Arben Rrozhani, 16.05.2010
Zhvillimet e ditëve të fundit, edhe pse nuk kanë arritur ta zgjidhin krizën politike që mban peng vendin, kanë arritur në një pikë ku mund të shpresohet: nga ndërkombëtarët dhe nga opozita është shprehur moduli i zgjidhjes dhe tani pritet vetëm përgjigjja e partisë qeverisëse.
Është ajo që fillimisht nuk e kishte fort për zemër vetë opozita, e cila ngulmonte te hapja e të gjitha dokumenteve që kanë kutitë dhe verifikimin e çdo vote të hedhur në 28 qershor 2009, përveç atyre për të cilat ka marrë vendim Kolegji Zgjedhor.
Bëhet fjalë për hapjen kutive dhe marrjen e materialeve zgjedhore dhe sipas ekspertëve të fushës, duke pasur parasysh numrin e madh të tyre, përzgjedhja duhet bërë me short për të disa “kampione” të dokumenteve të zgjedhjeve parlamentare.
Është pak a shumë ajo që bëri Prokuroria e qarkut të Fierit me materialet zgjedhore të qendrës 3052 në fshatin Ruzhdie, pas padisë së komisionerëve të subjektit politik të PS-së, ku sipas konkluzioneve të hetimit dhe të akt-ekspertimit ishin konsumuar të gjitha veprat penale të mundshme nga komisionerët e PD-së, të mjafta për të nxjerrë të pavlefshëm dhe të manipuluar procesin zgjedhor në këtë qendër votimi. Zgjidhjen e pranuar dje nga kryetari i PS-së, Rama, po e mban ende peng kryetari i PD-së Berisha.
Për hetimin e zgjedhjeve mbi 200 deputetë dhe mbështetës të PS-së prej 16 ditësh janë në grevë urie në bulevard poshtë zyrës së tij dhe mijëra protestues dy herë kanë rrethuar selinë e qeverisë apo kanë bllokuar rrugët kombëtare për të shprehur indinjatën ndaj qëndrimit refraktar të qeverisë së tij.
I vetëquajtur “kalorës” pak muaj më parë, në drejtim të z. Berisha është hedhur dorashka e duelit për të vërtetën e sfidës së fundit zgjedhore të 11 muajve më parë, për të cilat komuniteti ndërkombëtar, bëri një sy qorr dhe një vesh të shurdhër, megjithëse shenjat ishin parathënë.
Zyra e OSBE-së dhe ODIHR-i sollën në Shqipëri më shumë vëzhgues se asnjëherë tjetër, duke mbuluar shumicën e qendrave kryesore të votimit dhe më pas ato të numërimit të votave, sepse siç thuhej, zgjedhjet ishin një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për qeverinë.
Por përfaqësuesja e zyrës së ODIHR, Audrey Glover, nuk u pranua nga z. Berisha dhe qeveria e tij, për shkak se 13 vite më parë, zyra e drejtuar prej saj kishte thënë gjithçka ndodhi me zgjedhjet skandaloze të 26 majit 1996, një klonim të të cilave, Z. Berisha tashmë si kryeministër do ta bënte me zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ishte dëshmitari okular i procesit më të fundit zgjedhor në Shqipëri për të cilin, në raportin final të OSBE/ODIHR-it, pjesa më kritike ishte ajo e numërimit të votave, ku thuhej se në dy të tretat e qendrave të numërimit të votave, pra në 22 nga 66 të tilla numërimi ishte i keq ose shumë i keq.
Hetimi prej një komisioni hetimor parlamentar, me shumicë anëtarësh nga opozita dhe të drejtuar po nga ajo do të kishte tagrin për të hetuar materialet zgjedhore, pra ato të janë brenda nëpër kuti, pa përfshirë fletët e votimit dhe në rast parregullsish do të ishte Komisioni i Venecias, ai që do të vendoste hapjen e kutive me probleme.
Ngurrimi i z. Berisha është i përligjur, me akuzat e opozitës dhe raportin e OSBE/ODIHR-it, për manipulime skandaloze në shumicën e qendrave të votimit, veçanërisht në zonat rurale dhe në bastionet e PD-së, ku opozita e pati shumë të vështirë të menaxhonte kontrollin e procesit të votimit. Pak e shumë si në Ruzhdie.
Ekspertimi i materialeve zgjedhore nga ana e Policisë Shkencore, të dhënat nga Ministria e Brendshme dhe dëshmitë e personave të implikuar këtë procesin elektoral, treguan se në qendrën e votimit numër 3052, manipulimi nisi me lënien e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të hapur dhe në emër të zgjedhësve të tjerë, me falsifikimin nga ana e komisionerëve të listës së zgjedhësve, duke shënuar përbri emrave, numra serie të dokumenteve të identifikimit si pasaporta dhe karta e identitetit të falsifikuara, në një qendër me vetëm 592 zgjedhës ishin falsifikuar firmat, numrat e serive, të kartave të identitetit dhe pasaportave të 376 zgjedhësve.
Opozita mbron me forcë idenë se kështu ka ndodhur në shumicën e qendrave të votimit në Shqipëri, çka ndikoi seriozisht në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. OSBE/ODIHR-i vuri në dyshim numërimin në 22 qendrat e numërimit të votave. Këto vërtetohen me shkresat zyrtare që janë brenda në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Për “kalorësin” Berisha dorashka është hedhur si nga opozita që po sakrifikon në grevë urie, ashtu edhe nga ndërkombëtarët e lodhur nga zgjedhjet pa zgjidhje të Shqipërisë. Pritet vetëm përgjigjja e tij.