Nikoliq – një shans për Kosovën?

0
43

Nga Beqë Cufaj, 21 Maj 2012

Nëse në Serbi kishim për gati një vit një fushatë paraelektorale më tepër se të mërzitshme dhe sidomos muajin e fundit, kur në këtë shtet u mbajtën tri palë zgjedhje, të cilat të vetmen befasi e kishin faktin që Daqiçi i SPS-së, sidomos në krah të maltretimit e burgosjes, poshtërimit dhe fyerjes që shqiptarëve të Luginës, por edhe diasporës së Kosovës u bënte duke i burgosur a shikanuar, del që sidomos pjesa e fundit e zgjedhjeve presidenciale në këtë vend të sjellë një ndryshim tejet të madh në jetën politike serbe.

Zgjedhja e Tomislav Nikoliqit për kryetar të Serbisë në një formë a tjetrën është një befasi e madhe. Edhe pse ende nuk ishte plotësisht e qartë nëse Tadiqi do të fitonte, megjithatë ishin ato 10.000 vota më shumë nga rundi i parë që bënin të shpresohej që pak a shumë jo vetëm sa do të shtonte përparësinë e tij.

Kjo mund të thuhet edhe për faktin që ishte sidomos Daqiçi ai që anëtarët dhe simpatizantët e SPS-së i ftoi që votën e tyre këtë herë t’ia jepnin Boris Tadiqit. Nëse kjo ishte vetëm një lojë e Sllobës së vogël nuk e dimë dhe nuk do të duhej edhe aq të na interesonte. Ashtu siç nuk do të duhej të na brengosë se kush me kë do të bëjë qeverinë e ardhshme në Beograd.

Fakt është që në këtë lojë, pas humbjes së Tadiqit, tashmë është sërish Daqiçi ai që do ta ketë fjalën kryesore. Sepse “Naprednjakët” e Nikoliqit kanë shumicën e votave në parlament, gjë që e kishin edhe në mandatin e kaluar, por koalicioni mes DS-së dhe SPS-së qe bërë me izën e presdientit Tadiq dhe ishte mëse stabil sa u përket numrave në parlamentin serb së paku.

Tashti dhe sot, kur për kryetar të Serbisë u zgjodh Tomislav Nikoliq, askush nuk do të befasohet as të protestojë nëse edhe ky, pikërisht sikurse Tadiqi në vitin 2008, do t’u thotë serbëve që si i pari i vendit ka të drejtën (edhe më të madhe) që paritisë me votat më të shumta t’i japë të drejtën të fillojë me bisedimet për formimin e qeverisë së re serbe.

Më e rëndësishmja është që fytyra e të parit të shtetit serb nga sot nuk do të jetë më e njëjta. Pasojat do të shihen dhe do të dihen prej sot dhe në pesë vjetët në vijim.

Politika serbe do të ndryshojë kur Serbia është në pyetje, marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, SHBA-të dhe Kosovën. Edhe pse Nikoliq dhe partia e tij me muaj e vite janë betuar që nuk do të ndryshojnë kursin proeuropian të Beogradit duhet të jemi mëse kuriozë se si ai do t’i rezistojë survejimit mëse rigoroz që qendrat e mëdha të vendosjes do t’i bëjnë.

Ndërlidhur me këtë, edhe kur Kosova është në pyetje, Nikoliq nuk do ta ndryshojë politikën e tij të mosnjohjes dhe mospranimit të shtetit të ri. Por duhet parë nëse Nikoliq do ta mbajë premtimin e tij që do të vërë një pikëpyetje të madhe rezultatet e negociatave mes Brukselit e Prishtinës. Që i bie se do ta lërë pa punë Borislav Stefanoviqin dhe me këtë edhe Edita Tahirin. Sepse do të provojë që nivelin e bisedimeve ta ngrejë nga teknike në politike.

Këtu Kosova do të duhej të shihte një shans të saj. Sepse qendrat e vendosjes ia njohin të kaluarën nacionaliste Nikoliqit dhe do të kërkojnë nga ai që të përkrahë atë që është arritur. Para së gjithash do të insistojnë në “plotësimin” dhe “jetësimin” e marrëveshjeve të Prishtinës dhe Beogadit.

Zgjedhja e Nikoliqit është një shans për Kosovën dhe Prishtinën nëse dhe sidomos kur kjo e fundit do ta kuptojë që nuk është Beogradi ai që bën politikën e Kosovës për Kosovën, por duhet të jetë Prishtina ajo që vendos dialog dhe rregullon punët në territorin e vet.

Nëse Qeveria e Kosovës dhe kreu i saj Hashim Thaçi do ta kuptojnë dhe arrijnë të hartojnë një strategji të re pas këtij ndryshimi? S’e besoj. Sepse kanë punë më të mençura. Janë duke e “kruar” me Brukselin dhe çdo mbrëmje e çdo mëngjes, ministrat e ministritë e tij po na tregojnë se si janë përgjigjur herë në “16” pyetje e herë në “pyetësorin” e Brukselit.

Vetëm ky detaj makabër tregon për atë se sa miope dhe e paaftë është kjo kastë politike që qeverisë. Ish-çetnikët e Nikoliqit janë në pushtet dhe Prishtina do të duhej këtë ta shihte si shans për të punuar dhe afruar me Brukselin. Por ja që këto kohë e këto ditë Hashim Thaçi i ka shpallur luftë (verbale!) Brukselit!