Një Drejtësi e mohuar, vret

0
34

Nga: Kiço BLUSHI

Ditët e fundit kronika e zezë ka kapërcyer mbi lajmet për KQZ-në, mbi Kolegjin Zgjedhor, mbi fjalimet programatike me suksese të pafundme të kryeministrit në grupin e vet parlamentar, mbi të thënat e të bëmat e tre ambasadorëve… ngaqë janë shtuar si rrallëherë vrasjet, rrahjet, kanosjet, përdhunimet, ndotjet morale e natyrore gjithandej. Një mik më tha i hallosur: Mos vallë, fajin e ka vapa që i ka çmendur njerëzit? Sepse për një gërvishtje makine, për një gardh, për një vijë uji, për një pulë që kalon në oborrin e fqinjit, për një pronë, madje edhe për një pasagjer a parkim makine (siç ndodhi me regjisorin Shanaj në Pogradec), shqiptari shkon e rrëmben armën për t’u hakmarrë, duke qëlluar jo vetëm mbi “fajtorin”, por edhe mbi kalimtarët, si mbi një tufë harabelash…

Kështu ndodhi në mes të Sarandës, kështu edhe në Lezhë: zgjidhjen e jep plumbi, jo marrëveshja e mirëkuptimi, aq më pak ligji…Kaq “mall” pa vlerë qenka jeta e njeriut në Shqipëri, sa at e bir të vrasin fqinjin, meqë ky, si taksist, pat marrë një pasagjer pa radhë, si ndodhi në Oblik të Shkodrës? Jo, nuk ka faj vapa, dmth, klima (kupto: e natyrës dhe jo e shoqërisë!) për këtë shtim skajor të egërsisë e të marrisë sonë kolektive!
Por, a e mendojnë vallë këta qyqarë, – këmbënguli miku im i shqetësuar, – para se të shkojnë në haur të nxjerrin së andejmi armën, se kanë për të hyrë në gjak dhe një ditë do të kapen e ndëshkohen në mos nga Drejtësia jonë, nga Interpoli, pse jo edhe nga vetëgjyqësia? Shumica e tyre janë fakir-fukarenj, ndaj për të paguar avokatin, gjykatësit e gardianët, do t’u duhet të shesin shtëpi e katandi…

Nuk është e kollajtë për një familje të ndjekë dyert e gjykatave e të burgut për vite të tëra!… Nuk i llogarisin këto? Sigurisht që jo, i thashë, ata nuk i mendojnë paraprakisht këto halle mbi halle… E kjo “jo” që më doli papritur e me një lehtësi të frikshme, a thua se u përshtatëm tashmë me krimin, me dhunën, me shpifje-sharjet, me dyert e burgjeve, me pagesat nën e mbi dorë për avokatët, për mjekët, mësuesit, gjykatësit, gardianët, faturistët…, pra me hallin mbi hall (mos paç hall mbi hall, uronin dikur të moçmit), më shqetësoi më tepër mua, se bashkëbiseduesin.

Sepse tek ne Drejtësia është ajo që më së pari të poshtëron dhe pastaj asgjëson shpresën! Një Drejtësi që nuk jep drejtësi të shtyn jo vetëm në vetëgjyqësi, por edhe në konflikt të pasosur e të pakuptimtë. Drejtësia që nxjerr kriminelin pa faj, djeg e shkrumbon besimin më shumë se një bandë kriminelësh e mafiozësh… Kur nuk ndëshkohet një zyrtar i lartë, herë për kinse imunitet, herë për procedura e herë për kalim afatesh, vritet mundësia e përparimit e mbrothësimit të shoqërisë. Një Drejtësi e përçudnuar u provua se mund të shkatërrojë edhe sistemin e zgjedhjeve, edhe votën, duke i dhuruar humbësit, pa i bërë syri tërr, pushtet të pamerituar e të pa votuar; duke prezumuar kësisoj fajësinë e Berishës e të klanit të tij, ai i jep vetes të drejtë të deklarojë zëplot se këtë nuk e vendosi ai, po shteti ligjor!…

Nuk ka padrejtësi më të ndyrë se kur kriminelit, keqbërësit, vrasësit, hajdutit nuk i ve dot me emrin që ka, meqë Drejtësia i ka shpallur të pafajshëm! Një Drejtësi e tillë nuk i trajton qytetarët të barabartë, ndaj ndjehesh më i sigurt e më i qetë kur mbetesh pa arbitër, në kaos, në bjeri t’i biem, se sa të rropatesh kot së koti dyerve të gjykatave e policive…Por në rrugë nuk gjen siguri sa kohë nuk respektohen vijat e bardha e semaforët, më së pari nga udhëheqësit e pastaj nga policët rrugorë.

Ç’mender Drejtësie të jetë kjo, kur kryeministri e quan kryeprokuroren “lavire bulevardi” pa i hyrë gjemb në këmbë? Si mund të paralizohet gjithë trupa hetimore e gjyqësore nga sulme të tilla të paskrupullta, aq sa të mos guxojë të zbulojë e të hetojë vrasësit e 21 Janarit, po në të kundërt të dënojë pronarin e makinës që hyri në oborr të kryeministrisë?… A nuk rrëgjohet morali i një shoqërie kur një familjar i viktimave të Gërdecit detyrohet të shesë padinë për dyzet mijë euro, ngaqë nuk ka asnjë shpresë e besim te Drejtësia?… A nuk është plagosur rëndë opinioni publik kur askush nuk do t’ia dijë për një mjeran që bën grevë urie para derës së prokurorisë për të kërkuar me dëshpërim (apo për mëshirë?) sadopak drejtësi, ndërsa ne sytë dhe veshët i mbajmë te deklarata e Metës kundër prokurorisë?…

E pra, në këtë klimë vetëgjyqësie, kotanie, kundërshtie e konfliktualiteti, si mund të ketë frikë nga ligji, nga ndëshkimi, dmth nga Drejtësia i forti i lagjes, krimineli ordiner, rrugaçi, le më pastaj një Ristan e një Tomë? Pyeteni veten: a nuk është e vërtetë që lajmet e politikës, -ç’bëri Berisha e ç’tha Rama sot, -na bëjnë më shumë përshtypje se lajmet e vrasjeve, përdhunimeve të fëmijëve dhe aksidenteve të përditshme nëpër rrugë, mjaft që ato të jenë larg nesh?! Me sa duket, kur një qeveri i përçudnon ditën për diell organet e Drejtësisë, nuk ka tjetër rrugë, përveçse qytetarët e pambrojtur të hidhen kundër, madje edhe të vrasin njëri-tjetrin. Vetëm kështu politika e vjetër ”përça e sundo”, edhe në kushte demokracie, mund të korrë suksesin që dëshiron! Berisha është mjeshtër i kësaj politike!

* * *

U përditësuam pra jo vetëm me skandalet, perversitetet, sharjet, shpifjet, incestin, amoralitetin, gënjeshtrën, mashtrimin, por edhe me krimet, sidomos me ato që kanë karakter dhe burim politik! Asgjë nuk na bën më përshtypje, mjerisht! Borxhi që merr qeveria jo se jo, po edhe sikur kryeministri të shesë nesër jo vetëm hidrocentralet, por edhe pyjet e të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, nuk do të bëzajmë!… Ne nuk duam t’ia dimë sa ka kushtuar Piramida që do të bëhet hi dhe sa do të duhet të paguajmë për ndërtimin e “Parlamentit më modern të Evropës” në vendin më të varfër të Ballkanit!

Jemi të imunizuar nga skandalet qeveritare, veçanërisht kur vjedhjet janë disa milionëshe. Por së fundi nuk po na bëjnë përshtypje as vrasjet te dera e qeverisë e për këtë, padyshim që meritën, pas qeverisë, e ka Drejtësia! Një Drejtësi që na thotë, sa herë jep vendime: është e kotë, jeni të pafuqishëm, mos kundërshtoni, ulni kokën dhe thuajini derrit lider e n’daç liderit derr, por ama binduni që në Shqipëri, ndonëse thuhet se ka shtet ligjor, nuk ka shtet të së drejtës!

Me sa duket, kjo është “klima” që e bën vrasjen e tjetrit të barazvlershme me vrasjen e një mize…Prandaj e vetmja gjë që nuk u shkon në mend këtyre skamendorëve tanë është pikërisht ky: ndëshkimi i mundshëm nga organet e Drejtësisë…Sepse Drejtësia tek ne më shumë punon për padrejtësi, se për të dhënë drejtësi. Pa e bërë qejfin qeder, organet e Drejtësisë, gjykatësit, prokurorët, shefat e komisariateve e të burgjeve të lënë të ikësh “në drejtim të paditur”, nëse je anonim e paguan kesh; ndërsa po të jesh zyrtar i lartë që gëzon mbështetjen e kryeministrit mund të ikësh në drejtim të ditur, drejt e nëpër ekrane e podiume, për të shitur mend e moral, “për të provuar” se sa i devotshëm e i ndershëm ke pas qenë e je!…

Nëse qeveria e qeveritarët nuk kanë frikë nga Drejtësia, automatikisht edhe kriminelët dhe keqbërësit ordinerë, ndoshta mund të kenë ndopak frikë nga vetëgjyqësia, por jo nga gjyqësia, dmth nga “togat e zeza”, nga “uniformat blu” të policisë, nga burgu i përjetshëm, jo se jo! Sepse nëse me këta të fundit mund të bësh pazar, vetëgjyqësia as nuk shitet e as nuk blihet! Fatkeqësisht shtylla e vetme që i ka mbetur shoqërisë të mos shkërmoqet, ndërsa qytetarit si masë vetëmbrojtje e sigurie, me sa duket, është vetëm vetëgjyqësia. Hiqni vetëgjyqësinë të shikoni sa të pambrojtur jemi! Është pikërisht besimi te vetëgjyqësia e jo te Drejtësia faktori që shton përditë e më shumë krimet, vrasjet, sherret… Nuk ka paqe e mirëkuptim nën vetëgjyqësi!

Në një sistem vetëgjyqësie morali shoqëror, i drobitur e i telendisur, ndjehet kryekrejt i pafuqishëm, bashkë me opinionin publik i cili nuk ka e nuk ndjen asnjë pikë energjie e vetëdije për të kundërshtuar padrejtësitë. Deri sa për një sherr banal njeriu i zakonshëm, pa e vrarë mendjen, vret e “ikën në drejtim të paditur”, kjo do të thotë që ky lloj vrasësi e di se do të ketë një mbështetje morale, jo vetëm nga familja e tij… Ai është i bindur se duke ikur në drejtim të paditur, do të jetë më i mbrojtur e më i sigurt se ata qeveritarë që shkojnë në drejtim të ditur, nëpër konferenca shtypi e podiume, paçka se kanë bërë zullume e zarare akoma më të mëdha, si vrasjet në Gërdec, në 21 janar, apo si vjedhjet e abuzimet disa milionëshe në tendera…

E pra, kur zyrtarët e lartë nuk kanë frikë nga Drejtësia, që nuk vrasin një, po disa qytetarë, që nuk vjedhin për një copë bukë, por për t’u bërë hierarkë, pse duhet të ketë frikë një trushkulur anonim që vret “me justifikim”, nga gjaknxehtësia, nga pija, apo nga ndjenja e pronës? Sa kriminelë të rrezikshëm, që i kërkon Interpoli, janë liruar? A nuk u lirua trafikanti turk, i rangut ndërkombëtar, që të ikte në drejtim të paditur? A nuk po lirohet biznesmeni kosovar, Kelmendi, edhe pse shtypi me makinë në mënyrë shtazarake të dashurën këngëtare? Po padronit të Albania Airlines, mik i Mubarakut, që pastronte paratë e u kap në Spanjë, kush i pat dhënë nënshtetësi shqiptare? Etj, etj…

***

Le të përfytyrojmë sikur të kishim ligjin amerikan, që fajtori vrasës të ndëshkohej automatikisht me ekzekutim në karrigen elektrike, a do të bënin vaki tek ne kaq shumë vrasje për hiçmosgjë? Me këtë nuk dua të them që fajin e ka Kodi ynë penal, apo më sak, mungesa e një ligji të ashpër, të tipit amerikan, apo qoftë edhe atij iranian që kushtëzon një dënim me vdekje sipas një vendimi të prerë penal, ku krimi i vrasjes duhet të shlyhet me ekzekutim të pashmangshëm e publik të vrasësit, pasi do të isha kundër një ligji të tillë. Por hipotezën e ngre për të kuptuar se sa dëmsjellëse është një Drejtësi që nuk funksionon, një Drejtësi që nuk ndëshkon, një ligj që nuk zbatohet, duke prodhuar më shumë padrejtësi se drejtësi.

Prandaj, në këtë kuptim nuk gaboj po të them se është Drejtësia ajo që vret me dashje drejtësinë, duke na lënë në qorrsokakun e trashëgimisë së vetëgjyqësisë! E këtë nuk e bën nga padia, nga kurset gjashtëmujore, nga shërbimet e gjykatësve e prokurorëve në diktaturë, ngaqë punon si “celulë ekstremiste” apo si një “lavire bulevardi”, por ngaqë i mungon krejtësisht dinjiteti profesional, sepse i është nënshtruar pa kushte klientelizmit, si një lavire e mirëfilltë politike pa pikë dinjiteti!

Ka shumë shembuj që provojnë se tek ne është krijuar tashmë ajo që quhet “kulturë e pandëshkueshmërisë”, “kulturë” që i ka dhënë Drejtësisë shqiptare shëmbëlltyrën e një mercenari politik që pranon të vrasë e të dhunojë në mes të ditës më të dobëtin e më të pambrojturin, pa e vrarë ndërgjegjja, pa i hyrë gjemb në këmbë, pa e bërë qejfin qeder!