Dr. VANGJEL TAVO, 17 Prill 2013
Gjatë dy dekadave të fundit, pavarësisht konflikteve politike të shpeshta, ne kemi arritur që të gjithë së bashku të hedhim disa themele bazë të demokracisë. Në këto 22 vite kemi luftuar dhe punuar që të ndërtojmë një shtet që i përngjason sado pak vendeve të zhvilluara të Europës dhe botës.
Kjo punë ndërtuese dhe ky kontribut që kemi dhënë deri më tani u cenua të hënën në Parlamentin e Shqipërisë, kur të gjithë shqiptarët panë se si u njollos atributi më i shenjtë që ka demokracia: procesi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta.
Me një frymë imponuese dhe uzurpuese u cenua e drejta e një populli për të pasur një proces zgjedhor shembullor. Fatkeqësisht, ashtu si në të kaluarën “vendeta” politike po rrezikon procesin zgjedhor. Sot ne gjendemi edhe një herë në udhëkryqin midis Europës dhe provincializmit ballkanik, midis së ardhmes europiane dhe stileve të vjetra të manipulimit.
Në vend që e djathta të tregohet progresiste, ajo po vepron si pengmarrëse. Sot, më shumë se sa kurrë ne duhet t’u garantojmë shqiptarëve një proces shembullor zgjedhor, dhe jo t’i turpërojmë ata përpara syve të botës dhe miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët dhanë alarmin e cenimit të zgjedhjeve menjëherë.
KQZ është institucion garantues i një procesi zgjedhor të drejtë dhe të pavarur. Çdo tentativë për ta prekur atë cenon vetë vullnetin e popullit, i cili shpreh vullnetin e tij nëpërmjet votës. Ne jemi kaq pranë Europës, megjithatë kaq larg, pasi uzurpimi i KQZ dëshmon se paska akoma njerëz apo forca politike të cilat kërkojnë të mbajnë peng të ardhmen e tre milionë shqiptarëve brenda kufijve dhe dinjitetin e miliona të tjerëve që jetojnë jashtë vendit.
Ethet e humbjes tashmë janë të dukshme, pasi pengmarrësit po shfryjnë mllefin e humbjes duke robëruar ëndrrën e një populli të tërë. Sot nevojitet integritet politik për t’u bërë ndihmë, dhe jo pengesë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sot politika duhet të jetë racionale për të mirën e një kombi, dhe jo emocionale nga frika e humbjes së zgjedhjeve.
KQZ është një institucion i pavarur dhe shkarkimi i një anëtari të saj u bë tërësisht në kundërshtim me frymën dhe germën e ligjit. Asnjë anëtar i saj nuk mund të shkarkohet politikisht. Nëse politika do të shkarkonte çdo të emëruar në institucionet e pavarura, atëherë maxhoranca e nesërme e pas 23 qershorit do shkarkonte Presidentin, prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e KLSH, do ndërhynte në Gjyqësor dhe në çdo institucion tjetër që garanton balancën e pushteteve dhe demokracinë në vend.
Maxhoranca jonë e së nesërmes, koalicioni i majtë që do të qeverisë vendin pas 23 qershorit nuk do ta bëjë këtë akt antidemokratik që u bë në Parlament, ne nuk jemi dhunues të demokracisë, por ndërtues të saj.
Shkarkimi i një anëtari të KQZ ishte një akt i paligjshëm dhe arbitrar. Ky organ i pavarur kërkon mbështetjen e politikës, dhe jo dhunimin e saj. Ethet e humbjes më 23 Qershor le të transformohen në përballje dinjitoze, në konstruktivitet dhe dinjitet politik, dhe jo në shkatërrim e së ardhmes europiane të shqiptarëve.
Pas më shumë se dy dekadash politika jonë duhet të ishte maturuar. Maxhoranca qeverisëse duhej të tregohej e matur dhe të garantonte një përballje të ndershme më 23 qershor, duke mos tentuar të trukonte vullnetin e popullit shqiptar.
Kush thyen ligjin dhe Kushtetutën, do ndëshkohet me votë; kjo do të jetë edhe një arsye më shumë për humbjen e kësaj maxhorance qeverisëse më 23 qershor. Kjo është një arsye më shumë për një rrotacion politik dhe një shenjë edhe më e qartë se për kë duhet të votojnë shqiptarët.
Kjo është edhe një arsye më shumë për të bindur këdo shqiptar se koalicioni PS–LSI është në anën e duhur të historisë. Pas 23 qershorit ne nisim një kapitull të ri në historinë e këtij populli, duke kontribuar në mënyrë të pareshtur për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin sa më shpejtë të vendit në familjen europiane.
Nëse ka mbetur akoma ndokush i cili është skeptik për koalicionin e shpresës për të ardhmen, do mbetet tetë apo dymbëdhjetë vjet në opozitë për të reflektuar më gjatë…