Një Berishë ndryshe

0
36

Nga: DRITAN HILA

TIRANE – Shpesh në legjendat urbane hamendësohet se ishte Ramiz Alia ai që caktoi, se cili do drejtonte partitë në pluralizëm, dhe mendoi që Nano të çohej tek PS-ja, ndërsa Berisha tek PD-ja. Ata që kërkojnë një dokument të firmosur, i cili vërteton ndarjen e posteve, nuk kanë për ta gjetur kurrë, pasi në rangjet e larta, politika shumë rrallë bëhet me letra, pak herë me fjalë të shqiptuara dhe shpesh me nënkuptime. Edhe në këtë rast, nëse ka ndodhur, letër me firmë nuk ka, por Nanon e çuan me zor tek PS-ja, dhe në ato fillime po me zor e mbajtën, ndërsa Berisha nuk pati nevojë për instruksione, pasi ishte një krijesë që kishte si instinkt natyral, dominimin dhe komandën. Me siguri Ramiz Alia, ia ka njohur profilin psikologjik dhe ambicien, dhe nuk i është dashur t’i japë mësime, boll ta vinte në pozicionin e duhur dhe e dinte ai se çfarë bënte.

Natyrisht, në një ndërrim rolesh, vështirë se Fatos Nano do të kishte mundur të mbijetonte dhe të trupëzonte PD-në, pasi nuk e ka instinktin e asgjësimit të kundërshtarit si Berisha, por ky i fundit do të kishte mbijetuar fare mirë në radhët e PP-së. Kuptohet nostalgjia e tij për atë parti, kur në momente sinqeriteti i drejtohet udhëheqësve të PS-së, se “nuk drejtohet ashtu ajo parti, po e merrni më qafë”. Jo më kot thonë që “nuk harrohet dashuria e parë”.

Me një Berishë në krye të PP-së, sot do kishim një pluralizëm të llojit rus. Në këto njëzet vjet, PD-ja nuk do kishte njohur asnjëherë ardhjen në pushtet, dhe do të ishte një parti e ngjashme me shoqatën e të persekutuarve politikë, pasi askush me ambicie në politikë nuk do ishte i interesuar të bëhej pjesë e saj. Nëse do të kishte ndodhur një 14 Shtator në 1998-ën, gjë gati e pamundur, garda do të kishte qëlluar për shtatë palë qejfe mbi demonstruesit, dhe eshtrat e tyre do të ishin edhe sot e kësaj dite në oborr, për t’iu kallur datën kundërshtarëve. Në rastin më të mirë, do ngrihej një memorial ku do të shkruhej se si e pësojnë armiqtë e demokracisë.

Dënimet e kundërshtarëve brenda partisë do të vazhdonin dhe anëtarë të udhëheqjes së PS-së, konkurrentë të mundshëm të kryetarit, do të kishin përfunduar me dënime për korrupsion në burgje. Burg rishtas do të kishte bërë Nano, por këtë radhë me akuzën e ‘tentativës së përmbysjes së rendit kushtetues me dhunë’ si kryetar i PD-së dhe pjesëmarrës në një tubim me njëqind veta, tek fusha e Ali Demit. Kuptohet që gjithë veprimtaria e tyre antikushtetuese, do të demaskohej nga “Zëri i Popullit”, ku kryeredaktori Frrok Çupi dhe mënyra e të bërit karrierë e tij, do të ishte etaloni i moralit dhe shkolla e edukimit për gazetarinë e re të pushtetit. Ndërsa Arben Imami, do përfaqësonte standardet e regjimit, se çfarë kupton me fjalët ‘politikan me integritet’. Ndërkohë, fqinji ynë grek, do të ishte i kënaqur me karrierën e këtyre dy njerëzve, për atë çka përfaqësonin në peizazhin shqiptar.

Nuk do ishte çudi, që karrigen e ministrit të Brendshëm dhe të Financave, ta ngrohte rishtas Ridvan Bode dhe Bujar Nishani, por këtë herë të ardhur nga shoqatat për mbrojtjen e Enver Hoxhës, të krijuara për t’iu shtypur kokën atyre kundër revolucionarëve. Më i pa fituari në këtë mes, do dilte Sokol Olldashi. Në gjithë këtë skemë, nuk do të rezultonte Arben Ristani, pasi mbi të do të vepronte ligji dhe nuk do ia kishin nevojën.

Për sa i përket të ashtuquajturve intelektualëve, nuk do hiqte keq po t’i krijonte, pasi edhe pas njëzet vjetësh, përjashto rastet sporadike, shoqëria jonë ka dështuar në krijimin e kësaj shtrese, por rezulton e suksesshme me praninë e species me të cilën fati na dënon përditë, ta dëgjojmë kur thur ‘hosanara’ për regjimin dhe përpiqet të justifikojë gjithë sa po ndodh. Në të vërtetë asgjë intelektuale nuk ka në këtë mes. Janë njerëz që e dinë se konformizmi siguron prosperitet material dhe karrierë. Jeta ju ka mësuar se nga mungesa e shtyllës kurrizore, askush nuk e pëson. Vërtet vendit do t’i vonohet integrimi, po kujt i prishet puna nëse tre milionë shqiptarë do ta vuajnë këtë? Tashmë, është bërë e modës që fëlligështinë morale ta shesësh si vlerë. Aq më mirë kur kjo paguhet.

Kryetari aktual i PD-së, dhe i munguari i PP-së, ka dëshmuar një talent të jashtëzakonshëm për të përzgjedhur karaktere të plastelina. Për shembull, a do mundej kush tjetër veç Berishës, të qëmtonte një si Luli? Por edhe nëse do mundej, a do të kishte guximin që pas gjithë bëmave të tij, për faj të Lulit apo i shtyrë, ta vendoste si kandidat për kryetar bashkie të kryeqytetit? A mundet që të shkatërrosh një proces zgjedhor, duke e kthyer rrugën e shqiptarëve për Europë, në Golgotë, vetëm për hatër të interesave personale dhe këtë ta shesësh si mbrojtje të vlerave të demokracisë; ndërsa një shuplakë të hapur, dhënë nga komuniteti ndërkombëtar, ta vlerësosh si përkrahje? Askush në një botë normale nuk do ta bënte këtë. Megjithëse partia më e madhe e votuesve shqiptarë me 50 %, është ajo e abstenuesve, kryeministri ynë nuk nxjerr mësime nga kjo.

Një fashe të caktuar të një populli post diktatorial, mund t’ia marrësh votën. Pozita që gëzon mund të jetë e ligjshme, megjithëse jo e moralshme. Mund të gjesh artifice ligjore e të ndërtosh kombinacione politike për të qëndruar në karrige. Por në derën e historisë, nuk kalon duke e blerë biletën, por vetëm duke e merituar. Dhe në fund të një karriere që po i afrohet tri dekadave, Berisha vështirë se mund të paraqesë një kredencial që do t’i japë këtë mundësi.

Nëse do të kërkonim diçka të ndershme nga gjithë kjo histori, ajo do të ishte që Berisha mos të kishte tradhtuar në aparencë idealin e tij, pasi do kishte mundësi të hynte në histori, qoftë edhe si abort i saj. Ndërsa siç serviret, nuk është asgjë më shumë se një histori e përsëritur në Ballkan, e autokratëve orientalë, ‘kaudiljove’ të Amerikës Latine, apo presidentëve të sotëm të Afrikës, që bën të qeshë edhe fqinjin tonë serb. Pikërisht serbët që deri pesëmbëdhjetë vjet përpara përgjakën Ballkanin, ndërsa sot janë para nesh në dyert e BE-së.

Një proverb filozofik thotë se historia përsëritet dy herë: një herë si tragjedi dhe të dytën si komedi. Rasti ynë është ndër të rrallët kur historia shfaqet dy herë rresht me fytyrën e saj tragjike.

(GSH/BalkanWeb)