Nga “Faktori Plus”
Ndërsa kriza politike po hedh hapin e saj të fundit drejt konfrontimit, qëndrimi i djeshëm i kryeministrit Berisha dhe deklaratat e sotme politike duket se janë “armët e fundit” rezervë që ai ka ruajtur për kundërshtarin e vet. Pavarësisht zhurmës që ai përpiqet të bëjë, nga një vlerësim i shpejtë shihet qartë se kryeministri Berisha nuk po përdor më asnjë argument që ka lidhje me krizën politike dhe thuajse nuk ka asnjë fakt që të provojë dhe teorinë e tij të re për kupolën mafioz-puniste, siç quan ai lidhjen e biznesit me politikën në opozitë.
Së pari, zoti Berisha, përveç grimasave dhe ekzaltimit të tij, nuk paraqiti para gazetarëve asnjë provë të vetme, asnjë fakt të vetëm dhe asnjë dokument të vetëm që të provonte një shkelje ligjore në favor biznesmenëve që ai akuzoi. Ai nuk citoi asnjë dokument konkret, nuk lexoi asnjë titull dokumenti, nuk dha asnjë numër protokolli të dokumentit dhe mbi të gjitha denigroi njerëz të biznesit, të cilët nuk kishin lidhje fare me fotokopjet që ai shëtiste nga një dorë në tjetrën. Përkundër kësaj, media dhe opozita kanë nxjerrë fakte shumë të forta për familjen e tij.
Media ka provuar se Mihal Delijorgji foli menjëherë pas tragjedisë me Shkëlzen Berishën për t’i qarë hallin si bashkë-ortak në biznes, media ka provuar se ministrat e Sali Berishës i raportonin Shkëlzen Berishës, media ka provuar se Argita Berisha ka qenë de facto pronare e bizneseve të Damir Fazlliçit, media ka provuar se Argita Berisha kërkon 3 për qind të investimit për çdo firmë për koncesione që duhet të hedhë firmë Sali Berisha, media ka provuar se biznesmenë ndërtues pranë familjes Berisha, kanë marrë leje ndërtimi nga qendra në periferi të Tiranës, siç është Bashkim Ulaj, Samir Mane, Aleksandër Frangaj etj.
Faktet kundër Sali Berishës me prova janë një lumë i gjatë dhe i pafund dhe janë të pakrahasueshme me mungesën e fakteve dhe argumenteve që ai ka për akuzat e hedhura në erë ndaj biznesmenëve, të cilëve përpiqet t’u ndryshojë emrin nga frika e përballjes me ligjin. Por thelbësore është që në luftën finale Sali Berisha nuk ka asnjë argument për të provuar qoftë dhe një akuzë të vetme për atë furtunë që përpiqet të ngrejë për të mbuluar të vërtetën e krizës politike.
Së dyti, zoti Berisha po përpiqet të ngrejë struktura shtetërore dhe ligjore, nën arsyetimin e luftës kundër mafies për të frikësuar bizneset dhe kundërshtarët e tij. Kjo është një shenjë e degradimit të tij edhe institucional, pasi në këtë vend ekziston Kushtetuta dhe institucionet ligjore për të luftuar mafien. Çdo strukturë politike që ngre kryeministri për luftë politike do të përplaset në gjykatë dhe prokurori dhe përpjekja për t’i dubluar ato me “Komitete” paralele, vetëm sa ul besueshmërinë e luftës reale kundër mafies në Shqipëri dhe e bën kryeministrin ortak me një pjesë të saj.
Dhe së fundmi, në këtë përbaltje të madhe pa asnjë fakt që ai tenton t’i bëjë medies dhe biznesit, duhet që drejtësia shqiptare të spikasë me rolin e saj. Akuza të tilla në kulmin e një krize politike kanë nevojë për një verifikim të shpejtë dhe veprim të drejtësisë. Është e pamoralshme që të prekurit nga akuzat e Sali Berishës t’i drejtohen prokurorisë dhe ajo të mos pranojë paditë ndaj Sali Berishës për shkak të imuniteti të tij. Vetë zoti Berisha ka deklaruar se nuk i njeh vetes imunitet ndaj çdo padie të ngritur ndaj tij, ndaj për të vërtetuar shpifjet publike që bën, duhet të hetohet si rruga e vetme për të pastruar politikën nga shpifjet.
Në fund dua të them se kjo krizë politike nisi nga vendimi i Berishës për të mos hapur kutitë dhe në këtë betejë ne po shikojmë dy palë. Palën e qeverisë, e cila nuk hap kutitë dhe nuk ka asnjë argument as për mos-hapjen e kutive, as për akuzat ndaj kundërshtarëve, dhe nga ana tjetër një opozitë, e cila është e gatshme, dhe të pranojë rezultatin që del nga hapja e kutive, dhe rezultatin që del nga hetimi i akuzave dhe shpifjeve kundër saj. Ky është në të vërtetë një bilanc i hidhur për shumicën e dyshimtë të zotit Berisha dhe pastërtinë e Familjes së tij.