara në disa kuti të tjera. Tani Kolegji nuk mund të ruajë integritetin e njërit prej burimeve të votave, që është zarfi i fletëve të kontestuara dhe të mos ruajë integritetin e një burimi tjetër për rezultatin që ka qenë fletët e hedhura në kutitë e gabuara.
Për këtë arsye i gjithë ky vendim i Kolegjit ngjan i drejtë për të çuar deri në fund padrejtësinë e nisur, pasi nuk e korrigjon atë. Ai korrigjon 30 përqind të problemit ndërkohë që lë pa përgjigje fletët e hedhura në kutitë e gabuara si dhe mospërputhjen e votuesve me fletët e votimit.
Së fundmi ekziston dhe një problem shqiptar, siguria e kutive të votimit të cilat ruhen nga familjarët e Sali Berishës. Kjo është një histori që duhet të hetohet seriozisht dhe merret nën kontroll nga prokuroria pasi mund të gjendemi para një procesi kriminal. Gjatë kësaj kohe mund të jenë mbushur kutitë me fletë votimi që të përputhen me pritshmërinë e rinumërimit ose mund të bëhen gjëra të tilla dhe në vazhdim. Për gjithë këto dyshime, është mirë që këto kuti të vihen nën sekuestro të prokurorisë dhe të hetohen dhe për ndërhyrje të mundshme nga jashtë, duke vendosur ruajtësit e tyre para përgjegjësisë penale.
—————–
Kolegji vendos: Të numërohen fletët e kontestuara në të gjitha kutitë

Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e Partisë Socialiste, duke urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të hapë të gjithë kutitë e votimit në Tiranë për të numëruar fletët e kontestuara. KQZ kishte hapur vetëm 117 kuti për të numëruar fletët e hedhura gabim. Tani do hapen edhe 368 kuti. Në këtë mënyrë do të hapen katër kutitë e përdorura për votimin në Tiranë. Më përpara Kolegji i kishte shpallur të vlefshme këto vota. Kolegji ka anuluar në këtë mënyrë rezultatet e shpallura nga KQZ. Në këtë mënyrë do lëvizin rezultatet edhe për kryetarë minibashkie e për këshilltarë.







