Një arbitër rezervë

0
32

Mero Baze, 11.03.2011

Grosruk është një mik i vjetër i Berishës. Për të nuk mund të thuash asgjë tjetër, pasi dhe në Austri po të pyesësh kaq të thonë për të. Ky është identiteti i tij. Është një burrë babaxhan, që mban lidhje me njerëzit e Berishës në Perëndim, zgjidh ndonjë hall të ndonjë biznesmeni austriak apo jo-austriak që do të investojë në Shqipëri, dhe ikën.

E ka mbrojtur Berishën për zgjedhjet e 26 Majit 1996, i vetëm kundër gjithë botës, e ka mbrojtur në vitin 1997, e ka mbrojtur pastaj nga gjithë “armiqtë e brendshëm në PD” sidomos nga Genc Pollo, Genc Ruli, Ferdinand Xhaferi, dhe disidentë të tjerë të përkohshëm të tij.

Dje është shfaqur sërish në Tiranë. Formalisht ai është tashmë dhe një nga zëvendëskryetarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE, një institucion formal që bashkon parlamentet e vendeve anëtare të OSBE.

Ai burrë i shëndoshë, babaxhan, që fiton në parlamentin austriak për arsye gjeografike dhe që plotëson boshllëkun e anekdotave në një vend që ka distancë me humorin siç është parlamenti austriak, është ribërë i rëndësishëm për Berishën vetëm për këtë shkak. Atë që nuk e marrin seriozisht në vendin e tij, e merr seriozisht Sali Berisha, për një arsye të fortë.

Ai është duke kërkuar një arbitër rezervë për zgjedhjet. Në zgjedhjet e 26 Majit 1996, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE, pra grupi i vëzhguesve formalë që përfaqësojnë këtë institucion, jo vetëm që njohu zgjedhjet, por dënoi rëndë dhe bojkotin e socialistëve. Por OSBE zyrtare përfaqësohet në zgjedhje nga ODIHR, i cili nxiu zgjedhjet dhe hodhi në erë fitoren e Berishës.

Prej atyre zgjedhjeve Berisha e ka shpallur armik të zgjedhjeve ODIHR, institucionin e vetëm të vlerësimit të zgjedhjeve, dhe e ka futur atë në darën e presionit dhe relativizmit përmes arbitrave rezervë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 1996 Berisha e detyroi ODIHR të tërhiqej duke mos e pranuar si vëzhgues, ndërsa në zgjedhjet e qershorit 2009, kur iu desh të kishte sërish gjykatëse ambasadoren Glover, ai bëri një presion të paprinciptë ndërkombëtar për të mos e pranuar atë.

Si përfundim Perëndimi u tërhoq para presionit të Berishës dhe u pranuan për herë të parë dhe kredencialet e vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që kryesohej nga Grosruk.

Ky njeri, rëndësia e të cilit për Berishën është rritur papritur, është aq i çuditur që ka rëndësi, sa është gati të ulërasë nga gëzimi që ka gjetur më në fund një lider në botë që e quan njeri me vlerë dhe ky është Sali Berisha. Mjafton ta shikoje foton e tij me Berishën në zyrën e tij duke sharë opozitën dhe duke lavdëruar zgjedhjet që do të bëhen, për të kuptuar se Berisha ka nisur punën për një arbitër rezervë për zgjedhjet e 8 Majit.

Ai është duke bërë presionin e duhur mbi ODIHR të mos i shkojë në mendje të caktojë tipa si ambasadorja Glover në këto zgjedhje, ose së paku të pranojnë se OSBE do njohë dy arbitra, Grosrukun dhe atë të ODIHR-it duke qenë me barazim në xhep dhe në rast masakre mbi zgjedhjet.

Fenomeni Grosruk është i panjohur dhe i pakuptueshëm për Perëndimin, pasi lulëzon në kushte shumë specifike.

Ai është në njëfarë mënyre simboli i keqpërdorimit të një njeriu për arsye gjeografike. Berisha vetë tregon boll anekdota për të në biseda private, tregon duke qeshur me shpirt si Grosruk fiton gjithmonë në zonën e tij thuajse private dhe si është i gatshëm të thotë çdo gjë që i thotë atij.

Arsyeja është e thjeshtë. Berishës nuk i duhet Grosruk as si personalitet i shquar perëndimor, pasi nuk është, as si deputet qoftë dhe mesatar austriak pasi nuk është, as si mik i shqiptarëve pasi për shumë prej tyre është i neveritshëm. Berishës i duhet Grosruk se ka të drejtë ta paraqesë në lajmet e TV-ve të qeverisë së tij si austriak, dhe si një nga zëvendëskryetarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe të lexojë para kamerave fjalitë e tij.

Shumë perëndimorë do skuqeshin deri tek veshët po t’ua shpjegoje me kaq detaje këtë perversitet të Berishës, por Grosrukut nuk i kuptohet kjo veti njerëzore se për shkak të shëndetit dhe antropologjisë së tij ka një fytyrë të fryrë e të skuqur nga kënaqësia në çdo kohë. Berishës nuk i duhet Grosruk për atë çfarë ai është, pasi ai nuk është asgjë, por për ta na e shitur ne si arbitrin e tij rezervë për atë që do të ndodhë këtu më 8 Maj.

Është pak i shumë i ngjashëm si Komisioni Halimi për 21 janarin, që synon të dublojë prokurorinë dhe gjykatat. Ideja e një arbitri të blerë ia ka mbetur fiksim qysh nga zgjedhjet e Majit të vitit 1996 kur arbitri i bëri gjëmën. Dhe për dreq këto zgjedhje janë prapë në Maj.