Ardian Klosi, 11.05.2010
Sikurse ndodh te ne në të gjitha fushat e jetës, edhe “komuniteti i artistëve dhe shkrimtarëve” është i ndarë, siç po duket edhe në këto ditë të nxehta të grevës së urisë, ai është i ndarë në të majtë dhe në të djathtë, në pro lëvizjes së Edi Ramës dhe Partisë Socialiste dhe në pro Berishës, apo njohjes së pushtetit të tij të rifituar pas 28 qershorit 2009.
E vendosa në thonjëza “komunitet artistësh dhe shkrimtarësh”, sepse në fakt në Shqipëri nuk ekziston asnjë komunitet i tillë. Përsëri edhe këtu, si në gjithë fushat e tjera të jetës, shprehim natyrën tonë të përçarë dhe individualiste.
Asgjëkund ndonjë iniciativë për të krijuar qoftë dhe një sindikatë shkrimtarësh ose përkthyesish letrarë, për t’u vetëmbrojtur, për të marrë më shumë nga shteti, për të komunikuar më mirë përtej kufijve.
Më pyesnin para pak ditësh organizatorët e një turneu shkrimtarësh përgjatë Danubit, se cili mund të ishte partneri i tij në Shqipëri, cilës shoqatë ose cilit klub mund t’i drejtohej. Iu përgjigja: askujt. Këtu nuk ka ndonjë organizatë serioze shkrimtarësh ose artistësh, bile nuk ka fare. As përfaqësi të PEN-klubit a filiale të tjera organizmash ndërkombëtare.
Arsye tjetër për mosekzistencën e një komuniteti njerëzish të kulturës, artit e letërsisë tek ne, është mungesa e kulturës.
Po, po, te ne jeta kulturore ose mungon ose është jashtëzakonisht e varfër. Po të vëreni p.sh., këtë pranverë 95 për qind e shfaqjeve kulturore organizohen ose nga Instituti Italian i Kulturës ose nga ambasadat e ndryshme që ndodhen në Tiranë.
Shteti, bashkitë (sepse shoqatat e kulturës nga shoqëria civile mungojnë) janë në gjendje, për arsye të ndryshme, të financojnë vetëm një numër minimal aktivitetesh, aq sa jeta kulturore të mos quhet krejtësisht e vdekur.
Tani ç’ndodh: për një çast bashkohet një bashkim (të na falet mungesa e fjalëve, po ç’ta quajmë?) krejt i papritur dhe pa ndonjë kuptim njerëzish, i cili nënshkruan një letër të hapur ku shprehet i indinjuar ndaj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për grevën e urisë që ai ka organizuar, tamam në çastin kur 12 ministrat e jashtëm të BE po vendosnin t’u jepnin viza shqiptarëve, dhe i rreshton deputetët e militantët e tij mu në bulevardin e madh duke i penguar qytetarët “të mbërrijnë në shtëpi” etj.
Veç mendimeve për mosekzistencën e ndonjë komuniteti të mirëfilltë artistësh dhe shkrimtarësh te ne, letra e pardjeshme e 41 nënshkruesve që dje ka marrë nënshkrime të tjera, më shtyri dhe në pyetje si: a ka te ne intelektualë të djathtë dhe intelektualë të majtë, ose më pranë së djathtës dhe më pranë së majtës?
Sepse, ashtu sikurse dalin hapur Fatos Kongoli ose Mufarete Laze kundër grevës së urisë, dhe me forcë madje, po kështu dhe me forcë dalin pro grevës së urisë Dritëro Agolli, Elsa Lila e plot artistë të tjerë.
Si shpjegohet që rregullisht para çdo fushate zgjedhore një numër artistësh, zakonisht aktorë, ia japin veten PD-së dhe një numër tjetër PS-së? Si shpjegohet që Rajmonda Bulku hidhet me PD-në, kurse Luiza Xhuvani kalon te PS-ja? Cila është doza e djathtë e zonjës Bulku dhe cila është doza e majtë e zonjës Xhuvani?
Një mendim spontan, p.sh., i një të huaji që nuk e njeh Shqipërinë, do të ishte: artistët “e djathtë” pro Berishës janë shumë për iniciativën e lirë, privatizimet dhe liberalizmin e thellë të shoqërisë, kurse artistët “e majtë” janë për më shumë centralizëm, për më tepër kujdesie të shtetit ndaj tyre; ose edhe: artistët “e djathtë” janë më të lidhur me nacionalistët dhe të persekutuarit e tjerë të djeshëm, kurse “të majtët” janë nga familje komunisti dhe dëshmori.
As njëra as tjetra nuk është e vërtetë. Është shkruar shpeshherë për temën e së djathtës dhe të majtës në Shqipëri dhe s’është vendi këtu për të përsëritur teorizime të kota. Përmbledhtazi mund të thuhet se një e djathtë konservatore në kuptimin europian këtu tek ne nuk ekziston, siç nuk ekziston as dhe një e majtë në kuptimin europian, socialdemokrate, ekologjiste etj.
E djathta shqiptare është shumë e çuditshme: ajo përfaqëson një amalgamë ish-sekretarësh partie, ish-agjentësh të kohës së komunizmit me familjarë ish të persektuarish. Kryetari i tyre është një ish-komunist i zellshëm i kthyer në demokrat demagog, që vetëm me lëmshin që ka bërë në çështjen e pronave e ka provuar se nuk ka të bëjë fare me të djathtën tipike konservatore.
Po kështu, PS lidhjet më të shumta subjektive-emocionale i ka me brezin e luftës dhe elitën komuniste të mëpasme, shumë pak me platformën e majtë të vendeve të zhvilluara europiane.
Ish-kryeministri Nano krijoi një mënyrë korruptive dhe klienteliste qeverimi, shpresojmë që po të rivijë në pushtet PS të ndahet nga kjo trashëgimi dhe të jetë një parti e vërtetë e majtë europiane.
Sidoqoftë, në tërësi dy partitë tona të mëdha sot janë tejet pragmatiste dhe diskursi e majtë – e djathtë vërtetë që nuk të ndihmon për asgjë.
Do ta thjeshtoja krejt diskutimin për t’iu afruar së vërtetës. Sot ka intelektualë, ose njerëz që vijnë nga kultura, të cilët e pranojnë ose e duan Sali Berishën dhe ka të tjerë, për mendimin tim shumica, që nuk duan ta shohin më në krye të vendit.
Po kështu një pjesë e mirë, sidomos të rinjtë kanë shpresë te Edi Rama si drejtuesi i ri i vendit, një pjesë tjetër, si nënshkruesit e letrës nuk e duan atë, i druhen radikalizmit, mospërfilljes së tyre prej tij etj.
Kaq e thjeshtë është çështja: një pjesë janë të bindur që Sali Berisha, i refuzuar nga populli me referendum qysh në 1994, pasi i manipuloi hapur zgjedhjet e vitit 1996, ky simbol i dëshpërimit dhe anarkisë së vitit 1997, i kthyer edhe njëherë në pushtet me demagogjinë e luftës kundër korrupsionit, arriti ta rimarrë pushtetin përsëri më 2009 duke manipuluar me votën e njerëzve.
Një pjesë tjetër ose pse s’janë të bindur për këtë, ose pse i tremben marrjes së pushtetit nga Edi Rama, duan të mbyllet sa më shpejt konflikti aktual dhe të vazhdojnë të jetojnë nën Sali Berishën.
Janë krejt të kuptueshme bindjet dhe frikërat e ndryshme, ato janë çështje ndërgjegjeje dhe s’ke si u vë as vlerësim pozitiv as negativ. Mirëpo, sikurse ndodh rëndom, opinionet e njerëzve, edhe të këtyre që mbahen si elitë e kombit (kjo ishte fjala që u përdor dje), krijohen në kafene ose nga masmedia.
Kjo mund të ketë vetëm vlerësim negativ. Sepse, për çfarë ka ndodhur konflikti? Për pyetjen nëse, pati drejtësi dhe ndershmëri në zgjedhjet e kaluara apo pati manipulim.
Partia në pushtet nuk na garanton për këtë, ajo thotë: drejtojuni gjykatave për ta gjetur të vërtetën. Edhe pse e ka në dorë, në rrugë parlamentare, me komision hetimor, të bëjë disa hapje ekzemplare kutish, ajo e refuzon këtë gjë në mënyrë kategorike. Normalisht nënshkruesit e djeshëm duhet të interesohen më parë për të vërtetën, para se të gjykojnë.
Kështu ndodh që një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të bindur që përsëri i kanë mashtruar me votën e tyre dhe dalin në rrugë me qindra mijëra, ndërkohë që përfaqësues të tyre futen në grevë urie, një pjesë tjetër, të ngjyrave blu të PD duan ta mbyllin këtë histori.
E pastaj ngrihet një bashkim i pabashkuar intelektualo-artistik dhe i shkruan Edi Ramës që ta mbyllë grevën, pasi po i pengon shqiptarët të lëvizin të lirë, po u pengon makinat të kërcejnë mbi kalldrëmin e bulevardit.
Edi Rama jo vetëm që mbahet si komandant i grevës së urisë, si njeri që ngre dhe ul siparin e këtij teatri me agjërim, si një shpirtkazmë që po shkatërron shëndetin e grave të reja, atij i vishen fuqi gati-gati magjike, siç bënte njëri nga nënshkruesit e letrës së hapur, kolegu i nderuar Edmond Tupja dje te “Panorama”: “futja në grevë u është imponuar pjesëmarrësve ose ka qenë fryt i një manipulimi mendor të konceptuar më së mirë në fshehtësi dhe të zbatuar po me aq mjeshtëri nga Kryetari Rama”.
Kur përfytyroj që Rama mund t’u ketë manipuluar mendjen aq e aq njerëzve me mend që janë mbyllur në çadër, kolegë po aq të nderuar sa Tupja, madje filologë edhe më të zot se ai, si Ledi Shamku, them se Edi duhet të ma ketë manipuluar edhe mua trurin qysh në dhjetor të 1990-ës kur përpiqeshim së bashku dhe me të tjerë që të pengonim (pa sukses) fatkeqësinë Berisha në krye të opozitës shqiptare. Ose mundësia tjetër është që kolegu dje shkruante pa i kontrolluar mendimet.
Nuk di si mund ta shpjegonin përfaqësuesit e këtij bashkimi të pandodhur e të pabashkuar hyrjen në grevë edhe të Elsa Lilës; përsëri përgjegjësi e kryetarit të Partisë Socialiste, magji e tij transadriatike?
Apo mos frika e një njeriu dhe artisteje të vërtetë se mos vendi rrokulliset edhe një herë drejt 1997-ës, si atëherë, pas zgjedhjeve të deformuara, kur ia vranë nënën pikërisht mes anarkisë që shpërtheu nën president Fatkeqësinë, e bëri që të hyjë dhe ajo nën çadër?
Nënshkruesit e kësaj letre të hapur, të shqetësuar për shtyrjen e liberalizimit të vizave dhe jo për legjitimitetin e pushtetit që kemi mbi kokë sot, të shqetësuar për shëndetin e grave në çadër, por jo për shëndetin e keq të Shqipërisë, të shqetësuar për nocione të përgjithshme si destini ose liria por jo të shqetësuar se kryeministri i tyre u fal fqinjëve të jugut det dhe fqinjëve të perëndimit tokë nga të Shqipërisë që ta kthejnë në depozitë mbeturinash, të shqetësuar pse po bëhemi gjoja gazi i Europës me grevë urie dhe jo pse jemi në bisht të Europës, bëjnë gabim që i shërbejnë drejtpërdrejt e tërthorazi pushtetit.
Nuk bie aspak mirë në sy që ngrihen kundër një kauze, e cila ka mbledhur me qindra mijëra njerëz në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk bie aspak mirë në sy që rreshtojnë prapa emrave të tyre tituj që i kanë marrë 30-20 vjet përpara për kontribute në artin e realizmit socialist. Nuk bie për mirë në sy që mesatarja e moshë së tyre është 60-65 vjeç.
Nuk bie mirë në sy që një pjesë e tyre janë drejtorë në punë shteti, dhe se mund të mendohet që pikërisht prandaj mbrojnë hapur kauzën e qeverisë. Në përgjithësi nuk bie mirë në sy kur artisti ose intelektuali i pavarur merr kaq hapur një anë politike.
Por që janë të lirë të nënshkruajnë gjithë ditën, kjo nuk ka asnjë diskutim. Sikurse nënshkruajnë dhe solidarizohen me zemër me çështjen e grevistëve të tjerë intelektualë dhe artistë që duan ta shohin vendin një orë e më parë pa këtë udhëheqje demagoge dhe manipuluese. E kështu përçarja vazhdon.