TemA, 21 Mars 2013
R. Shifter: – Presidenti Klinton është i interesuar që ky tension (mes Athinës e Tiranës – sh.red) të kapërcehet dhe acarimi të zbutet nëpërmjet dialogut… Ne mendojmë se ju me autoritetin tuaj mund të ndikoni për të ulur tensionin…
S. Berisha: – Si? Në ç’mënyrë?
R. Shifter: – Ne mendojmë se 5 shtetasit që po gjykohen, duhet të lirohen. Ju mund të ndërhyni si President dhe si kryetar i Këshillit të Drejtësisë…
S. Berisha: – Jo. Nuk mund të bëhet… Unë nuk mund ta bëj këtë edhe për faktin se organet e drejtësisë dhe gjykatat janë të pavarura në Shqipëri.
R. Shifter: – Zoti Berisha! Unë i besoj ato që thoni por këtë që ju kërkojmë duhet ta bëni…
S. Berisha: – E pamundur! Kjo është kërkesë staliniste. Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti të pavarur. Unë nuk mund ta lejoj këtë!…
R. Shifter: – Ju mendoni se Presidenti Klinton është si Stalini?!
S. Berisha: – Faktet flasin vetë… Kështu mendoj…
Këtu takimi i tyre është ndërprerë…. Shifteri kishte planifikuar të shkonte në Athinë po atë natë (një nga 5 të gjykuarit ishte shtetas amerikan). Sikurse u mësua pak më vonë, nga kryeqyteti grek, ai i ka telefonuar sërish presidentit shqiptar për të mësuar nëse i qëndronte ende deklaratës së mëparshme. Dhe ka marrë afërsisht përgjigjen se, jo vetëm i qëndronte, por do të shtonte se e theksoj se në këtë mënyrë sillej dhe u diktonte vendeve vasale vetëm ish-udhëheqësi bolshevik i Kremlinit, Josif Stalini…
Pjesa më sipër është marrë nga transkripti i një bisede të zhvilluar në gushtin e vitit 1994 dhe citohet nga ish-korrespodenti i Zërit të Amerikës i asaj kohe, Xhevdet Shehu, në një artikull, të cilin autori e ka botuar sot në të përditshmen DITA. Autori shpjegon më pas kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën në Shqipëri pas kësaj bisede përgjatë viteve ‘94-’97.
Shkruan Shehu në DITA: “Rreth orës tre të mëngjesit cërritja e telefonit më zgjoi si mjaft herë të tjera. Nga zyra në Uashington, Elez Biberaj më njofton se atë natë në Tiranë kishte qenë Riçard Shifter… Ka ardhur për punën e grekëve që po gjykohen aty, më thanë. E dimë, e dimë që nuk është dhënë asnjë lajm për këtë vizitë aty, por ne duhet të japim diçka… Duhet me doemos ta japim këtë lajm… Dhe, pas një pauze, më sqaroi shprehimisht se ai, domethënë Shifteri, është takuar po mbrëmë me atë malokun tuaj aty (Berishën), të cilit i ka dhënë një mesazh të këtij malokut tonë këtu (Presidentit Bill Klinton), por Berisha nuk e ka pritur mirë dhe kjo… do të thotë… E kupton vetë se ç’do të thotë!…).