“NIDHEM SE PO FLUTUROJ E QETË DHE FITIMTARE, NË HAPËSIRAT E PAFUNDME…”

0
31

Majlinda Nana Rama (Bisedë me krijuesen dhe veprimtaren, Majlinda Nana Rama)

Nga: Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues-Tiranë

1. Në muajin maj, ju keni Panairin e Librit, në qytetin e Fierit, ku dhe jeton. Është domethënëse që bisedën tonë po e e nisim pikërisht për librin… Pra, meqenëse je organizatore e kësaj veprimtarie të bukur, a mund të flasësh diçka më tepër për të?
– Së pari, ju falënderoj për ftesën, që ta zhvillojmë këtë bisedë bashkë! Po, Panairi i Librit në Fier është një ngjarje, që troket në vitin e dytë të tij, pas një paraqitjeje të mirë të tij, në vitin e kaluar. Fillimi i kësaj veprimtarie tejkombëtare u kërkua nga vetë qytetarët fierakë, të cilët, si kurrë më parë, treguan se e duan librin, e duan letërsinë dhe kulturën, në përgjithësi.
Qëllimi kryesor i këtij panairi është që afrojë lexuesin me librin, por edhe të hapë një dritare shumëkulturore, si në qytet dhe përtej tij.

Në të, do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, institucione të arsimit të lartë, ambasada e organizma të tjera, që kanë objekt të tyre edhe librin. Kështu, në cilësinë e organizatores dhe drejtueses së kësaj veprimtarie, natyrshëm, ndihem mjaft mirë. E them këtë gjë, sepse në këtë panair po arrihet të funksionojë mirë trekëndëshi: lexues-autor-botues. Theksoj që sivjet pritet të paraqiten më shumë se 3 mijë tituj të rinj. Vitin e kaluar pati afër 40 mijë vizitorë, numër që shpresojmë të jetë në rritje këtë vit, për shkak edhe të suksesit, që u arrit vjet. Tanimë, kjo është ngjarje e rëndësishme në jetën e qytetit e rrethit tonë, por që zgjon dhe e presin me padurim edhe miq e dashamirës të librit, kudo ku flitet shqip.

Majlinda Nana Rama - Ballina 1 2. Meqë po flasim për librat dhe vetë je autore, cilët janë titujt e librave, që ke botuar dhe, shkurt, për çfarë flasin ata?
– Krijimtaria ime e ka fillesën në vitin 2004, me vëllimin poetik “Merrma lotin peng”. Pastaj është vijuar në vitin 2006, me dy libra të tjerë, me vëllimin poetik “Hënë e qiellit tim” dhe prozën eseistike “…por gjyqi vazhdon”. Botimet e mia më të fundit janë, romani “Perandorët” dhe libri studimor, me titullin “Kritika letrare”, të dy botime të vitit 2014. Dy vëllimet poetike kanë në brendi poezi lirike, si për natyrën e njeriun, dashurinë dhe urrejtjen, hapësirën, protestën etj. Eseistika është një refleksion, analizë, gjykim dhe vlerësim për realitetin. Ndërsa romani “Perandorët” është pritur shumë mirë, si nga kritika dhe lexuesi. Një prozë realiste, që shigjeton perandorët metaforikë, të cilët i zgjerojnë territoret e tyre, duke i pushtuar lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ndërkohë, libri studimor ka në thelb trajtimin e tekstit letrar, duke iu drejtuar periudhave dhe rrymave të ndryshme letrare, por edhe duke u dhënë jetë autorëve të traditës e atyre bashkëkohorë.

3. Duke qendruar në këtë linjë, si është vlerësuar krijimtaria jote, deri tani?
– Pikësëpari, po e nisi me interesin e lexuesit, që do të thosha se ka qenë befasues për mua, sidomos për romanin dhe librin studimor. Këtë e kam vënë re në turet përuruese, që kam zhvilluar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Gjermani, Francë, Austri, Zvicër, Hungari, Poloni, Holandë, Belgjikë etj. Kudo jam pritur dhe jam ndier mirë, pasi kam parë njerëz të interesuar, që i kishin lexuar librat e mi dhe donin të lexonin përsëri nga unë.

Nga ana tjetër, dua ta përmendi faktin që dy veprat e fundit kanë tërhequr dhe vëmendjen e kritikës. Për ato, janë shprehur disa nga emrat më të njohur të kritikës dhe letërsisë, që nga Akademiku Ali Aliu. Tanimë, ky më quan si “zbulim” të vetin. Kjo gjë, padyshim, mua më jep kënaqësi e siguri. Po ashtu, krijimtaria ime ka pasur vëmendjen edhe të profesorëve: Klara Kodra, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Agim Vinca, Behar Gjoka, Hysni Ndreu e mjaft të tjerëve, si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, pra brenda dhe jashtë vendit. Besoj që kjo i hapi rrugën e mbarë krijimtarisë sime.

4. Na tërhoqi bota e librave dhe e krijimtarisë, por kjo lidhet ngushtë edhe me jetën tuaj, si vetjake, ashtu dhe familjare. Cila është jeta e Majlindës, në të dyja këto plane?
– Jeta ime është si ajo e çdo vajze shqiptare, të mbushur me energji, që kërkon të lërë gjurmë në jetën publike, sociale e shoqërore. E, duke qenë kështu, pak mbetet për ta parë vetëveten, si krijesë femërore. Megjithatë, këtë ndjesi ma japin çdo ditë dy djemtë e mi, Geri 14-vjeçar dhe Xhemio, 10-vjeçar, të cilët më përballin me aromën e të qenit femër dhe nënë, ndjesi kjo, që më bën të gjithëpushtetshme. Nga ana tjetër, vjen “gjysma” ime, Bujari, i cili mbetet edhe pas gati dy dhjetëvjeçarësh bashkëjetese, lexuesi im i parë, dëgjuesi im i parë, kritiku im i parë dhe mbështetja ime e përhershme. Këta, pra, tre burrat e jetës sime, ma kanë lehtësuar çdo situatë. Ata m’i kanë kuptuar mungesat, vonesat, orët e përkushtimit ndaj profesionit e krijimtarisë, gjë që më ka bërë të ndihem se po fluturoj e qetë dhe fitimtare, në hapësirat e pafundme.

Majlinda Nana Rama - Ballina 2 5. Një nga punët tua më të pëlqyera, është shtypi i shkruar dhe ai elektronik. A mund të na sqaroni diçka më shumë, për këtë pjesë të veprimtarive ditore?
– Gazetaria është profesioni im. Prej 12 vjetësh e jap ndihmesën time modeste në disa media. Një kohë të gjatë, kam drejtuar sektorin e informacionit, në TV ”Apollon”, si dhe kam punuar gazetare në TV “Ora News”. Kështu, u lidha ngusht me informacionin, me ngjarjen e me lajmin. Po ashtu, prej 9 vitesh aktivizohem në gazetën “Panorama”, tek e cila kam gjetur mjedisin e nevojshëm për ta ushtruar profesionin edhe në gazetarinë e shkruar. Ç’është e vërteta, të jesh gazetare, është përgjegjësi . Gjendja, në të cilën ndodhen vendi dhe shoqëria jonë, në përgjithësiu, me këtë tranzicion të tejzgjatur, padyshim, na vë edhe ne gazëtarëve përballë sfidash. Që të mos zgjatem, ndershmëria dhe paanshmëria janë dy “stacionet” e mia, në këtë profesion.

6. Po veprimtaria jote shoqërore? A bëjnë këtu pjesë bashkëpunimet me krijuesit fierakë, disa prej të cilëve i njoh edhe unë?
– Fieri njihet qendër e rëndësishme e kulturës shqiptare, me krijues të fushave e gjinive të ndryshme. Kjo ndodhë jo rastësisht, por sepse është një qytet, që ka e zhvillon vlera krijuese dhe jo vetëm. Si kërkesë e qytetarisë së lartë dhe ndjenjës kulturëdashëse të këtyre njerëzve, Bashkia jonë, Biblioteka e qytetit, por edhe Fondacioni “Harpa”, që unë drejtoj dhe shumë organizata e shoqata kulturore e letrare, pothuaj çdo javë, organizojnë veprimtari, që kanë në qendër artin, kulturën e letërsinë. Natyrisht, bashkëpunimet janë në rrafshin lokal, pra me mjaft krijues të njohur fierakë, por edhe në atë kombëtar. Sepse, tashmë, dihet që në Fier i kanë përuruar vlerat e tyre personalitete të njohura të vendit tonë.

7. Lexova në jetëshkrimin tënd, se i ke kaluar disa vite të para të jetës në Tepelenë. Si i mban lidhjet tua me vendlindjen dhe për çfarë arsyesh?
– Tepelena është vendi, që më rriti e ma dha startin e jetës. Nuk di si do ta kuptoja veten, po të mos ishin pjesë e imja edhe ai qytet e rreth. Më duket sikur vendlindja të jep edhe formën, edhe përmbajtjen, të krijon një fizionomi, nëse e prek atë me shpirt. Ajo të jep edhe sigurinë, edhe krenarinë, edhe ndjesinë e të qenit i vlerësuar. Kështu, të gjitha këto së bashku, të mbushin me energji pozitive, të motivojnë që të vazhdosh të ecësh përpara.

Në këtë kuptim, e ndiej veten krenare, që jam një nga bijat e thjeshta të Tepelenës dhe dua e përpiqem që t’ia kthej këtë ndjesi vendlindjes sime, ta bëj edhe unë atë, të krenohet me mua. Sa do ta arrij? Nuk e di, por do vazhdoj t’i mbaj lidhjet shpirtërore me njerëzit e mirë të saj dhe natyrën e atjeshme, sepse vetëm ajo i ka të gjitha ngjyrat e bukuritë, që më frymëzojnë.

8. Nga miqtë tu të shumtë, shkrimtarë e publicistë, vura re se ke miqësi edhe me gazetaren e “Blue Skye” të Prishtinës, Vera Pelaj, të cilën e njoh dhe unë… Cilat janë lidhjet tua me Kosovën dhe krijuesit e saj?
– Unë e kam dashur dhe e dua Kosovën, ashtu si dhe letërsinë, që vjen prej asaj krahine të strërlashtë shqiptare dhe e vlerësoj shumë atë. Padyshim, e çmoj institucionin e kritikës letrare, i cili është më frytdhënës matanë kufirit shqiptaro-shqiptar. Mendoj se atje është më i gjallë, lëvrohet në mënyrë profesionale dhe të vazhdueshme. Nuk dua të përmendi këtu emra, sepse, sa herë që e bëj një gjë të tillë, e ndiej që s’i kam thënë të gjithë ata që dua dhe pastaj ligështohem. Por e nënvizoj se bashkëpunoj me krijuesit e Kosovës, sepse i dua qysh në gjenezë. Kam marrë e kam çuar letërsi në vijën letrare, Kosovë-Shqipëri dhe s’ka propagandë më të mirë se kjo. Sepse është edhe një shërbim dobiprurës e domethënës, që i bëhet letërsisë, që ne shqiptarët të zhvillohemi brenda vetëvetes.

9. Po i rikthehemi sërish “pikës sonë të dobët” (ha, ha), pra, librave. Cili do të jetë botimi yt i radhës dhe për çfarë bën fjalë ai?
– Kam në proces disa projekte të hapura, me të cilat punoj ngapak, paralelisht. Një roman i nisur para 4-5 viteve, besoj dhe shpresoj që këtë vit të shkojë drejt fundit. Ndërkohë, patjetër që merrem me studime të prurjeve të autorëve të ndryshëm, punë të cilën e shoh më shumë një mision në vazhdim. Këtë veprimtari modeste e bëj për ta ndihmuar lexuesin që të zgjedhë atë, që quhet elitë letrare, pa lënë mënjanë edhe autorët e rinj, të cilët ndonjëherë kanë nevojë edhe për “duartrokitije”, që ata të motivohen për vazzhdimin e krijimtarisë së tyre.

10. Në se do ta përdornim një shprehje të njohur, do të thosha: “A doni më për Belulin?” (ha,ha ). Pra, a mos u bënë shumë pyetje? Megjithatë, e kam edhe këtë: A mos të mbetet gjë tjetër merak për të shtuar, në përfundim të kësaj bisede, për të cilën të falënderoj përzemërsisht?
– Po, dëshiroj t’u falënderoj ju, i nderuar prof. Murat Gecaj, si për kohën që më kushtuat, por dhe për ndihmesën e çmuar, që i jepni kulturës e letërsisë sonë. Një komb, pa kulturë e letërsi, është i mjerë dhe i destinuar që të asimilohet, nëse gjeneratat nuk i përcjellin vlerën e traditën, nga brezi në brez. Me kënaqësi, e shoh që ju e keni përmbushur dhe vazhdoni ta përmbushni mirë këtë mision, i cili e lartëson këdo, që i përkushtohet. Ju uroj punë të mbarë dhe ditë të bardha!

12 prill, 2015