Nga Mero Baze, 17 Korrik 2013
Bujar Nishani mund ta kishte shmangur skandalin që bëri me krerët e institucioneve kushtetuese, të cilët i thirri për t’i mobilizuar për luftë ndaj shumicës së re. E dimë të gjithë që ia ka kërkuar Berisha, për të neutralizuar takimet që Rama ka marrë si kryeministër i zgjedhur me disa prej tyre. I pafuqishëm për t’i thonë ende “jo” Berishës, i shqetësuar për humbjen e thellë të Partisë Demokratike, dhe ndoshta i frikësuar se mos qeveria ia ndërpret rikonstruksionin e vilës, ka vendosur që në këto ditë të nxehta korriku, të dalë nga shtëpia, të shkojë në zyrë, të humbasë pak kohë sa të rehatohet dhe të thërrasë një nga një aty gjithë krerët e institucioneve për t’u thënë “mos u dorëzoni”.
Mund të kish gjetur një arsye fizike t’i thoshte Berishës që ‘nuk jam mirë këtë javë dhe do ta shtyj për më vonë’. Mund t’i thërriste një nga një në zyrë dhe t’i këshillonte për rezistencë. Mund të lexonte Kushtetutën dhe të shikonte se ishte duke e shkelur atë kur përdor daljen publike si president për të angazhuar politikisht institucionet e pavarura kushtetuese kundër shumicës legjitime të shqiptarëve. Por mbi të gjitha dhe pasi i mblodhi, dhe pasi shkeli Kushtetutën, dhe pasi ia bëri qejfin Berishës, mund të mos fliste ato që foli. Le të heshtte siç ka bërë gjithë jetën derisa mbërriti në atë zyrë për atë meritë madhore të njerëzve që punojnë me Berishën. As këtë nuk e bëri. Bile për t’i vënë qershinë mbi tortë angazhimit të tij të thellë politik, nga gjithë krerët e institucioneve kushtetuese nuk kishte thirrur vetëm Avokatin e Popullit, të cilin me sa duket e quan “të partisë armike”.
Por Bujar Nishani nuk bëri asnjë përpjekje ta shmangte këtë skandal. Ai ka bërë një shkelje të rëndë të Kushtetutës duke politizuar postin e tij dhe duke bërë apel politik për kundërvënie ndaj një qeverie të re, që vjen nga një shumicë legjitime e shqiptarëve. Angazhimi politik i presidentit kundër shumicës, kur ajo ende nuk ka filluar punë dhe nuk ka bërë asnjë gjest qoftë dhe formal ndaj institucioneve kushtetuese, është një fakt i fortë, i provuar me zë e figurë dhe deklaratë për shtyp nga vetë zyra e presidentit. Dy muaj para se qeveria e re të nisë punën, ajo paragjykohet politikisht prej presidentit dhe më keq akoma, ai mbledh çetën e tij në shtet për t’iu kundërvënë pushtetit të ri në mënyrë antikushtetuese.
Ne i njohim kush janë ata që drejtojnë institucionet gjoja të pavarura kushtetuese në vend. Janë shërbëtorët më pa dinjitet të regjimit që ra. Ndryshe njihen njëri si shok i Zenit, tjetri si shok i Gonit, tjetri si shok i Sandrit apo Argitës. Asnjë nga ata nuk ka mundur të ketë emrin e tij në historinë e drejtimit të shtetit shqiptar, por njihen vetëm si njerëz që rrethanat i kanë çuar në ato poste. Por pavarësisht kësaj, ajo që bëri Bujar Nishani i tejkalon të gjitha. I futur nën presion nga Sali Berisha, që flet përçart gjithë ditën në zyrën e tij, duke numëruar ditët, Bujar Nishani në njëfarë mënyrë ka mbledhur gjithë krerët sakat të shtetit shqiptar dhe i ka motivuar ata politikisht kundër shumicës së re, në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjesti i tij tregon se ai mbetet një kapter i pakorrigjueshëm dhe shumë larg dinjitetit njerëzor për të qenë president i Republikës. Zgjidhja e vetme është që shumica e re t’i përdorë votat e saj plebishitare për një reformë të thellë të gjithë institucioneve kushtetuese, duke ndërruar jo vetëm krerët e tyre, por dhe qasjen moderne ndaj shtetit shqiptar. Në krye të këtyre institucioneve duhen njerëz që realisht të modernizojnë shtetin shqiptar dhe jo qokaxhinjtë e Sali Berishës, që tashmë kanë vendosur t’i kthejnë këto institucione si strehë për njerëzit që do prekin reformat në pushtet.
Reforma kushtetuese e institucioneve duhet filluar nga presidenti. Zgjedhja e tij i duhet deleguar popullit shqiptar dhe këtu merr fund dhe historia sakate e kësaj presidence. Pastaj me radhë duhen reformuar në themel gjithë institucionet kushtetuese të vendit duke vendosur në krye të tyre njerëz realisht të pavarur dhe apolitikë. Shumica e re i ka votat dhe mbështetjen e duhur popullore për ta bërë këtë. Vetëm kështu ne mund të shpëtojmë nga këto institucione, që jo vetëm drejtohen nga njerëz pa dinjitet, por që shikojnë si të vetmen të ardhme të tyre pozicionimin politik, edhe kundër vullnetit të shqiptarëve.