Nga Mero Baze, 7 Gusht 2013
Politika e jashtme më e mirë e Shqipërisë, është politika e brendshme. Për 22 vite pluralizëm, Shqipëria ka tentuar të bëjë të kundërtën. Ajo ka tentuar të përdorë politikën e jashtme për të imponuar dështimet e brendshme. Kjo ka bërë të dështojë në të dyja drejtimet, si në politikë të brendshme, ashtu dhe në politikë të jashtme.
Debati i hapur prej vizitave paraprake të Edi Ramës me tre kryeministrat fqinjë, në të vërtetë po bëhet orë pas ore më banal për shkak të mentalitetit që sundon tek qeveria në ikje, e cila i shikon vizitat e Ramës dhe mikpritjen ndaj tij si propagandë, siç i ka pasur qeveria në ikje. Vetë Edi Rama po ashtu e ka një sens propagande kur i reklamon ato si strategjike dhe kur vizaton një gjeografi lëvizjesh si ilustrim për reputacionin e mirë të qeverisë së re.
Por çfarë është në të vërtetë strategjike në politikën e jashtme të Shqipërisë?
Asgjë më shumë se sa të prodhojmë demokraci, stabilitet rajonal dhe imazh të mirë për vendin tonë. Shqipëria dhe liderët tanë duhet të heqin dorë nga skemat gjeopolitike, që thurin mitomanët, duhet të heqin dorë nga paranoja e albanofobisë, e ndërtuar si teori nga Sali Berisha sa herë i rrezikohej pushteti në Tiranë, dhe mbi të gjitha të heqin dorë nga ideja se mund të diktojnë fqinjët apo Perëndimin me kursin e politikës së jashtme. I vetmi rast kur politika e jashtme e Shqipërisë do të respektohet dhe do të vlerësohet pozitivisht, është rasti kur ajo do të përfaqësojë një qeveri të suksesshme brenda vendit, një qeveri me standarde demokratike, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe që është model pozitiv për shqiptarët në rajon. Polemikat qesharake për trekëndësha dhe vende strategjikë, janë diletantizma të atyre që mendojnë se politika jonë e jashtme është diçka për të cilin ka nevojë Perëndimi apo fqinjët. Jo! Ajo është diçka që bëhet e vlefshme vetëm kur ne jemi në rregull me punët tona brenda shtëpisë.
Sali Berisha përpiqej ta përdorte diplomacinë sa herë ndjehej ngushtë në Tiranë. Pasi vrau më 21 janar, dhe vodhi votat për llogari të Lulëzim Bashës më 8 maj 2011, iu përgjigj ftohtësisë së Perëndimit me një sërë teorish nacionaliste, ndonjëherë të huazuara nga terminologji gëbelsiane. Filloi të flasë për albanofobi në mes të Mynihut, kur Perëndimi po e izolonte si një kryeministër që vriste kundërshtarë dhe prekte zgjedhjet. Filloi të flasë për Shqipëri të madhe të bashkuar, kur u kompleksua nga faktorë politikë nacionalistë në vend. Filloi të flasë për orientim kaukazian kur pa se Brukseli i mbylli derën politikës së tij. Pra, vetë Berisha ka bërë politikë të jashtme për të kompensuar dështimet e brendshme dhe dhunimin e standardeve të lirisë brenda vendit.
Ky model atavik ndjehet ende në terminologjinë e njerëzve të tij. I vetmi kujdes i Berishës është që njerëzit, të cilët i vë të flasin për këto broçkulla akoma, t‘i zgjedhë sa më qesharakë, që të mos ia marrin për ters. Zgjedh për shembull të flasin Tritanin ose Jozefinën. Por dhe pse kaq banal, kjo nuk e fsheh logjikën e tij dhe mënyrën se si e ka përdorur politikën e jashtme.
Edi Rama duhet t’i jap fund kësaj praktike. Dhe para se t’i japë fund, duhet të jetë i bindur se nuk i vlen. Nëse ai nuk qeveris mirë, nëse ai nuk përmirëson standardet e lirisë në këtë vend, nëse nuk bën zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura, nëse nuk zhvillon vendin, ai nuk e ndihmon dot as veten dhe as Shqipërinë me politikë të jashtme. Edhe sikur natë e ditë Obama e Toni Bler të na thonë se ai është fat për Shqipërinë, ne nuk do t’i dëgjojmë. Fati i politikës së jashtme të Shqipërisë vendoset në politikën e brendshme.
E dyta që duhet të ketë parasysh diplomacia jonë nuk duhet të jetë qenia një propaganduese e qeverisë, por një instrument konkret për nxitjen e zhvillimit. Diplomatët tanë duhet të jenë njerëz që natë e ditë të punojnë për gjëra konkrete, për të sjellë një investitor, për të nxitur një botim, për të shpjeguar problemet dhe sfidat e vendit dhe jo për ta dërguar nëpër salla konferencash për të fyer liderin e opozitës, siç bënte Berisha.
Shqipëria është vend i varfër, në një udhëkryq zhvillimi kaotik, pa një strategji të qartë zhvillimi dhe në mëshirë të iniciativave spontane të qytetarëve, të cilët nga padija dhe mungesa e shtetit, shpesh investojnë kundër zhvillimit të vendit pa dashje.
Ne duhet të ndreqim këtë Shqipëri, të zhdukim papunësinë, varfërinë ekstreme, kontrastin e zhvillimit shoqëror, nivelin barbar të arsimimit, gjendjen skandaloze të shëndetësisë dhe pabarazinë e frikshme klasore që po krijon trauma të përditshme. Kur t’i kemi bërë këto, atëherë politika jonë e jashtme do të jetë një sukses si në Romë, në Athinë, në Ankara, ashtu dhe në Bruksel e SHBA. Shqipëria nuk ka as fuqi dhe as reputacion të diktojë apo të zgjedhë aleatë. Ajo është ende pjesë e problemeve të rajonit dhe Evropës dhe jo një model funksional demokracie. Sali Berisha e ka katandisur Shqipërinë si një vend për të cilin kanë interes vetëm trafikantët e drogës, prostitutave dhe biznesmenët e mbetjeve toksike. Nëse Edi Rama ia del të na heqë nga ky trekëndësh i interesave të Berishës, ka bërë shumë për Shqipërinë dhe natyrisht për politikën e jashtme të saj.
Starti i tij është pozitiv dhe mbështetja si nga fqinjët, dhe nga SHBA e Brukseli është maksimale, pasi është qeveri e re dhe rrezatohet dashuria e tyre për Shqipërinë. Por me kalimin e kohës do reflektohet qëndrimi i tyre ndaj asaj se çfarë qeveria shqiptare do të bëjë. Ndaj diplomacia e fotografive dhe propaganda me mbështetje të jashtme, në Shqipëri duhet të marrë fund. Shqiptarët votuan më 23 qershor edhe kundër atyre perëndimorëve që donin të mbanin në këmbë regjimin e Sali Berishës. Ndaj duhet lexuar mirë rëndësia që ka politika e jashtme në qeverisjen e re. Ajo nuk mund të shërbejë si agjenci publiciteti për qeverinë, por si ilustrim i suksesit apo dështimit të politikës së brendshme. Po dështuam në qeverisjen e brendshme, nuk kemi çfarë të eksportojmë veç krizave dhe destabilitetit rajonal.