Një ditë më herët…

0
31

Albin Kurti

Albin Kurti, 27.10.2009

Duket që më 9 qershor 1999, gjeneralët serbë e kanë kontrabanduar një detaj, i cili është vetë djalli. Harta topografike e Kosovës që është aprovuar në Kumanovë, e ku s’pati të ftuar asnjë shqiptar, nuk përputhet me kufijtë e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Asnjë dokument në Kosovën e pasluftës nuk ka qenë më i trajtuar e më i përfolur, sikurse Rezoluta 1244. Secili dokument i ri përgjatë kësaj dekade e rikthente Rezolutën 1244 sepse i referohej asaj.

Çfarëdo dokumenti operacional kishte një nen në tekst ku tregonte se operacioni i varej nga një dokument tjetër i shifruar si R1244. Çfarëdo dokumenti themelor kishte një pikë ku tregonte se nuk është themelor meqë kishte diçka tjetër edhe më themelore.

Duke mos pasur asnjë dokument zyrtar të rëndësishëm, i cili së paku nuk e përmend (se lëre më aso që do ta kundërshtonte), Rezoluta 1244 u shndërrua në atë që ishte: ADN-në juridike e Kosovës, kod që kodifikonte.

Më 10 qershor 1999, Fuqitë e Mëdha arritën në një konsensus për Kosovën në formën e rezolutës së KS të OKB-së. Rezolutë, nga anglishtja, do të thotë zgjidhje. Më tutje, nga latinishtja, do të thotë zbërthim në pjesë, kurse më vonë, kjo fjalë e fitoi edhe kuptimin e vendosmërisë.

Rezoluta 1244 nuk ishte zgjidhje për Kosovën, por zgjidhje për harmonizimin e interesave kundërthënëse ndërkombëtare rreth Kosovës. Prandaj, kjo rezolutë nuk ishte as zbërthim i lëmshit të shkaktuar nga Serbia dhe më parë se vendosmëri e ndokujt, ishte pavendosmëri e kolektivizuar.

Problemet e shumta të Kosovës, prej Kodit të Telefonisë Mobile e deri te fondi i privatizimi që mbetet jashtë vendit, prej strukturave të Serbisë në Kosovë e deri te procesi i GjND-së për Kosovën, pashmangshëm e përmbajnë datën e 10 qershorit 1999.

Mirëpo, a janë edhe këto kontestet territoriale të Kosovës, që po gëlojnë anekënd territorit tonë, sërish si pasojë e Rezolutës 1244? Megjithatë, jo.

Besoj se të gjithëve u ka rastisur që, përderisa keni qenë duke shikuar ndonjë film, rrëfimi të kthehet prapa në kohë, me këtë rast në ekran shfaqet një shënim që sqaron se ngjarjet në vijim janë më të hershme dhe tregohet se sa më të hershme janë ato.

Pra, përgjatë rrëfimit arrijmë në një pikë, kur nuk mund të ecet para pa shikuar prapa, kur zhvillimet në vijim nuk mund të kuptohen pa u kuptuar zhvillimet para fillimit nominal, me të cilin nis filmi. Në këtë moment kur avancimi përpara në shpalosjen e narracionit nuk është i mundur pa e bërë paraprakisht një hap prapa, skenaristi i filmit i përngjan shoferit i cili, gjersa i jep makinës përpara, rregullon retrovizorin.

Ngjashëm, përderisa përpiqemi të shpjegojmë zhvillimet në Kosovë, porsa arrijmë te çështja e konteksteve kufitare, rrjedha e rrëfimit që deri atëherë mund të konsiderohej si pasojë strukturore e Rezolutës 1244, vjen në krizë dhe s’ecën dot para.

Më 10 qershor 1999 nuk mund të jetë më fillimi. Ka nevojë për një kthim prapa, për një fillim të ri që është më i vjetër, për një zbritje më të thellë në kohë, e cila do të mundësonte ngjitjen kuptimore për neve sot. Mirëpo, në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë kthim të madh prapa. Tamam sikurse në shumë filma, është e nevojshme ta kemi parasysh vetëm ditën paraprake.

Pra, ta shtjellojmë atë çfarë ngjau një ditë më herët – më 9 qershor 1999. Kthimi te një ditë para 10 qershorit i shpjegon pretendimet aktuale të fqinjëve mbi zonat kufitare të Kosovës. Në Kosovë atëbotë bëhej luftë: nuk mund të merreshin vesh diplomatët pa u marrë vesh njëherë ushtarakët.

Me 9 qershor të vitit 1999, në Kumanovë, u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake ndërmjet gjeneralëve të KFOR-it dhe gjeneralëve serbë të Ushtrisë Jugosllave. Kjo marrëveshje pesëfaqëshe duket se është e shkruar nga ekspertët e NATO-s.

Aty nuk përmendet fjala kapitullim për forcat jugosllave porse “gjithçkafit i vjen era kapitullim”. Madje, në nenin 5, dedikuar autoritetit përfundimtar interpretues, thuhet që “Komandanti i Forcave Ndërkombëtare të Sigurisë (“KFOR”) është autoriteti final, lidhur me interpretimin e kësaj marrëveshjeje dhe aspekteve të sigurisë së marrëveshjes së paqes që e mbështet.

Përcaktimet e tij janë t detyrueshme për të gjitha palët dhe personat.” Gjithsesi, kjo duhet të ketë qenë ofenduese për gjeneralët serbë të cilët e pranuan këtë marrëveshje e cila përkufizonte shtigjet përmes së cilave trupat jugosllave do të tërhiqeshin nga Kosova.

Mirëpo, duket që me 9 qeshor 1999, gjeneralët serbë e kanë kontrabanduar një detaj, i cili është vetë djalli. Harta topografike e Kosovës që është aprovuar në Kumanovë, e ku s’pati të ftuar asnjë shqiptar, nuk përputhet me kufijtë e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Me luftën që ende s’kishte mbaruar në njërën anë dhe me Maqedoninë e Shqipërinë përplot refugjatë në anën tjetër, me gjasë gjeneralët e NATO-s u ngutën dhe e pranuan hartën e Serbisë për Kosovën.

Sot, përveç 2.500 hektarëve në Debëlldeh të Vitisë, 1.500 hektarë në Karaçevë të Dardanisë, 2.000 hektarë të Pashajlës në Pepaj të Rugovës dhe 5 kilometra te Çakorri janë disa prej konteskteve kufitare që i kanë rrënjët në Kumanovën e 9 qershorit 1999.

Vetëm atëherë kur do ta kemi hartën topografike të Marrëveshjes së Kumanovës dhe ta krahasojmë atë me hartën e Kushtetutës së vitit 1974 do të mund t’i dimë të gjitha kontestet që na presin.

E, kjo hartë nuk është e publikuar askund. Mbase, duke qenë i vetëdijshëm për padrejtësinë dhe dëmin e madh që i është bërë e do t’i bëhet Kosovës, KFOR-i nuk e preferon transparencën.

Në nenin 3.2 të aneksit VIII të quajtur ‘Sektori i Sigurisë’ në Planin e Ahtisaarit, thuhet që “Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e KSAK-së brenda RSFJ-së, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të RFJ-së dhe IRJM-së më 23 shkurt 2001.” Midis Marrëveshjes së Kumanovës dhe Planit të Ahtisaarit ka konflikt sa i përket përcaktimit të kufijve të Kosovës.

Por, Plani i Ahtisaarit shfrytëzohet vetëm atëherë, kur duhet copëtuar Kosovën me decentralizim, jo edhe atëherë kur ndonjë nen i tij do të mund të shfrytëzohej për ta mbrojtur Kosovën, apo jo?