Nismë tjetër e qeverisë për të grabitur toka në bregdet

0
29

Nga Tema

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, denoncoi dje një përpjekje të qeverisë për të grabitur toka në bregdet.

Ai tha se në Kuvend këto ditë pritet që të shqyrtohej një projektligj, “Për disa ndryshime në ligjin e vitit 1995, për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, që në fakt në Kuvend ndodhej që në fillim të vitit të kaluar.

Por vetëm tani ai projektligj do të kalojë për shqyrtim. Sipas Braçes qëllimi është i qartë, të grabitet toka në bregdet.

Skema është kjo. Në vitin 1995 u përgatit një projektligj që synonte që toka bujqësore, që ishte marrë në përdorim nga banorët, tani t’u kalonte në pronësi. Në ligj përcaktoheshin rastet, kur toka nuk u kalonte atyre në pronësi. Gjithashtu specifikohej se toka që nuk do të kalonte në pronësi të tyre, do të ishte tokë shtetërore.

Pak më vonë, në nisje të fushatës zgjedhore, presidenti i asaj kohe dhe kryeministri aktual, Sali Berisha, përgatit një dekret, të kundërfirmuar nga kryeministri, Aleksandër Meksi, që saktëson sasinë e tokës që do t’u jepej në pronësi në zonat me përparësi turizmin.

Për familjet me mbi 6 anëtarë, sipërfaqja e kthyer do të ishte deri në 1500 metra katrorë.

Por në projektligjin e ri që ka mbërritur në Kuvend, kjo sasi toke që do jepet në pronësi është reduktuar ndjeshëm dhe ka shkuar në vetëm 500 metra katrorë.

Duhet thënë se toka në këto zona bregdetare është kthyer në një fole manipulimesh për zyrtarët, që kanë përdorur banorët që mund të përfitonin nga dekreti për t’u marrë një pjesë të tokave në kompensim të ndihmës që do u afronin. Sekserët e pushtetit kanë vërshuar në bregdet për të marrë tokat më të lakmuara në vend duke përdorur garancitë paraprake.

Tashmë që banorëve do u kthehet më pak tokë, pjesa tjetër do të shkojë për shtetin që ka legalizuar dhe shitjen e tokave shtetërore.

Pasi fitoi zgjedhjet, kryeministri, Sali Berisha, ndërmori një seri nismash që synonin kryesisht çështjet e pronësisë. Pas formimit të kabinetit të ri, nismat janë shtuar dhe çështja e pronave është bërë “specialitet” i pushtetarëve të sotëm.

Ligji për blerjen e vilave në fshatrat turistikë apo ai për shitjen e pronave shtetërore janë dëshmi e kësaj.

PS: Vendimi për shitjen e tokës publike bëhet për të favorizuar Familjen Berisha

Deputetja e Partisë Socialiste, Shegush Ligori, tha dje se vendimi i qeverisë për të shitur toka publike bëhet për të maksimalizuar fitimet e Familjes Berisha.

“Dje Sali Berisha na tregoi të gjithëve se Familja dhe shteti janë bërë një. Dje kryeministri ua bëri sërish të qartë shqiptarëve se qeveria është vënë në interes të Familjes, dhe tashmë kjo bëhet haptazi.

Pasi i dha mundësinë vajzës dhe ministrave të tij të privatizojnë tokat dhe vilat në bregdet, pasi përdori Policinë e Shtetit kundër pronarëve të ligjshëm në Orikum për të ndihmuar Rrahmanin, mikun e ngushtë të djalit tij, pasi rrethoi forcërisht një pronë private në Tiranë, të cilën njërën ditë Olldashi e mbolli me shkurre, dhe ditën tjetër Berisha vendosi ta shiste, konflikti i interesit arriti dje kulmin, me vendimin e marrë nga qeveria për të shitur tokën publike.

Nga të gjitha fjalët që tha dje Sali Berisha, vetëm një gjë ishte e vërtetë. Vendimi i djeshëm bëhej për të maksimalizuar fitimin. Por Berisha nuk e kishte fjalën për fitimin e pronarëve, as fitimin e shqiptarëve, por fitimin e Familjes së tij.

Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës, të mbajë duart larg pronës së shqiptarëve dhe të ndalojë zinxhirin e abuzimeve dhe korrupsionit që po ndodh sot me pronat dhe asetet publike!” – tha Ligori.