Preç Zogaj, 28.01.2010
Tre deputetë të Partisë Socialiste, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, kanë nisur dje një vizitë në Bruksel, në emër të Lëvizjes për Mendim Ndryshe (LMN), që u shpall tre katër muaj më parë si një fraksion brenda PS-së.
Vizita e tyre përkon me diskutimin sot nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e Projektrezolutës së paraqitur nga Komisioni i Monitorimit në lidhje më krizën në Shqipëri.
Ajo përkon gjithashtu edhe me vizitën që po zhvillon në këtë forum politik një delegacion zyrtar i Partisë Socialiste i kryesuar nga shefja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, zonja Arta Dade.
Me fjalë të tjera, sot që diskutohet një dokument shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, në dy kryeqytetet politike të Europës, në Strasburg dhe në Bruksel kemi dy dërgata nga Partia Socialiste në opozitë! Historia jonë politike e marrëdhënieve me jashtë njeh shumë raste të delegacioneve paralele që na kanë treguar “të veçantë” para botës.
Ka pasur delegacione paralele nga institucionet shtetërore, ku palët janë shtyrë për parllëkun. Ka pasur delegacione paralele nga parti politike të së njëjtës ngjyrë politike ku njëra i ka rënë gozhdës, tjetra patkoit. Por është hera e parë që drejt dy kryeqyteteve politike nisen njëkohësisht dy dërgata nga e njëjta parti politike.
Pa pasur nevojë për shumë hollësi, e gjithë kjo tregon se diferencimi midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes për Mendim Ndryshe brenda saj ka evoluar ku e ku përtej caqeve të mendimit ndryshe duke dhënë jo dokudo, por pikërisht në sferën e marrëdhënieve me jashtë, shfaqjen e veprimit ndryshe
Në këtë mes, e merr vesh kushdo se delegacioni zyrtar nuk mund të qortohet për asgjë: ai është në kohën e duhur, në vendin e duhur. Në KE po shqyrtohet një dokument shumë i rëndësishëm për vendin.
Në momentin kur nuk i ka anëtarët e vet në Asamble për shkak të bojkotit, është e natyrshme që PS të jetë atje me një delegacion partie.
Nga ana tjetër, unë personalisht nuk paragjykoj të drejtën e askujt për të menduar e vepruar ndryshe, natyrisht brenda një suaze parimesh e vlerash që janë të përbashkëta, universale. Gjithkush ka arsyet e veta që i konsideron më të mira se të rivalit.
Prandaj ekziston diversiteti, debati, pluralizmi. Blushi, Islami dhe Harasani mund ta mpiksin edhe si parti më vete Lëvizjen e tyre. Qëkurse një grup themeluesish të PD-së krijuan në vitin 1992 Partinë Aleanca Demokratike, këto gjëra janë bërë rutinë në Shqipëri.
Unë nuk pretendoj t’i njoh mirë, për rrjedhim as të jap gjykime rreth problemeve të brendshme të Partisë Socialiste. Politikisht, sa për shkak të të qenit deputetë, aq edhe për shkak të përputhjes së një numri pikëpamjesh e shijesh, kam jetuar më gjatë dhe më afër me Blushin e Islamin, se sa me Ramën. Por politika lexohet siç shkruhet dhe shkruhet siç bëhet.
Në këtë kuptim, dalja dhe sjellja e LMN-së ngërthen çështje politike me rrezatim me të gjerë se sa rivalitetet brenda një partie për linjën apo lidershipin.
LMN është një lëvizje e shumëkërkuar dhe e shumëdëshiruar prej vitesh në PD, madje edhe në parti të tjera më të vogla.
Partitë Shqiptare, në përgjithësi, edhe kur e kanë shkruar në ndonjë cep statuti, nuk e kanë pranuar de fakto diversitetin, krijimin e fraksioneve, siç e kanë partitë në SHBA, Europë dhe vendet e tjera demokratike të botës. Zakoni në Shqipëri është që kush hyn në Parti ose duhet të rrijë në rresht gatitu, ose të shkojë e të krijojë një parti tjetër.
Tek ne ka një mendim obskur sikur demokracinë e garanton ekzistenca e shumë partive, ndërsa partitë në vetvete s’kanë nevojë të jenë demokratike!? Prandaj thahen partitë në këtë vend dhe elita, përgjithësisht mbetet jashtë politikës. Partia Socialiste ka qenë e vetmja parti me peshë që ka zhvilluar përgjatë kohës diversitetin e brendshëm. Me LMS ky diversitet u pagëzua.
Kjo ishte një vlerë, pavarësisht se nuk pëlqehej nga të gjithë dhe në radhë të parë nga vetë kryetari i partisë, Rama. Por, ai e pranonte si një realitet dhe ndërsa e kemi dëgjuar të debatojë, nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë t’i anatemojë apo denigrojë, siç ka ndodhur më parë.
Taktike apo jo, kjo sjellje e liderit dhe e shumicës që ka pas lideri, krijon kushtet që për herë të parë të kemi në Shqipëri një grupim që mbron dhe zhvillon vërtetë mendimin ndryshe në një parti.
Mirëpo, ndërsa disa politikanë nuk e kanë pasur e nuk kanë mundësinë të zhvillojnë mendimin ndryshe në partitë e tyre, këta që e kanë në Partinë Socialiste, papritur, nga nxitimi a kush djalli e merr vesh, priren ta shpërdorojnë.
E shpërdorojnë duke ua kaluar të drejtën atyre kryepartiakëve që nuk e lejojnë në partitë e tyre.Komprometimi i një vlerë nga teprimi me të – kjo është ajo që vajtojnë partizanët e diversitetit në gjestin e fundit të tre anëtarëve të LMS-së.
Vetëm një parti me vete mund ta bëjë atë që kanë bërë ata. Madje, etika dhe respekti na thotë se edhe një parti tjetër do të mendohej për momentin e një vizite të tillë në Bruksel, sa kohë që vëmendja sot është fokusuar në Strasburg.
Nga disa deklarata të Islamit kemi marrë vesh se problematika që do të debatohet në Strasburg – kriza politike në vend, zgjedhjet e 28 qershorit, bojkoti i opozitës – përbëjnë edhe agjendën e tre deputetëve.
Kjo e ndërlikon edhe më tej paralelizmin mes dy delegacioneve, duke e zhveshur nga rastësia. Mirëpo e vërteta është se gjithë çfarë mund të sigurohet nga faktori ndërkombëtar europian, LMS e ka siguruar pa qenë nevoja të marrë avionin për Bruksel.
Ndërkombëtarët, me pak përjashtime, i kanë kërkuar Partisë Socialiste të zërë vendet e veta në Kuvend. Edhe projektrezoluta që diskutohet sot kërkon këtë gjë.
Por, duke qenë një dokument shterues, që është hartuar në bazë të vëzhgimit në terren të krizës politike, projektrezoluta e shikon hyrjen e deputetëve të opozitës në Kuvend si pjesë të një zgjidhjeje tërësore, të njëkohshme e të negociuar të krizës, që ka në themel hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë.
Projektrezoluta është dokumenti që duhet të bashkojë opozitën me shumicën dhe jo të ndajë akoma me shumë fraksionin e vogël të LMN-së nga opozita. Për opozitën që po proteston prej disa muajsh dhe po zhvillon një opozitarizëm pa pagesë, projektrezoluta e KE-së është maksimumi që mund të kërkohet e arrihet. Çdo demarsh tjetër vetëm do ta zvogëlonte atë që po arrihet, thënë ndryshe vetëm do t’i fuste ujë rakisë, siç thotë populli.
Do të ishte më shumë se e trishtueshme që deputetët opozitarë të linin gjëkundi gjurmën e një investimi të tillë. Ndryshimi eventual i projektrezolutës, që ka shumë pak gjasa të ndodhë, nuk do të kishte asnjë efekt në fatin e zhvillimeve reale shqiptare. Vetëm do të krijonte iluzione të reja në qeveri për të vonuar zgjidhjen.
E dinë edhe në Strasburg se kriza shqiptare, megjithëse ka si kryefjalë kutitë, ka një kuptim më të madh dhe është një thirrje e mbarë shoqërisë për të dalë në rendin e ligjit, drejtësisë dhe transparencës.
Në këtë kontekst, lëvizjet e vogla dhe cicmicet e tipit të vjetër janë të destinuara të zhduken pa lënë gjurmë. Të shprehesh kundër opsionit të votuar nga shumica duke mbrojtur opsionin tënd është një mënyrë për të mbetur alternativë, ndërkohë që të veprosh kundër opsionit të votuar është të heqësh dorë së qeni alternativë e lidërshipit aktual.
Prandaj, duke njohur vlerat unikale të Ben Blushit si politikan opozitar, duke respektuar pozicionin e tij si një zë ndryshe në PS dhe duke dashur ruajtjen e një vlerë politike në pyllin e rralluar të vlerave të tilla, do të kisha dashur t’i thosha atij si shef i LMN-së: qepju Edi Ramës me bukë në trastë, sa kohë që partia ku je ta jep këtë mundësi! Mbaje lart, mundësisht më lart se ai, kredon e opozitës shqiptare; vështirë se do të kesh ndonjëherë mjetet e Ilir Metës, që nuk i vlejtën për gjë për sa i përket ëndrrës që thuri.
Por ke kohën që ai nuk diti të presë. Në politikë nuk është asnjëherë e sigurt a do të fitosh apo jo, por një gjë është njëqind për qind e sigurt edhe në politikë: ai që ke përpara apo mbi kokë do të bjerë. Demokracia nuk njeh liderë të përjetshëm.
Shqipëria, e vështirë në varfërinë e saj, ca më pak. Kush do, kush di dhe kush mundet, do të ketë shansin e tij. Përndryshe, do të kemi një deputet me shumë dhe një politikan më pak. Domethënë asgjë.