Politikë Nga JAKIN MARENA, 03 Gusht 2013
[ Kreu i SHISH, Ajazi, kërkon punë në Universitet ]
TIRANE – Pranë kryeministrit Edi Rama pritet të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Një formulë e reformimit të strukturave të hetimit dhe parandalimit të krimeve, trafiqeve, kontrabandës dhe korrupsionit e bërë publike që para zgjedhjeve nga lideri i atëhershëm i opozitës Edi Rama, tashmë kryeministër i zgjedhur që pret të marrë detyrën në shtator të këtij viti pas miratimit në Kuvend dhe betimit para presidentit të Republikës.
Mësohet se Byroja Kombëtare e Hetimit apo siç u emërua asokohe “FBI”-ja shqiptare ka qënë një propozim i këshilltarit të Ramës, ish-kryeministrit britanik Toni Bler, për të precizuar tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, diçka e ngjashme me FBI-në amerikane, por e përshtatur për realitetin shqiptar të një vendi të vogël.
Nga burime të rezervuara brenda mazhorancës mësohet se në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ndonëse anëtar i Asamblesë Kombëtare nuk ka preferuar të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Njëherësh, ndonëse ka fituar gjyqin për shkarkimin e tij nga kryeprokuror dhe gjykata ka kërkuar kthimin e tij në detyrën që ka pasur, nuk e preferon më këtë post, duke lënë hapur rrugën për të qënë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku që me ngritjen e saj si strukturë pranë kryeministrit të merret me ngritjen nga e para të saj.
FUNKSIONIMI
Byroja Kombëtare e Hetimit është një drejtori qëndrore pranë kryeministrit që do të funksionojë për koordinimin e të gjitha shërbimeve, përmes një zyrë koordinative. Deri më tani shërbimet veprojnë paralelisht, duke nxjerrë jashtë skemës dhe informacione që s’duhet të dalin, por dhe duke u përdorur për luftën politike.
Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i detyrojë të gjitha këto shërbime të mos punojnë paralel. Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca e specializuar ndërkombëtare për Shqipërinë, për të bashkuar në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara. Në këtë strukturë do të organizohen të gjitha këto shërbime, që kanë drejtime të ndryshme, por që sot janë të pakoordinuara e konsumojnë para pa punë. Kjo strukturë do të organizojë dhe do të garantojë mirëfunksionim edhe në pjesë të tjera të organizmit shtetëror.
Programi i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka këto pjesë shumë të rëndësishme. Ajo ka analizën e informacionit kriminal, lufta kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terrori, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policia shkencore dhe antikrimi kompjuterik, mbrojtja e dëshmitarëve, policia e qarkullimit e rendit etj. Këto shërbime do amalgamohen në një strukturë të vetme dhe kalimi i informacionit nga poshtë-lart të bëhet transparent, i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe i pamanipulueshëm. Pikërisht këtë strukturë pritet të ngrejë menjëherë kryeministri Rama, për të reformuar sistemin.
KANDIDATURA
Burime të rezervuara brenda mazhorancës mësohet se në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do jetë ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ndonëse anëtar i Asamblesë Kombëtare nuk ka preferuar të jetë në listën e kandidatyëve për deputetë të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Cili do të jetë funksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit
• Byroja Kombëtare e Hetimit do të merret me analizën e informacionit kriminal, i cili do të vijë nga shërbimet e specializuara të shtetit shqiptar.
• Me luftën kundër trafiqeve njerëzore që janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri.
• Me luftën kundër kontrabandës në kufirin e Shqipërisë me rajonin dhe kontrabandën ndërkombëtare.
• Luftën kundër trafikut të drogës dhe të lëndëve radiaktive.
• Luftën për eliminimin e armëve eksplozive dhe anti-terrorin.
• Drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Me njësinë speciale të agjentëve të mbulimit.
• Policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik.
• Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe akomodimin e tyre.
• Policinë e qarkullimit, të rendit dhe gjithë policitë e tjera.
• Do garantohet një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore e shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore.
• Këto shërbime do amalgamohen në një strukturë të vetme dhe kalimi i informacionit nga poshtë-lart të bëhet transparent.
• Informacioni do jetë i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe i pamanipulueshëm
RAMA NE FUSHATE: BYROJA KOMBETARE, DO RRISIM CILESINE E HETIMIT
Kryeministri Edi Rama në fushatë ka deklaruar se “pas ardhjes në pushtet të PS, policia do t’i nënshtrohet një risktrukturimi të plotë, duke reduktuar disa struktura e duke aktivizuar të tjera”. Në këtë kuadër premtoi themelimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, që do hetojë krimet e mëdha dhe brenda do përfshihet policia shkencore, antikrimi kompjuterik e mbrojtja e dëshmitarëve si dhe një reformim të SHKB. “Do themelohet Byroja kombëtare e hetimit, ndërsa SHKB nga një strukturë e domosdoshme është kthyer në një strukturë famëkeqe dhe presione për shantazhe do kthehet në një gardian të integritetit moral.
Me byronë e SHKB do garantojmë një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore e shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore. Kush është nën uniformën blu nuk duhet të ketë lidhje jo vetëm me krimin, korrupsionin por as me ryshfetin banal”, tha Rama. Ai premtoi rishikimin e gradave të policisë si dhe paga dinjitoze nga punonjësi i policisë më i thjeshtë deri tek zyrtari më i lartë.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
—————————————–
Politikë Nga JAKIN MARENA, 03 Gusht 2013
Kreu i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi gati largimin
TIRANE – Me sa duket nuk do të ketë paqe as në institucionet kushtetuese dhe të pavarura pas ardhjes në mënyrë plebishitare të së majtës në pushtet. Dominimi parlamentar i konfiguracionit politik të majtë të përbërë nga Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Kristiandemokrate me plot 83 vota, mundësia për shtimin e kësaj mbështetjeje parlamentare dhe me vota të tjera të çamëve, PDK të Ndokës e deri tek vota e deputetit Agron Duka, ka “tundur” nga themelet bazamentin që mban karrigën e kreut të SHISH, Visho Ajazi, i cili është zgjedhur jo shumë kohë më parë në këtë post tepër të rëndësishëm pa asnjë konsensus dhe përmes kontestimeve të forta, me votën e mazhorancës së djathtë të drejtuar nga Berisha.
Ndonëse kreu i qeverisë së ardhshme, Edi Rama ka dhënë garanci se do të zbatohet vetëm ligji dhe gjithë reformimi i institucioneve do të bëhet vetëm në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, ndonëse kreu i ri i PD Lulzim Basha ka deklaruar më se njëherë se do të bëhet “mur” në mbrojtjen e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, vetë drejtuesi i këtij institucioneve, kreu i SHISH Visho Ajazi ka filluar të marrë masa.
Burime të besuara dhe shumë të rezervuara pranë Universitetit Publik të Tiranës na bëjnë me dije se kreu aktual i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi është në kërkim të një vendi pune si pedagog për informatikën në këtë sektor. Ai është takuar me drejtues në degën e informatikës në UT në përpjekje për të qënë në vitin e ri akademik, që nis të tetor të këtij viti pedagog në këtë fakultet, qoftë dhe i jashtëm dhe me orë. Një element që përkon me faktin se ai nuk ndjehet i sigurtë në postin e kreut të SHISH, pas emërimit në këtë detyrë në kundërshtim jo vetëm me opozitën shqiptare të atëhershme të drejtuar nga Edi Rama, por dhe me përfaqësuesit e SHBA. Të cilët kishin marrëdhënie shumë të mira me paraardhësin e Visho Ajazit dhe konkretisht Bahri Shaqirin.
Për më tepër që socialistët kanë vijuar dhe më pas akuzat për rikthim të të gjithë ish-punonjësit dhe drejtuesit e SHIK-ut të të ndjerit Bashkim Gazidede në shërbimin sekret dhe për më tepër në postet drejtuese nga qendra në bazë, si dhe përfshirjen e SHISH në fushatën elektorale dhe në survejimin dhe përgjimin e opozitës. Pikërisht në këtë element jo vetëm mazhoranca e re por dhe partnerët ndërkombëtarë janë shumë të ndjeshëm.
Aq më tepër që Visho Ajazi ende nuk ka zbardhur veprimtarinë e shumë viteve në ekzil në Kanada. Si ai, edhe kuadro të tjerë duket se janë të gatshëm të tërhiqen, ndoshta për shkak të përballjeve të forta që mund të kenë në të ardhmen, angazhimeve të mëdha të mazhorancës së re për luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe në nivelet më të larta të shtetit, dhe presionit të ndërkombëtarëve mbi këtë mazhorancë, në lidhje me faktin se ndëshkueshmëria ndaj abuzimit dhe korrupsionit duhet të përfshijë dhe nivelet e larta të drejtimit të shtetit, nëse lind nevoja.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)