Arben Rrozhani, 31.03.2013
– Presidenti Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanishev u dërgoi dje një apel të hapur publik kryetarëve të dy partive më të mëdha të të majtës në Shqipëri, duke u bërë thirrje që mbi interesat e tyre personale të vënë atë të vendit. I mirëinformuar për të shkuarën, dallimet, përplasjet dhe më pas tonet për afrim, kreu i socialistëve europianë tha se liderët e PS-së dhe të LSI-së duhet t’i tejkalojnë problemet mes tyre dhe pastaj me mbështetësit e tyre, për të arritur te një koalicion ndërpartiak, që do të arrinte një shumicë qeverisëse pas votimeve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Sa mundur është kjo frymë bashkëpunimi dhe arritja e një dalje të përbashkët në koalicion?
Nëse hedh vështrimin në të shkuarën e afërt, PS dhe LSI kanë treguar se së bashku dinë dhe arrijnë të fitojnë pushtet, duke maksimalizuar votën e elektoratit në Shqipërisë, i cili prej zgjedhjeve të korrikut 1992 ka treguar se është shumicë në vend. Bashkëpunimi i tyre në zgjedhjet vendore të shkurtit 2007 ishte prova dhe dëshmia se dy partitë kryesore të të majtës, për të parën herë, krijuan një koalicion të sigurt, të bazuar në një ideologji dhe filozofi të përbashkët të të majtës europiane, me vizion social dhe modern; përballë një të djathte, konservatore, që në shumicë nuk ka një ideologji të të djathtës aktuale europiane, sepse vjen nga pjesa më e keqpërdorur ish-komuniste dhe që nuk ka për bazë as dimensionin social, as zhvillimin e vendit, as shpërndarjen e drejtë të pasurisë kombëtare, por krijimin dhe konsolidimin e një kaste miliarderësh përballë një shumice gjithnjë e më të varfëruar dhe të shmangur nga shpërndarja e pasurisë dhe e zhvillimit ekonomik.
Katër vitet e bashkëqeverisjes mes PD-së konservatore dhe të LSI-së së majtë kanë qenë të mjafta për të treguar dështimin e një eksperimenti që mund të jetë shumë efikas në Gjermaninë e kamur, por jo për Shqipërinë, vendin e dytë të varfër të Europës. Qenia e LSI-së në qeverinë e Sali Berishës nuk e bëri atë më të drejtë, më sociale dhe më premtuese për shqiptarët. Të dorovitur me një skemë bashkëpunimi, që rëndom u përkthye si “20 përqindëshi” në bashkëqeverisje, përfaqësuesit e LSI-së në disa ministri, janë konsideruar si “enklava” në kabinetin qeveritar, ku vepronin si autonome në trupin e ekzekutivit.
Edhe nëse LSI ka patur ide dhe dëshirë për të shfaqur dhe zbatuar dimensionin e qeverisjes së majtë, brenda qeverisjes së djathtë të demokratëve, kjo nuk është arritur, sepse gjithcka është eklipsuar në këto katër vite nga vendimmarrja personale, që kryeministri Sali Berisha ka zbatuar dhe zbaton, duke mos pyetur dhe mos patur besim te askush, por edhe nga mania e tij si udhëheqës, për të qenë dora e fortë për të gjitha dhe gjithçka.
Sa e mundur është formula e bashkëpunimit mes PS dhe LSI?
Kur LSI vendosi që të të bashkojë kartonët në Kuvend me ato të PD-së, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, akuza e parë e PS-së ishte “shitja e 80 mijë zemrave të majta” te Berisha, duke i dhënë oksigjenin e mjaftueshëm për një mandat tjetër katër vjeçar një modeli qeverisës që kishte degjeneruar te fabrikat e vdekjes si në Gërdec, te privatizimet dhe koncesionet që kishin nisur të jepeshin për biznesin e oborrit qeverisës, tek investimet e zhdrejta në raport me zhvillimin e vendit dhe korruptive siç ishte e ashtuquajtura “Rrugë e Kombit” dhe mungesa e investimeve minore, por jetëdhënëse në qendër apo Jug të vendit, plagë që kullon ende në fund të mandatit të dytë.
Në këto katër vite, PD dhe LSI kanë qenë bashkë në qeverisje, por pak herë në një linjë politike dhe ideologjike. Ato i kanë ndarë më shumë se nëpërkëmbja patologjike që PD ka për 29 nëntorin, luftën e partizanëve, apo së fundi votimi i dekreteve për anëtarë të Gjykatës. Duke u ulur në nivelin e turmës, pjesa e PD-së, prej katër vitesh e ka parë bashkëpunimin e LSI-së, si një mish të huaj në trupin e qeverisë së Berishës.
Ndërsa të majtët, përveç si tradhëtarë të idealeve, e kanë fajësuar atë se i dha mundësinë Sali Berishës që të sundojë edhe më me autoritarizëm edhe për një mandat tjetër, duke futur vendin në një diktaturë të partisë-shtet, kuptohet të PD-së. Por përballë këtij realiteti, shumica e së majtës, nga eksponentët mendjehapur në selinë rozë. apo tek aleatët, deri te turma socialiste, i kanë mirëpritur afrimet, edhe pse në dukje joparimore, siç kanë qenë qëndrimet e përbashkëta në Kuvend, darka Rama-Meta në Lalëz, apo qënia në një mendje për të ardhmen e vendit.
Një afrim real mes dy liderëve dhe dy partive, do të kishte vetëm një kundërshtar, Sali Berishën dhe partinë e tij, që në Konventën e djeshme nuk mundi të mbulonte kalbëzimin e sundimit 8-vjeçar në pushtet me makiazhin e kushtueshëm elektoral, duke treguar se nuk ka më asnjë ide tjetër për zhvillimin e vendit, përveç asaj çka ka bërë deri më sot: Një vend të drobitur, të varfëruar në palcë, nën terrorin e partisë-shtet, pa ide zhvillimi dhe ku rrugët nuk të çojnë as në vendet fqinje, jo më në Europën e sotme, ku Berisha ka treguar se nuk na çon dot, edhe duke patur me vehte, një pjesë të të majtës.







